Drejtësia

Dënohet me 3 vite burg për korrupsion ish-gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha

Një vit pas arrestimit, ish-gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha është dënuar me 3 vite burg për korrupsion, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar do të vuajë përfundimisht dy vite.

GJKKO ka vendosur 2 vite burg edhe për sekretaren e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi, ndërkohë avokati Aldo Tabaku, që kishte rolin e sekserit në skemën për lirimin e kriminelëve, është dënuar me 4 vite burg dhe falë gjykimit të shkurtuar do të kryejë 2.8 vite.

Ish-gjyqtarja Hoxha ka kërkuar pafajësi në gjykatë, pasi pretendoi se arrestimi i saj ishte një sulm politik.

Gjatë seancave gjyqësore, prokuroria përdori një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale, që përfshijnë të hetuarit edhe pse vetë të akuzuarit kanë mbajtur një qëndrim mohues.

Ajo duhet të vuajë rreth një vit burg, duke parë që është arrestuar një vit më parë në 11 shkurt 2022. Enkelejda Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg nga Gjykata e Apelit.

Enkeleida Hoxha, e njohur për lirimin para kohe me kusht të shumë emrave të njohur të botës së krimit, u arrestua në sallën e gjyqit në momentin që do të merrte një tjetër vendim për lirimin nga qelia të një të dënuari me 25 vite burg.

Ajo do të lironte Sajmir Petanin, i ekstraduar nga Italia për vrasjen e Romeo Beqirit disa vite më parë. Për këtë të dënuar gjyqtarja kishte marrë vendime për ulje dënimi edhe më parë.

Emri i ish-gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, si dhe ai edhe Hekuran Billa, i vrarë në një atentat në Tiranë.

Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një vrasje të ndodhur në Angli, por 10 vite para përfundimit të dënimit, Hoxha i fali 5 vite Billës, ndërkohë që 5 vitet e fundit i konvertoi në shërbim prove, duke e nxjerrë atë menjëherë nga qelia

Sipas ILD kanë qenë disa vendime të marra nga Hoxha në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019 të cilët sipas hetimeve kanë rezultuar me shkelje.

E shkarkuar nga detyra, Hoxha ka kërkuar disa herë një masë më të butë sigurie për të shmangur qëndrimin në qeli, por gjykata ka refuzuar kërkesat e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë