Filma

“Derë e hapur” do të prezantojë Shqipërinë në “Oscar”

Filmi artistik shqiptar “Open door” me regji nga Florenc Papas do të prezantojë Shqipërinë në “Oscar”.

Filmi do të konkurrojë në “International Feature Film Award”, edicioni 93.

Komisioni përzgjedhës në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë përbëhej nga drejtori Eduart Makri, Esat Musliu, Bujar Alimani, Ndriçim Xhepa, Agron Domi dhe Genc Përmeti.

Sipas njoftimit të Qendrës, komisioni votoi online për të përzgjedhur kandidaturën shqiptare në konkurrim.

Filmat artistikë që konkurruan ishin “Derë e hapur” me regji nga Florenc Papas, “Vera pa kthim” me regji nga Besnik Bisha dhe “Takim në ajër” me regji Ardit Sadiku.

“Open door” (Derë e hapur), me regji nga Florenc Papas dhe Ajola Daja, ku interpretojnë aktorët Luli Bitri, Jonida Vokshi, Sotiraq Bratko, etj, tregon historinë e dy motrave që do të ndërmarrin një rrugëtim, duke u ballafaquar hera-herës me forcën e sistemit tradicional-patriarkal.

Filmi “Derë e hapur”, personazh kryesor ka Elmën, që është një vajzë e re shqiptare, e cila jeton ilegalisht në Itali.

Ajo është shtatzënë dhe babai i fëmijës tashmë është në burg. Pas depërtimit nga policia italiane, duke mos ditur kujt t’i drejtohet për ndihmë, ajo vendos të kthehet tek motra e saj e madhe, Rudina. Të dy motrat do të nisin një rrugë të gjatë me veturë drejt shtëpisë së babait të tyre tradicional.

Ndërsa Rudina nget veturën, Elma do bëjë ç’të mundet për të mos shkuar atje.

Filmi ka në qendër tre personazhe, dy motrat Rudina dhe Elma dhe djalin 5-vjeçar të Rudinës. Ndërsa, personazhet e tjera janë episodike, por të rëndësishme përgjatë udhëtimit të tre personazheve kryesore.

Filmi artistik shqiptar “Derë e hapur” pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, me producent Eno Milkanin, “Derë e hapur” është bashkëprodhim midis Shqipërisë, Kosovës, Italisë dhe Maqedonisë.

Filmi “Open Door” financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, është përzgjedhur nga Trieste Film Festival 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë