Politike

Olsian Çela, Adriatik Llalla dhe premtimet publike për arrestime

Deklaratat e bëra nga Durrësi të kryeprokurorit të ri të vendit, Olsian Çela janë një “deja vu” e deklaratave të bëra nga paraardhësi i tij, Adriatik Llalla. Çela sinjalizoi se do të hetohen pasojat e tërmetit dhe paralajmëroi se do të ketë arrestime.

Arrestime premtoi vit pas viti në të gjithë mandatin e tij pesëvjeçar Adriatik Llalla. E nisi me premtimin për arrestimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar, madje tha në 2015 se ishte nën hetim një ministër i qeverisë së parë të Kryeministrit Edi Rama. Por, askush s’e mori vesh se kush ishte ai ministër dhe për më tepër se çfarë u bë me atë hetim.

Pak muaj kësaj deklarate të bujshme, Llalla kishte paralajmëruar nga Durrësi, Vlora, Shkodra e Elbasani arrestime të bujshme të elementëve kriminalë. Në fjalimet e tij fliste për grupe të rrezikshme që vepronin në fushën e trafikut të drogërave të forta në këto qytete. Por, asnjëherë përgjatë të gjithë mandatit të tij nuk u mor vesh se çfarë u bë me këto banda.

Pavarësisht kësaj, Llalla vijoi më tej duke paralajmëruar sërish furtunë arrestimesh për serinë e sulmeve me tritol që përfshinë vendin në shkurt të 2015. Sulmet kulmuan me sasinë e tritolit të vendosur në farmacinë e babait të Saimir Tahirit, në atë kohë Ministër i Brendshëm. Edhe në këtë rast, Adriatik Llalla premtoi furtunë arrestimesh.

“Prokuroria shqiptare për të gjitha ngjarjet ka filluar dhe po vijon hetimet në bashkëpunim me të gjitha strukturat shtetërore që ka në varësi, Policinë e Shtetit, SHISH dhe besoj se shumë shpejt do të kemi të dhëna konkrete për ngjarjet të cilat kanë shqetësuar dhe kanë tronditur vendin”, deklaroi ai pas një takimi në prokurorinë e Shkodrës.

Në të gjitha rastet, furtuna e paralajmëruar nga Adriatik Llalla ishte në një gotë uji dhe asgjë më shumë. Operacionet e bujshme të paralajmëruara prej tij mbylleshin për mungesë provash dhe në rastin më të mirë me arrestime të personave që më pas gjykatat i lironin po për mungesë provash.

Megjithatë, Adriatik Llalla këmbëngulte se organi i akuzës nën drejtimin e tij do të “përcaktonte edhe rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Kështu me premtime e mbylli mandatin dhe karrierën e tij ish-kryeprokurori, që u dorëhoq para se të futej në vetting. Dy gjërat për të cilat ai do të mbahet mend është përplasja me ambasadorin amerikan, Donald Lu, të cilin e akuzoi se i kishte hyrë në zyrë dhe shantazhuar që të mbyllte hetimet për kompaninë Bankers Petroleum dhe shpallja “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit si i përfshirë në afera korruptive domethënëse.

Po Olsian Çela? Në media, kryeprokurori i ri njihet si një person “mik” me median, që gjatë ushtrimit të detyrës si Prokuror i Krimeve të Rënda e ka zbatuar deri në kufijtë e “sekretit hetimor” transparencën për publikun. Marrëdhënien e mirë me median e ruajti edhe në daljen e parë jashtë Tiranës. Nga Durrësi, kryeprokurori nënkuptoi se nga hetimet e deritanishme ka persona që kanë shkelur ligjet e vendit dhe priten arrestime.

“Nga hetimi po dalin probleme të caktuara me legjislacionin në fuqi dhe mund të dalin edhe ndryshimet në ligj. Ka njerëz që kanë shkelur ligjin dhe përgjegjësia do të shkojë atje ku është”, tha ai.

Fjalët e përzgjedhura nga Olsian Çela ndryshojnë nga ato që përzgjidhte Adriatik Llalla, që ishtë më i drejtpërdrejtë kur fliste për arrestime të bujshme. Si Llalla, ashtu edhe Çela e dinë shumë mirë që mënyra më e përsorur për të komunikuar me median dhe publikun janë veprat. I pari foli vetëm me fjalë dhe thuajse zero vepra, ndërsa mbetet për t’u parë se deri në çfarë fazë do të shkojnë fjalët e të dytit.

“Ngjashmëria” mes tyre sa u takon deklaratave të para nuk është e vetmja. E përbashkëta tjetër është edhe mbështetja politike. Kur u zgjodh në 2012, Adriatik Llalla mori mbështetjen e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe abstenimin e Partisë Socialiste, që as me deklarata nuk e sulmoi prokurorin e ri.

E njëjta gjë ndodhi edhe me Olsian Çelën. Zgjedhja nga PS dhe një pjesë e asaj që quhet opozitë parlamentare, megjithëse e kushtëzuar edhe nga renditja e kandidatëve të bërë nga KLP, nuk prodhoi asnjë deklaratë “armiqësore” nga ana e opozitës, as nga Partia Demokratike dhe as nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ngjashmëritë mes Llallës dhe Çelës, veç mandatit të përkohshëm 2-vjeçar të Arta Markut, i ndan edhe karriera. Adriatik Llalla mbërrinte në krye të organit të akuzës si ish-drejtues i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, që statusin e prokurorit e kishte marrë pas plotësimit të viteve të punës si oficer i policisë gjyqësore, pra jo për shkak të shkollimit në Shkollën e Magjistraturës.

Olsian Çela ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe përveç kësaj ka një karrierë të spikatur në organin e akuzës, ku nëpër duar ka kaluar edhe një sërë dosjesh të nxehta. Dallimi tjetër është që Çela e merr detyrën me kompetenca të reduktuara në kuadër të reformës në drejtësi dhe në mes të një tensioni të ashpër politik, pjesë e të cilit janë edhe dy dosjet e bujshme “339” dhe “184”.

Adriatik Llalla duket se e kishte kuptuar se çfarë dëshironin të dëgjonin qytetarët nga goja e një kryeprokurori dhe më shumë sesa veprat, ai u dha fjalë për pesë vite me radhë. Olsian Çela e nisi detyrën nga Durrësi i shkërmoqur nga tërmeti, duke paralajmëruar hetime e arrestime për shkelësit e ligjit për ndërtimet, një paralajmërim i mirëpritur nga qytetarët, me dallimin që ai është ende në kohë që të mos zhgënjejë këtë pritshmëri dhe jo vetëm për tërmetin.

Më Shumë