Drejtësia

Dënohet me dy vite burg ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i konfiskohet edhe pasuria

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u dënua me dy vite burg, duke u bërë kështu funksionari më lartë publik që rrezikon të burgoset në Shqipëri.

I akuzuar për fshehje të pasurisë në tre raste, ai është i detyruar të mos ushtrojë asnjë funksion publik apo politik për 5 vite. Hetimi ndaj tij nisi në mars të vitit 2018 dhe përfundoi pas 3 vitesh.

Veç dënimit me burg, GJKKO vendosi edhe konfiskimin e pasurisë së tij. Llallës i janë sekuestruar 4 sipërfaqe toke dhe një shtëpi në Durrës për llogari të shtetit.

Adriatik Llalla do të ketë 15 ditë kohë pas publikimit të vendimit për ta ankimuar çështjen në Apel dhe vetëm pas kësaj vendimi bëhet i zbatueshëm.

Ish-kryeprokurori pak javë më parë hoqi dorë nga gjykimi i shkurtuar që mund t'i kishte ulur 1/3 e dënimit.

Llalla akuzohet për disa vepra penale, që përfshijnë “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehje ose deklarim i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Ai është hetuar edhe më herët për pastrim parash, por në fund u dërgua për gjykim vetëm për fshehje të pasurisë. Ish-kryeprokurori ishte i pranishëm në seancë së bashku me avokatin e tij për njohjen e vendimit.

Në seancë nuk munguan as përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipërisë. Dy vjet më parë, Llalla u shpall "non grata" nga Departamenti i Shtetit, për shkak të dyshimeve pë korrupsion.

Gjatë seancës, avokati i tij, tha se në vitin 2016 Adriatik Llalla mori para borxh për të çuar familjen në Gjermani për shkak të kërcënimeve për shkak të detyrës.

Sipas avokatit, Llalla në asnjë moment nuk ka fshehur pasuri që kur ka qenë subjekt deklarimi, ndërkohë që për shumën rreth 7 mijë dollarë, e përdorur për lindjen e djalit në SHBA, pagesat janë bërë nga një mik shqiptaro-amerikan, i cili dëshmoi para gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë