Ngjarje

Denoncimi “live” i një gruaje të fasonerisë: Aty ku punoja, haja, s’kishim as sapun, s’na pyeste njeri

Një intervistë e gazetares së Top Channel Anila Hoxha për emisionin “Open” nxorri në pah një anë të errët, atë të panjohurën për publikun e gjerë, por fort reale për fenomenin, që po ndodh sot në Kruje dhe jo vetëm aty, lidhur me situatën nëpër fasoneritë.

Të mërkurën në Krujë janë raportuar 18 të infektuar me Covid-19. Një ditë para (të martën) ishin 17. Janë kryesisht punonjës të fasonerive në Krujë që kanë prekur edhe familjarët e tyre. Në Krujë operojnë 21 fasoneri dhe 6 prej tyre janë mbyllur.  Situata duket delikate, kur dëgjon me zë  e sheh me figurë, por pa emër (nga frika së mos pushohet nga puna) se cfarë ndodh pas dyerve të fasonerisë, jashtë vëmendjes së publikut, dhe aq më keq akoma jashtë kontrollit të ISHP.  

Në Top Channel, një zonjë denoncoi “live” për gazetaren e departamentit të informacionit, Anila Hoxha.

“Dua të qëndroj e paidentifikuar nga frika e heqjes nga puna. Ne jemi punëtor halli. Sot bëra tamponin sepse kam frikë. Vjehrrën e kam me 40 temperaturë, ndërsa fëmijën e kam pasur dy ditë me 38,” - tha ajo. Kur e morët vesh për situatën e pandemisë në fasonerinë tuaj?

“Para një jave, na mori shoferi në telefon dhe na tha se nuk do shkojmë në punë se nuk ka ardhur kamioni… Pastaj me shoqet duke komunikuar morëm vesh që kanë rezultuar pozitve me Covid-19”

A kishte masa?- e pyeti Anila Hoxha.

“Jo, nuk kishte masa. Aty ku punoja, aty haja. S’kemi pasur as sapun te banjot. Një maskë na kanë dhënë përgjithmonë. Kur vinte kontrolli na shpërndanin, kur largohej kontrolli u mblidhnim bashkë dhe nuk ruhej distanca… Këto shefat e mëdhenj nuk na kanë marrë në telefon asnjëherë, për asgjë”. Pse nuk e keni denoncuar? “… Ne jemi të vegjël dhe i vogli shtypet kollaj”.

Me poshtë pjesë nga intervista

Pse shkoni në punë?

Shkoja në punë se s’kisha cfarë të bëja

Kur ishte rasti i parë me Covid-19 tek puna juaj?

Me thënë të drejtën se di se kur ishte rasti i parë por ka pas gra rregullisht me temperaturë. Të hënë dhe të martën e kaluar

Pse ndaluat punën?

Na thanë shoferët se nuk ka ardhur kamioni. Pastaj morëm vesh se ishte pandemia

A kishte rregulla higjenike kundër Covid-19?

Atje ku punonim aty hanim me bidonin e ngjitësit aty. Doreza na kanë dhënë një ditë dhe një maskë që kur doli pandemia. Kur vinte kontrolli zbatohej distance na shpërndanin. Kohët e fundit ka pasur më pak punëtor, por ne ndaluam nga puna dhe na thanë që po nuk erdhët me 1 prill në punë do hiqet siguracioni. Vetëm tre ditët e para, pastaj u kthyem ishte hap puna

Pse u rikthyet në punë?

Në të kundërt humbisnim punën. Ne ndaluam ca ditë tre –katër ditë por më njoftuan se ose do vijsh në punë ose do të largohesh nga puna. Para një jave kanë qenë gratë sëmurë. Ne si fabrikë jemi mbi 300 veta.

A dyshoni se jeni prekur?

Dyshoj. Sot i bëra analizat e kam vjehrrën me 40, gocën po ashtu me temperaturë. Vetë jam me kollë. Para një jave kam dashur ta bëj tamponin

A do ktheheni më në punë?

E kena me dyshime nëse duhet të shkoj më aty. Pa nja dy muaj. Kam kollë e dhimbje koke, dhimbje fyti. Vjehrrën e kam shumë keq me kollë me temperaturë

Mos të kesh një sapun tek banjo. Kohët e fundit kanë sjellë. Oraret kemi punuar me orare por morën një licencë dhe filluam prapë. Jam në ankth as gjumi s’do të më zërë. Nuk ka mundësi të mos jem prekur

Vjehrrën e kam shumë keq u bë 5 ditë që nuk është ngrit fare. E ka bërë sot edhe ajo tamponin.

Pse nuk keni denoncuar?

Apeli ynë është gabimi jonë që s’bëjmë denoncimin se jemi hallexhinj. Ne jemi të vegjël të vegjlit i shtypin kollaj. Më pas do të shohim. Përgjigjen se di kur do ta marrim do të njoftojë mjeku i familjes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë