Ministrja e Arsimit Besa Shahini, e ka quajtur vendimin e Presidentit Meta, për të mos shkarkuar rektorin e UT, Mynyr Koni, si të pakonceptueshëm dhe qartazi në dëm të interesit publik. Sipas ministres së Arsimit, Meta ka dalë në mbrojtje të shkelësve të ligjit.
“Jam e zhgënjyer me vendimin e Presidentit të Republikës për të refuzuar shkarkimin e rektorit Koni! Për mua është e pakonceptueshme që institucionet e larta shtetërore të marrin vendime të tilla, qartazi në dëm të interesit publik dhe haptazi në mbështetje të një shkelësi të ligjit! Në rastin konkret, vendimi i Presidentit i bën dëm 26,000 studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës, të cilët për herë të parë pas disa vitesh në një ngërç absurd që e ka kthyer universitetin në shembullin e mosfunksionimit ligjor e demokratik, përjetuan një moment normaliteti ligjor dhe demokratik”, – tha ajo në një deklaratë për mediat.
Ndërkohë, Presidenca ka reaguar menjëherë ndaj deklaratës së ministres Shahini. Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, në një deklaratë të shpërndarë për mediat thotë se “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në dekretin e tij për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni ka folur me argumenta ligjorë më gjatë se kurdoherë tjetër”.
Ministria e Arsimit, vijon Blushi, duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentet ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe.
“Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe askush nuk duhet të guxojë të prekë pavarësinë e tyre” përfundon reagimin e tij zëdhënësi i Presidentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.