Depozitat e shqiptarëve kanë nisur përsëri tendencën rënëse gjatë shkurtit 2022 duke zbritur me 0.4% nga janari 2022.
Në shkurt totali i parasë së depozituar është 1.22 triliardë lekë nga 1.23 që ishte një muaj më parë.
Kjo rëne është e treta brenda 2 viteve të fundit, ku e para ishte në prill 2020 me nisjen e pandemisë dhe tjetra në nëntor 2021 kur nisën sinjalet e parakrizës në vend dhe botë.
Një analizë e mëhershme të Gazetasi.al, tregoi se konsumatorët, ndryshonin sjellje mbi depozitat sipas llojit të krizës që parashikohej. Në atë të 2008-s, depozitat u tërhoqën dhe në atë të 2020-s ato u rritën.
Në 2008-n, kur kriza nisi me rënien e gjigandëve të përbotshëm financiarë (Lehman Brother..etj) edhe në Shqipëri qytetarët tërhoqën depozitat, për t’i mbajtur ato në shtëpi ose për t’i shpenzuar për produkte jo bazike, duke rritur konsumin. Kjo ishte një periudhë e shkurtër e cila zgjati deri në mbyllje të vitit 2009.
LEXO EDHE:
– Kriza financiare e 2008-s na mësoi edhe diçka për krizën pandemike të 2020-s
Përgjithësisht reagimi ndaj pandemisë duke rritur kursimet ishte i pritshëm. Jo vetëm se njerëzit nuk kishin ku të shpenzonin, por edhe sepse ata mbanin në vesh një mësim nga 2008: të mos tërhiqen depozitat dhe të mos shpenzohet pa kontroll.
FMN analizon se një fenomen i tillë lidhet me pasigurinë e familjeve në kohë krizash, në pritje të rritjes së çmimeve apo vështirësive në tërësi. Por kjo lidhet edhe me reduktimin e konsumit që erdhi nga kufizimi i lëvizjes dhe bllokimit të aktiviteteve sociale. Kursimet ishin të detyrueshme, të vendosura për një lloj aktiviteti që nuk mund të zëvendësohen. (Nuk mund të bëhen të gjitha fluturimet e planifikuara për 2020-n në një moment të dytë apo të blihen të gjitha veshjet që mund të ishin blerë.)
Gjithsesi, zhvillimet ekonomike të fillimvitit 2022 nuk ngjasojnë me ato të 2008-s dhe 2020-s. Momentalisht, konsumatorët po përballen me çmime të rritura disafish për një periudhë të shkurtër dhe me ofertë të reduktuar të produkteve, por me të njëjtat paga, duke thelluar raportin e zhdrejtë shpenzim-fitim. Kështu ata janë të orientuar drejt përdorimit të parave të kursyera ose thjesht “ngrirjes” së tyre.
Depozitat në lekë, gjatë shkurtit kanë zbritur në 547 miliardë lekë, nga 552 miliardë lekë që ishin gjatë janarit, në një rënie vjetore prej rreth 0.95%. Kjo rënie është më e larta që prej muajit gusht të vitit 2019, kur tkurrja e depozitave në lekë në paranë e gjerë fiksohej pranë 1.3%.
Ndërkohë, depozitat në valutë, regjistrohen gjithashtu në rënie. Ato kanë zbritur në 681.9 mld lekë gjatë shkurtit, nga rreth 682.1 mld lekë që ishin gjatë muajit janar të këtij viti. Rënia mujore në terma nominalë e depozitave në euro në paranë e gjerë fiksohet pranë 0.02%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.