Shendet

“Delta” troket në kufi/ Dyshimet e ISHP për hyrjen e variantit në Shqipëri rezultojnë negative (të paktën deri tani)

Pas më shumë se një viti e gjysëm nën petkun e Covid-19, e gjithë bota tani është e shqetësuar për variantet e reja të këtij virusi. Ndër ta, ai që po konsiderohet si më i rrezikshmi është edhe varianti Delta, i cili shkaktoi mijëra të vdekur në Indi, aktualisht është dominant në Britaninë e Madhe dhe sipas ekspertëve pritet të bëhet dominant edhe në SHBA.
A është prezent varianti Dellta në Shqipëri?
Sipas autoriteteve në vendin tonë nuk është konstatuar asnjë individ i preku nga varianti Delta. Sipas epidemiologut Dritan Ulqinaku në ISHP ka indikacione epidemiologjike që drejtohen për testime laboratorike. Ai shpjegoi për Gazetën “Si” se autoritetet kanë pasur dyshime por ato nuk kanë rezultuar deri tani në ekzaminimet laboratorike.
A i ka Shqipëria kapacitetet laboratorike për të identifikuar variantin e ri?
Gjatë diskutimit nëse varianti britanik ishte prezent në Shqipëri dy muaj më parë, autoritetet shëndetësore në Shqipëri konfirmuan për mediat se variantet kishin nevojë për një kapacitet më të lartë laboratorik. Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino deklaroi aso kohe se pavarësisht kapaciteteve, përmes testimit PCR, mund të kuptohet nëse kemi të bëjmë me diçka ndryshe.
“Po bëhen gati mostrat e tjera për t’u dërguar pranë Institutit të Virologjisë Charite në Berlin. Dhe natyrisht kjo është një punë që do të vazhdojë; krahas punës së laboratorit me PCR, do të vazhdojë edhe puna për dërgimin e vazhdueshëm të mostrave në lidhje me identifikimin e të gjitha varianteve të reja, jo vetëm variantit britanik, por të çdo lloj varianti të ri, në mënyrë që këto mutacione të kapen në kohë”, tha Bino aso kohe, ndërkaq informacioni se në Shqipëri qarkullonte varianti britanik u konfirmua pas një muaji.

Po në rajon si është situata për sa i përket variantit Delta?
Më datën 8 qershor Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut njoftoi se në vend ishte regjistruar personi i parë i infektuar me variantin indian të koronavirusit, i njohur ndryshe si varianti delta. Të dhënat treguan se personi në fjalë ishte kthyer nga Iraku dhe qëndroi në spital 10 ditë. Ndërsa rasti i dytë që u konstatua ishte koleg i pacientit të parë.
“Të dy kanë qenë me punë në Irak, me të njëjtin fluturim janë kthyer në vend, por tek pacienti i dytë, simptomat janë paraqitur më vonë,” tha Ministri i shëndetësisë në Maqedonin e Veriut, Venko Filipçe.
Varianti Delta po bëhet një problem i madh edhe në shtetin Grek. Pak ditë më parë, kryetarja e Komitetit Kombëtar të Vaksinimit Maria Theodoridou tha se ky variant mund të sjellë një valë t katërt të pandemisë në Greqi.
Sipas saj varianti Delta mund të përhapet më shpejtë nga qytetarët e pambrojtur nga Covid-19, kështu që sipas ekspertes ishte shumë e rëndësishme qytetarët të vaksinoheshin sa më parë. Ndërkaq ende nuk janë raportuar raste të këtij varianti në vendet tjera të rajonit si Mali i Zi, Kosovë dhe Sebi.

Sa i rrezikshëm është varianti Delta?
Varianti Delta është rreth 60% më i transmetueshëm se variantet e tjera dhe sipas të dhënave nga Shëndeti Publik në Britani, vaksinat janë me efikasitet më të ulët ndaj këtij varianti. I njohur ndryshe si B.1.617, ky variant shfaq dy ndryshime të rëndësishme gjenetike në proteinën e tij sipërfaqësore të quajtura E484Q dhe L452R, të njohura ndryshe si mutacione të varianteve britanike dhe afrikane. Kështu që varianti indian është një mutacion i dyfishtë dhe është disa herë më shumë transmetues se të tjerët. Sipas ekspertëve kudo në botë, vaksinat në përdorim në Mbretërinë e Bashkuar (Pfizer dhe AstraZeneca) janë akoma efektive, veçanërisht pas dy dozave, për këtë variant. Të dhënat tregojnë se ka një efikasitet prej 80% pas një doze kundër rrezikut të shtrimit në spital dhe vdekjes dhe më të lartë se 95% pas dy dozave.
Në një studim të publikuar në revistën “Lancet” të kryer te 250 persona të vaksinuar me Pfizer, 79% e atyre të vaksinuar me një dozë kishin një përgjigje të zvogëluar neutralizuese të antitrupave kundër virusit Delta, të reduktuar me 32%.
Grupi i analizuar në studim, kishte një moshë mesatare 40 vjeç, ishte i shëndetshëm dhe i vaksinuar kohët e fundit. Sipas studimit imuniteti mund të jetë edhe më i ulët tek njerëzit e moshuar ose të dobët. Efektiviteti i vaksinës kundër “Delta”-s, është më i madh pas dy dozave. Edhe një studim i kohëve të fundit në revistën “Nature”, konfirmon mbrojtjen e mirë pas dy dozave, edhe nëse Delta ka një kapacitet evazioni të krahasueshëm me variantin e Beta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë