Ana e errët

Denoncime që u nxjerrin djersën policëve e prokurorëve

Një 60-vjeçare ka vënë në lëvizje policinë me një kërkesë që do punë por edhe ekspertizë fermerësh. Fatmira Dushku është paraqitur në policinë e Kombinatit në Tiranë dhe nuk ka denoncuar as për vjedhje, as për sherr me fqinjët dhe as për ndonjë krim që lidhet me pronën siç ka menduar oficeri i informacionit. Gruaja është ulur në stolat e komisariatit dhe ka kërkuar një agjent krimesh.

Kërkesa e zonjës Dushku ka qenë përtej çdo pritshmërie. “Më kane korrur barin në tokën time që e kam në Sharrë dhe dua ta gjeni kush e ka bërë këtë krim”, mësohet të ketë thënë e moshuara. Fatmira pretendon se këtë gjë e kanë bërë disa persona të paidentifikuar ende, ndaj edhe policisë nuk i ka ngelur rrugë tjetër veçse t’i bindet gruas. Agjentët e krimeve kanë shkuar në pronën e saj, kanë këqyrur vendin, ku ka parë se bari ishte asgjësuar dhe më pas ia kanë referuar materialet Prokurorisë. Kjo e fundit pritet të vlerësojë se sa është dëmi i shkaktuar dhe të gjejë keqbërësin i cili siç duket e ka bërë "krimin" për të pasur zaire për lopët e tij.

Megjithatë nuk ështe hera e parë që kjo polici haset me denoncime të tilla. Një 70-vjeçar nga fshati Marqinet i Vorës gjithashtu po i nxjerr djersë të ftohta prokurorëve pikërisht me denoncimin e tij, i cili ende nuk ka marrë zgjidhje pasi akuza dhe policia nuk dinë si ta vërtetojnë apo ta investigojnë. Jakup Picari thotë se i kanë prerë në fund të muajit dhjetor dy rrënjë ullinj që sipas tij ishin mbi njëshekullorë. Ai këmbëngul se e njeh keqbërësin dhe se madje ai, pasi ja ka prerë ullinjtë, ia ka dhënë këtë një personi tjetër. “Unë i vilja ullinjtë”, thotë i moshuari “dhe më është shkaktuar dëm, ndaj gjeni autorin”. Por pasi kanë këqyryr vendngjarjen dhe kanë pyetur edhe palën tjetër, hetuesit nuk kanë gjetur gjurmë të pemës së ullirit.

Kallzimi tjetër është akoma edhe më i lodhshëm për autoritetet. Mendoni një komshie që kërkon arrestimin për ju për shkak të kafshëve tuaja. Epo ja që ndodh! Shtetasja Fidane Duka 43 vjeçe jeton në Paskuqan. Ajo shkoi në polici për shkak të erës së plehut të kafshëve që mban fqinji i saj. “Nuk duroj më dot”, u tha gruaja policëve. “Komshiu Imer Loka ka një stallë bagëtish që është kthyer në burim infeksionesh për mua dhe familjen time. Bëni diçka, hetoni, sepse përveç nesh ai po ndot edhe mjedisin”, u tha gruaja policëve. Të ndodhur para këmbënguljes së kallzueses, e cila i akuzoi edhe se nuk po bëjnë detyrën, ata jo vetëm këqyrën stallën, por edhe pyetën të moshuarin. Loka e priti me qetësi kalëlzimin dhe deklaroi se stallën e ka ndërtuar me leje, madje plotësonte edhe kriteret e Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mjedisit.

Kush ka të drejtë në këtë rast? Edhe këtë do ta shpjegojë më tej procesi hetimor. Ndaj, na ndiqni që të merrni vesh fundin...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë