Politike

Dënimi i Kajmakut, si precedent në zbatimin e Dekriminalizimit

Bledar Hoti - Pas një orë mbledhje, pesë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vendosën që t’i ndërpresin mandatit kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakut. Vendimit i parapriu një debat që lidhej me kërkesën e Prokurorisë e cili në fakt e fajësonte Kajmakun jo për shkak të ligjit të Dekriminalizimit, por për shkak të një vendimi që ka nxjerrë Kuvendi sipas të cilit i zgjedhuri mban përgjegjësi edhe nëse nuk deklarohet se ndaj tij ka një proces gjyqësor. Mbledhja ishte e mbyllur por vendimi u tha se ishte unanim. Kryekomisioneri Klement Zguri u shpreh se “ky vendim duhet t’i komunikohet kryeministrit dhe më pas të botohet në Fletoren Zyrtare”.

Foto nga mbledhja e sotme e KQZ-së ku u shqyrtua çështja Kajmaku. Gazeta Si, 1 nëntor 2019


Por edhe pse vendimi ishte unanim, anëtarët e majtë në KQZ u shprehën të pakënaqur me mënyrën e paraqitjes së fakteve nga Prokuroria e Përgjithshme duke vlerësuar se vendimi i Kuvendit ka tejkaluar ligjin e Dekriminalizimit. Pas mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi ligjor i Kajmakut, avokati Isuf Shehu tha se do ta ankimojë vendimin e marrë nga trupa e KQZ-së. Pas Shkodrës me largimin e Valdrin Pjetrit, edhe Vora rrezikon të mbetet pa kryebashkiak.
Kryebashkiaku i ri i Vorës, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, u penalizma se nuk kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit që ka qenë në hetim apo i ndaluar ndonjëherë.
Vendimi i KQZ-së për ndërprerjen e mandatit të Kajmakut ka ngritur një sërë pikëpyetjesh. Raporti i Prokurorisë u kontestua nga KQZ sepse në të nuk ekzistonte letërporosia nga Prokuroria e Greqisë, ndërkohë që shkarkimi kërkohej jo se Kajmaku ishte i inkriminuar. “Subjekti Agim Kajmaku përfshihet në përcaktimet e pikës 3 germa ‘ç’, kreu III i vendimit të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në raport. Në këtë pikë kërkohet që subjekti duhet të deklarojë në formular rastet e ndalimit, arrestimit apo dënimit të personit, me vendim të formës së prerë ose jo, brenda dhe jashtë Shqipërisë.


Pretendimet e avokatit dhe “shfajësimi" i anëtarëve të majtë në KQZ

Vetë Kajmaku nuk ishte prezent në këtë mbledhje dhe se u përfaqësua nga avokati i tij Isuf Shehu. Mungesa e korrespondencës së Prokurorisë së Përgjithshme me Greqinë për këtë çështje ishte edhe një nga argumentet e forta sipas avokatit dhe fakti se Kajmaku ka një vendim të formës së prerë së gjykatës së Janinës me 12 shtator të 2019 i formës së prerë që e zhveshin nga akuzat për falsifikim të kartëmonedhave. “Verifikimet janë të paplota nga ana e prokurorisë. Detyrat e prokurorisë janë të parashikuara qartë, te cilën ata nuk e kanë zbatuar. Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë vendim të formës së prerë ndaj subjektit Agim Kajmaku. Letërporositë nga institucionet greke nuk kanë ardhur në organin e akuzës në Shqipëri. Kështu lind pyetja a është nisur kërkesa për këtë letër-porosi?! Pa pasur këto përgjigje nuk kemi një procedurë verifikimi të përfunduar. Procedimi ndaj Kajmaku në Greqi është bërë plotësisht në mungesë të tij dhe në mungesë të dijenisë së tij. Ju të nderuar s’mund të merrni vendime mbi opinione qofshin këto edhe nga prokuroria”.

Avokati i Kajmakut, Isuf Shehi duke duke paraqitur argumentet kundër shkarkimit të kryebashiakut të Vorës. Gazeta Si, 1 nëntor 2019

Pikërisht qëndrimet e avokatit Shehu, duke i cilësuar të çalta veprimet e Prokurorisë sollën e dhe reagimin e anëtarëve të KQZ-së. Rezarta Bitri u shpreh se institucioni i saj ka një rol gati gjyqësor (quasi gjyqësor) dhe se për këtë nuk ka e gëzon të drejtën që të vëre në diskutim vendimet e Prokurorisë apo të Parlamentit. “Procesi na ka vënë përpara kësaj situate, sigurisht zoti Kajmaku në zbatim të të ligjit nuk rezulton, nuk ka ndalim në bazë të nenit 2 të tij, por kemi edhe një vendim të Kuvendit që është zbërthyer. Kompetenca të tjera antikushtetuese, paligjshmëri për tepër ndaj Prokurorisë do të ishte e tepërt”, theksoi Bitri.

Faksimile e vendimit të Kuvendit për caktimin e rregullave të plotësimit të formularit të "Dekrminalizimit"


Për veprimet e prokurorisë pati vlerësime kritike edhe anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi. Ndërsa më i drejtpërdrejtë është shfaqur nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, i cili ka “shfryrë” ndaj aktit të Parlamentit. “Në rastin konkret zotëria që është subjekt i hetimit, dhe nga materialet që ka ardhur nga prokuroria është dyshuar, është arrestuar dhe ka pasur arrestim për të për qarkullim të monedhave të falsifikuara. Ka një vendim gjykatë për të individi Kajmaku është i pafajshëm. Kajmaku është i denjë si individët e tjerë. Vendimi i Kuvendit që thotë se fshehja e të dhënave çon në shkarkimin e funksionarit. Ne nuk jemi Kuvendi i Shqipërisë, ne kemi detyrim ta zbatojmë këtë vendim. Paçka që ky vendim e ka tejkaluar ligjin”, u shpreh Biba. Por anëtarët e majtë në KQZ pavarësisht se sulmuan Kuvendin votuan pro ndërprerjes së mandatit të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Tashmë kryebashkiaku do të penalizohet te përcaktimi i vendimit të Kuvendit se “pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në të sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”.

Agim Kajmaku duke votuar më 30 qershor 2019. Gazeta Si, 1 nëntor 2019


Agim Kajmaku pas zgjedhjes së tij si kryebashkiak u denoncua nga ana e Partisë Demokratike duke e akuzuar se ishte dënuar me vendim gjykata nga shteti fqinj. Ai kishte qenë i ndaluar në Greqi, në Janar të vitit 2003 nën emrin Jorgo Toto, dhe PD më pas solli dhe një sërë dokumentesh në mbështetje të denoncimit të saj. Kryebashkiaku socialist i Vorës, në mënyrë të përsëritur mohoi akuzat e Partisë Demokratike, dhe kur kjo e fundit tregoi pasaportën që ai kishte mbajtur me emrin Jorgo Toto, duke këmbëngulur se nuk është arrestuar ndonjëherë në Greqi e duke folur për një “sulm politik” të Partisë Demokratike ndaj tij. Ndërsa më pas ai nxori një vendim të Gjykatës së Janinës i shtatorit të 2019 ku vërtetonte se kishte shpallur të pafajshëm Jorgo Toton (alias Agim Kajmaku) për akuzën e falsifikimit të parave. Vetë Kajmaku në një letër drejtuar Prokurorisë thekson se “sa i takon çështjes së mos pasqyrimit në formularin e vetëdeklarimit të fakteve lidhur me ndonjë masë sigurimi ose urdhër kërkimi ndaj presonit tim, sqaroj se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të mungesës së plotë në dijeninë time lidhur me fakte të tilla, sikundër del edhe nga përmbajtja e shkurtimit të vendimit duke qenë se i gjithë procesi i hetimor është zhvilluar në mungesën time”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë