Nga Gazeta ‘SI’ – Një propozim i dërguar në kuvend nga deputetja socialiste Zamira Sinaj, riktheu një debat të hershëm mbi përfitimin e pronës publike nga subjektet private.
Projektligji “Për portet turistike”, propozon që ndërtimi i këtyre porteve në kuadrin e një investimi strategjik, të jepet pa garë, si pjesë e të gjithë projektit dhe të shmangë procedurat koncesionare, siç shpreh ligji aktual.
Drafti ngriti shqetësime e akuza për klientelizëm dhe një precedent të ri për “faljen” e pronës publike dhe në këtë rast një aseti kritik, siç janë portet.
Në një komunikim më Gazetasi.al, deputetja Sinaj, shpjegoi se portet nuk do të privatizohen kurrësesi dhe se vetëm financimi do të jetë i tillë, ndërsa do t’i nënshtrohen ligjit të koncesioneve dhe pas përfundimit të kontratës, projekti do t’i rikthehet shtetit.
“Heqja e procedurës konkurruese zbatohet vetëm për projekte që kanë marrë statusin e investitorit strategjik dhe janë miratuar si njësi e vetme zhvillimore. Për portet turistike do të vijojnë të nënshkruhen kontrata me detyrime të qarta financiare, teknike dhe mjedisore. Pra, portet do të ndërtohen me kapital privat, menaxhohen sipas kontratave koncesionare dhe në fund do t’i kthehen shtetit”, sqaron deputetja duke theksuar se ligji në fuqi ka krijuar vonesa e paqartësi dhe rrezikon investimet.
“Projektet turistike strategjike miratohen në tërësi nga Komiteti i Investimeve Strategjike, përfshirë hotelerinë, rezidencat dhe portin turistik. Por, ndonëse projekti miratohet si paketë e integruar, komponenti i portit duhet të kalojë më pas në një procedurë të veçantë konkuruese sipas ligjit për koncesionet. Kjo ka sjellë pasiguri juridike për investitorin, rrezik për mosrealizim të projektit, vonesa administrative dhe fragmentim të investimit.”, thotë deputetja e cila në shtator mori mandatin e saj të parë.
Në argumentimin e saj, Sinaj thotë se procedurat shtesë për portin, në rastin e investitorit startegjik, rrezikojnë t’i largojnë ato për shkak të burokracive.
“Në projekte si zhvillimi i Ishullit të Sazanit, porti nuk është luks, është kusht ekzistence. Pa port nuk ka akses. Pa akses nuk ka investim. Pa investim nuk ka zhvillim. Shqipëria nuk mund të pretendojë turizëm elitar pa marina moderne. Nuk mund të kërkojë rritje ekonomike duke mbajtur peng investimet me procedura të fragmentuara. Zgjedhja është e thjeshtë, ose mbetemi në vendnumëro me burokraci, ose ecim përpara me zhvillim të përgjegjshëm dhe siguri juridike”.

Për garancinë e “ofertës më të mirë”, Sinaj argumenton se investitori strategjik kalon në filtrat e KIS për të marrë statusin dhe më pas të drejtën e zhvillimit të portit.
Sipas deputetes vlonjate, Shqipëria ka humbur para dhe potencial për shkak të prapambetjes së ekonomisë “blu”.
“Shqipëria po përjeton momentin e saj më të fortë turistik, por ekonomia detare ka mbetur prapa. Me mijëra jahte kalojnë çdo vit përgjatë brigjeve tona dhe ankorohen në vendet fqinje, sepse ne nuk kemi infrastrukturën e duhur për t’i pritur. Kjo do të thotë para të humbura, vende pune të humbura dhe potencial i pashfrytëzuar. Ndryshimi në ligjin për portet turistike nuk është privilegj për askënd”, përfundon Sinaj, për Gazetasi.al, duke theksuar se me miratimin e këtij drafti do të rriten kapacitetet ankoruese, sigura në bregdet dhe konkurrueshmëria rajonale.
Sipas ligjit, 2026-a është afati i fundit i investimeve strategjike, por efekti i ligjit mund të zgjatet sërish, si vitet e shkuara. Skema e strategjikëve në Shqipëri ka qenë prej vitesh objekt kritikash për mungesë transparence dhe trajtim preferencial. Organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë të ekonomisë kanë ngritur shqetësime se statusi strategjik është përdorur në disa raste për të shmangur garën, për të përfituar toka publike apo lehtësi fiskale dhe për të legalizuar projekte të diskutueshme, përfshirë edhe në zonat bregdetare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje