Ana e errët

“Deputeti” mashtrues kërcënon ish të dashurën për videot intime

Një 41-vjeçare nga Lushnja duke menduar se kishte rënë në dashuri me një deputet të Kosovës, ka divorcuar bashkëshortin për të vrapuar pas partnerit që, sipas saj, ishte mjaft i dhënë pas karrierës. Gruaja me inicialet E.L madje, për të respektuar profesionin e bashkëshortit, ka udhëtuar drejt Kroacisë me mendimin se tashmë partneri i ri i kishte hyrë diplomacisë. Por kur ka mbërritur në Kroaci, ka kuptuar se gjithçka me të cilën i prezantohej i dashuri ishte një gënjeshtër e madhe dhe se ai nuk kishte qenë kurrë as deputet, as ish-deputet dhe as ambasador. Ai punonte shofer autobusi!
Historia që Gazeta “Si” po ju sjell nuk është aspak e shkëputur nga ndonjë telenovelë, por është pjesë e një fashikulli gjykimi në Gjykatën e Tiranës. “Deputeti” i cili iu nënshtrua akuzës së përndjekjes quhet Jublisa Zivic, nga Komuna Shtimë e Kosovës dhe banues në Ferizaj. Ai rezulton i padënuar më herët dhe kur ka ardhur në Shqipëri, ishte i divorcuar dhe është me arsim të lartë.
Gruaja e mashtruar në fakt nuk iu drejtua Prokurorisë kur zbuloi se ishte mashtruar, por për shkak të kërcënimeve të tij. E.J thotë në fashikullin e gjykimit që Gazeta “Si” disponon:
“E.J: Ushtroja aktivitetin privat së bashku me motrën që është avokate në një zyrë imobiliare. Në kuadër të këtij aktiviteti jam njohur me të pandehurin Jublica Sivic, i cili kishte dy shtetësi, kosovare dhe kroate. Ai ka kontaktuar në fillim me mua në qershor të 2018 për ndërmjetësim për blerje prone. Në shtator 2018 kam filluar një lidhje intime me të dhe për këtë shkak kam filluar edhe procedurat e divorcit me bashkëshortin. Ky raport zgjati një vit, ndërkohë që Jublica më kërkonte që të përfundoja procedurat e divorcit dhe të njihej me familjen time. Në maj të vitin 2019 unë shkova të jetoj me të pandehurin. Aty kuptova se ai ishte një shofer autobusi dhe jo zëvendësambasador i Kosovës në Kroaci, apo ish-deputet i Kosovës siç më kishte thënë, ose siç më tha në fillim, kryetar i një partie të pakicës serbe në Kosovë, SNSD”.
Në fashikujt që Gazeta “Si” po i zbardh, përmendet se gruaja ka reflektuar gjatë dhe më pas ka kërkuar lekët që 53-vjeçari i kishte marrë për biznesin e nisur dhe më pas është larguar.
Gruaja tregon: “Gjatë kohës që ishim bashkë, Jublica filmonte marrëdhëniet që kryenim së bashku. Në kohën që unë vendosa të largohem, ai më kërcënoi se do t’i hidhte këto materiale në internet, tek adresat e të njohurve të mi, në Facebook dhe secilit që unë njihja në rrjetet sociale. Ky ishte kërcënimi nëse unë nuk kthehesha tek ai”.
Më tej theksohet se këto materiale i janë dërguar vëllait të gruas së mashtruar. Gruaja deklaroi se “deputeti” e ka kërcënuar se këto video do t’ia tregonte edhe babait të saj dhe të birit 15 vjeç dhe ish-bashkëshortit. Gruaja tregon se pas këtij momenti, ajo ka reflektuar dhe se ka normalizuar marrëdhënien me ish-bashkëshortin. Por Jublica e ka përndjekur me qëllimin që t’i shkatërrojë familjen, por edhe duke i sjellë ankth.
Gjykata e shpalli fajtor 53-vjeçarin pasi ka këqyrur një sërë provash dhe e dënoi atë në aplikim të gjykimit të shkurtuar me tetë muaj burgim. Kjo vepër – shton gjykata – është konsumuar plotësisht nga i pandehuri: Jo vetëm objektivisht duke i shkaktuar ankth dhe panik Jublicës, por edhe sepse 53-vjeçari ka parashikuar dëmtimet me dashje direkte.

 

Më Shumë