Media Galeri

Derbi jashtë kontrollit

Derbi Partizani-Tirana, i fituar nga bardheblutë 2-1, doli jashtë kontrollit në çdo drejtim.

Për pasojat që mund të ketë në lidhje me situatën me Covid-in, me ato turma tifozësh përqafuar me njëri-tjetrin, nuk ka asnjë diskutim, por kjo është çështje e institucioneve të tjera.

Bukuria dhe spektakli që krijojnë tifozët në ndeshje të tilla e ka kufirin deri te flakadanët, që mund të sjellin ndërprerje të ndeshjes, por pa pasoja. Edhe ngacmimet në distancë mes tifozëve, pavarësisht fjalorit, mund të jenë të pranueshme deri diku.

Ajo që e shëmton spektaklin e derbit është shkatërrimi i stadiumit, hedhja e stolave në fushë. Është një imazh shumë i shëmtuar të shohësh tapetin e blertë të mbuluar nga stolat e kuq të “Air Albania”-s.

Për të mos folur pastaj për futjen e tifozëve në fushë dhe ndonjë përplasje të tyre me forcat e rendit, që gjithmonë ngre dyshime në lidhje me sigurinë në stadiumet tona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë