Ana e errët

‘Denoncova në e-Albania dhe ajo më hetoi mua’. Avokatja akuzon prokurorin për stil KÇK

Një grua në Tiranë kërkoi aktivizimin e policisë për të kontrolluar hetimet e një prokurori, i cili e dorëzoi atë si të akuzuar për kallëzim të rremë.

33-vjeçarja me inicialet F.M., sipas burimeve të Gazetasi.al, është me profesion avokate dhe inati i saj ndaj prokurorit ( identitetin e të cilit Gazetasi.al, nuk po e publikon, ka shpërthyer ditën kur ai e vendosi nën hetim teksa ajo kishte kërkuar hetime për një grua që i hapi dhe i përdori llogarinë në ‘e-Albania’.

Edhe ajo nga ana e saj, kërkon që prokurori të kontrollohet dhe si provë ka sjellë ankesën ndaj qytetares F.C., të cilën e akuzon për dëshmi të rreme.

“Jam me profesion avokate, - e nis deklaratën gruaja, -  dhe jam akuzuar nga prokurori për kallëzim të rremë. Çështja po shqyrtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë”.  Gruaja insiston se akuza është fiktive dhe sipas saj, mënyra si u ndërtua dosja është krim.

“Prokurori është stil KÇK (kap ç’të kapësh) dhe e vërteta do dalë, sepse për fat kam kallëzuar për krim me natyrë kompjuterike që është i verifikueshëm 100%.

Pas kallëzimit për krim kompjuterik, mu ngrit akuza për kallëzim të rremë”, - vijon kjo shtetase. Bëhet me dije se çështja u hap pas çeljes së një llogarie në ‘e-Albania’

Në dosjen e policisë, shkruhet, “u thirr si dëshmitare në proces shtetasja e F.C., e cila rezulton nga përgjigjja e AKSH-së si personi që ka hapur dhe përdorur llogarinë në ‘e-Albania’. Ky dëshmitar bëhet me dije se në një nga seancat, ka dëshmuar se ka çelur këtë llogari si oficer kredie  dhe ka shkarkuar një certifikatë familjare, ndërsa ka vijuar, duke treguar se nuk kishte një autorizim për ta bërë këtë gjë dhe se e ka bërë vetëm njëherë në prani të avokates.

Por përgjigjet e mëpasshme, që siç kuptohet janë për llogari të gruas, e cila ishte nën akuzë, kanë vërtetuar se shtetasja F.C., e kishte hapur nga celulari i saj ‘e-Albania’ edhe herë tjetër, pavarësisht se ajo insiston se e ka përdorur vetëm njëherë.

Gruaja që u hetua nga prokurori për kallëzim të rremë, ka zbuluar se oficerja e kredisë i kishte shkarkuar asaj në tre raste certifikatën familjare.

“Pra, dëshmitarja ka gënjyer, ndonëse ishte nën betim. Për fat të mirë kemi të bëjmë me portalin qeveritar dhe aty kemi datën, orën dhe sekondën kur është aplikuar dhe kur është shkarkuar. Është AKSH që mund ta vërtetojë me saktësi dhe lehtësi këtë çështje, por edhe ekspertë të fushës së krimeve kibernetike”, sugjeron gruaja.

Duke vënë pikëpyetje mbi hetimin e prokurorit që duhet ta kishte zbardhur keqpërdorimin e llogarisë së saj, por që më pas e dorëzoi si të akuzuar për kallëzim të rremë, ajo rendit jo vetëm veprimet që kreu, por edhe përse e hapi llogarinë.

“Duke dashur të çel llogarinë personale në kushtet e pandemisë në datën 25 maj 2020, mora vesh që ajo tanimë ishte e hapur. Ju drejtova Policisë së Shtetit dhe rezultoi që e kishte hapur dhe përdorur një punonjëse e fondit B., PA AUTORIZIM NGA UNË. Për çudi, jo vetëm nuk e morën në përgjegjësi, por më hetuan mua për kallëzim të rremë ankohet avokatja, e cila sipas burimeve të Gazetasi.al, kësaj radhe kërkon të kontrollohet nga policia, a është i paaftë prokurori apo është një stil prokurori KÇK”, - citohet nga burimet e Gazetasi.al, të  ketë thënë e reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë