Teknologji dhe Inovacion

Deri në 2030 inteligjenca artificiale mund të zgjidhë krizën e energjisë, t’i shtojë triliona ekonomisë globale… ose të zhdukë racën njerëzore

Deri në vitin 2030, Inteligjenca Artificiale mund të kujdeset për të moshuarit tanë, duke bërë filma dhe duke dhënë mësime, ose mund të ketë zhdukur racën njerëzore.

Këto janë parashikimet jashtëzakonisht të ndryshme nga tetë ekspertë të AI nga Amerika dhe Britania, të cilët parashikojnë se si teknologjia mund të ndryshojë jetën tonë brenda dekadës së ardhshme.

Teknologjia e inteligjencës artificiale mund të bëhet aq e mirë sa do të fillojë të gjenerojë filma të tërë brenda një dite, parashikon regjisori i serialit fantastiko-shkencor “Silo”, Hugh Hoëey.

Duke folur për DailyMail, ai tha se është vetëm çështje kohe përpara se AI të arrijë të bëjë filma.

“Që tani po shohim sa e vështirë është që të dallosh fotografinë e bërë nga dora e njeriut nga ajo e bërë nga inteligjenca artificiale”, thotë ai duke shtuar se filmat në fillim do jenë të tmerrshëm por do përmirësohen me kalimin e kohës.

“Mendoj se njerëzit do t’i shikojnë dhe do të magjepsen prej tyre edhe kur nuk janë shumë të mirë”.

Komentet e tij i bëjnë jehonë parashikimeve të regjisorit të Avengers: Endgame Joe Russo, i cili parashikoi muajin e kaluar se AI do të ishte në gjendje të bënte filma në vetëm dy vjet.

AI ka gjithashtu potencial për të transformuar sektorin e arsimit dhe për të përshtatur planet e mësimit sipas klasave.

Ajaz Ali, kreu i biznesit dhe informatikës në Universitetin Ravensbourne në Londër, bëri parashikimin se fëmijët së shpejti mund të kenë mësuesit e tyre të personalizuar të AI, i cili do të japë mësime të përshtatura për fëmijën.

Kjo mund të bëhet edhe përmes syzeve të realitetit të shtuar ose robotëve, sugjeroi ai.

“Në dhjetë vitet e ardhshme ne mund të shohim klasa virtuale të aktivizuara me AI që mund të krijojnë një përvojë mësimore më gjithëpërfshirëse dhe ndërvepruese”.

Aktualisht, platformat e disponueshme të AI si ChatGPT mund të gjenerojnë tashmë plane mësimore për mësuesit të përshtatura për një klasë specifike.

Mund të zhduket raca njerëzore?

Mes sugjerimeve se AI do të përmirësojë jetën tonë pa masë, ka edhe ekspertë që paralajmërojnë se mund t'i japë fund racës njerëzore deri në vitin 2030.

Midis ekspertëve është edhe shkencëtari kompjuterik Eliezer Yudkowsky, i cili thotë se raca njerëzore do të zhduket plotësisht deri më 1 janar 2030.

Një studiues i njohur në Institutin e Kërkimeve në Berkeley, Kaliforni, Yudkowsky është një nga ekspertët më të mëdhenj që kanë folur për ndikimin e AI.

Duke shkruar në Time në fillim të këtij viti, ai tha se “nëse dikush ndërton një AI shumë të fuqishme, në kushtet aktuale, unë pres që çdo anëtar i species njerëzore dhe e gjithë jeta biologjike në Tokë të vdesë menjëherë pas kësaj”.

Ai thotë se AI mund të zhdukë njerëzimin nëse inteligjenca e tij i kalon njerëzit dhe se më pas zhvillon vlera dhe qëllime të ndryshme për njerëzit.

Ekspertë të tjerë që thonë se AI mund të 'shkatërrojë qytetërimin' përfshijnë miliarderin Elon Musk dhe shkencëtarin britanik Stephen Hawking, edhe pse ata nuk sugjerojnë se të gjithë njerëzit do të zhduken deri në vitin 2030.

Musk ka dhënë alarmin për inteligjencën artificiale prej vitesh, duke paralajmëruar vetëm muajin e kaluar se mund të shkatërrojë qytetërimin.

Do ketë rritje të vlerës së ekonomisë botërore me gati një të pestën

Ekspertët sugjerojnë gjithashtu se AI mund të rrisë vlerën e ekonomisë botërore me 15.7 trilion dollarë deri në vitin 2030, ose më shumë se vlera e ekonomive të Indisë dhe Kinës së bashku dhe të rritet me një të pestën në krahasim me nivelet aktuale.

Parashikimi është bërë nga analistë që punojnë në firmën e kontabilitetit 'Big Four PwC' në Londër.

PwC tha në një studim të botuar në janar se “Kërkimi ynë tregon gjithashtu se 45% e fitimeve totale ekonomike deri në vitin 2030 do të vijnë nga përmirësimet e produkteve, duke stimuluar kërkesën e konsumatorëve. Kjo është për shkak se AI do të nxisë një shumëllojshmëri më të madhe të produkteve”.

Zgjidhja e krizës energjetike

Ekzistojnë gjithashtu sugjerime se AI mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës së energjisë në botë deri në vitin 2030.

Kriza më e fundit energjetike u ndez nga lufta në Ukrainë, duke çuar në bllokime të importeve të karburanteve fosile nga Rusia dhe rritjes së papritur të kërkesës gjatë rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë Covid.

Sam Altman, themeluesi i OpenAI, i cili zhvilloi ChatGPT ka thënë se deri në vitin 2030 AI do ta ketë zgjidhur krizën.

Në një seri postimesh në Twitter në vitin 2021, ai tha: 'E ardhmja mund të jetë aq e mirë sa është e vështirë për secilin prej nesh ta imagjinojë”.

Do arrijë inteligjencë të ngjashme me njeriun

Parashikimet gjithashtu janë të shumta se AI mund të arrijë inteligjencën njerëzore deri në vitin 2030.

Ndër ata që bëjnë paralajmërimin është ish-inxhinieri i Google Ray Kurzweil. Ndërsa fliste në një Konferencë në Austin, Teksas, në vitin 2017, ai tha se inteligjenca artificiale do arrijë të mposhtë edhe njeriun në provime njohurish.

Do parashikojë problemet shëndetësore

Në kujdesin shëndetësor, AI mund të parashikojë problemet përpara se ato të ndodhin deri në vitin 2030, thotë eksperti i AI Simon Bain, themelues dhe CEO i kompanisë softuerike OmniIndex në San Jose, Kaliforni.

Bain beson se e ardhmja e AI do të jenë shërbimet e ndërtuara për t'iu përgjigjur nevojave specifike.

Por ai shton se këto do të jenë shumë të ndryshme nga AI-të aktuale, siç është ChatGPT.

“Deri në vitin 2030, AI mund të parashikojë problemet e ardhshme të kujdesit shëndetësor nëpërmjet specialistëve që përdorin mjete të specializuara”.

Do kujdeset për të moshuarit

Brenda dekadës së ardhshme, inteligjenca artificiale mund të ketë marrë një rol të madh në kujdesin për të moshuarit.

Heather Delaney, themeluesja e firmës Gallium Ventures bëri parashikimin duke treguar shfaqjen e robotëve të kujdesit si ElliQ.

Roboti mund të ndihmojë në luftimin e vetmisë për moshën e tretë.

Roboti mund të mësojë rutinën e të moshuarve për të sugjeruar në mënyrë proaktive aktivitete që mund t'iu pëlqejnë. Gjithashtu u kujton të moshuarve orarin e tyre të përditshëm dhe se kur duhet të marrin ndonjë medikament, duke u siguruar që ata të mos harrojnë asnjë.

“Shtëpitë e të moshuarve do të mbështeten më shumë në teknologji për të monitoruar dhe vlerësuar shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit të tyre, ndërsa ata që jetojnë në shtëpitë e tyre private do të varen më shumë nga teknologjia”.

Të moshuarit do të kenë gjithashtu më shumë gjasa ta pranojnë një robot në shtëpitë e tyre, sepse janë mësuar me teknologjinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë