Ngjarje

Denoncoi vjedhjen e makinës, por kishte harruar ku e kishte parkuar…

A ju ka ndodhur ndonjëherë të mos ju kujtohet se ku e keni parkuar makinën? Me siguri mbas ndonjë nate me alkool. Me siguri jeni alarmuar dhe keni kërkuar gjithandej. Por dikush ka shkuar përtej këtij shqetësimi. Pasi ka kërkuar ngado, është bindur se makinën ia kishin vjedhur dhe ndaj ka shpejtuar drejt e në polici.
Denoncuesi quhet Flamur Pjetërnikaj me arsim të lartë. 30 vjeçari ka shkuar në këmbë pranë komisariatit numër tre në Tiranë. Ka pritur një oficer të policisë gjyqësore dhe sapo ka dhënë identitetin ka vazhduar: “Mendoj se në orën 1 të natës dikush ka vjedhur makinën time tip Toyota Yaris. Automjeti ka targat AA … FH” . I riu ka treguar çelësat e makinës dhe ka këmbëngulur në zbulimin e hajdutit që po bënte kërdinë në lagje. Pasi ka marrë denoncimin dhe deklaratën shpjeguese, kur oficeri i krimeve po bëhej gati ta referonte çështjen për akuzën e vjedhjes, ka trokitur sërish dera. Ishte sërish makinë-humburi. Siç shpjegon burimi i Gazeta Si, pranë komisariatit numër 3, denoncuesi është kthyer një orë e gjysmë pasi i kërkonte policisë t'i gjenin makinën dhe të arrestonin hajdutin. Flamur Pjetërnikaj herën e dytë të vizitës në polici ishte i lumtur dhe madje hoqi dorë nga denoncimi përmes një deklarate të dytë. 30 vjeçari tha “Më falni, por kisha harruar ku e kisha parkuar Toyota Yaris. Kam një lajm të mirë, e gjeta makinën të parkuar në gjendje të mirë dhe pa asnjë dëmtim”. Të paktën kjo është një nga ato historitë me policë e denoncues, ku secili e tregon duke buzëqeshur se çfarë pune ka bërë apo çfarë halli ka pasur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë