Politike

‘Serbët në një shtet të vetëm’. Deklaratat e Dodik, Rama: I befasuar se përse nuk reagon BE

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së lëshuar nga presidenti i Republika Srpska në Bosnje-Hercegovine, Milorad Dodik, se besonte se serbët në këtë shekull duhet të formojnë një shtet të vetëm, pjesë e të cilit do të jetë edhe Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.

Shefi i qeverisë shqiptare ngre shqetësimin se pse nuk po reagon Brukseli ndaj qëndrimeve të tilla.

“Kanë kaluar tri ditë që nga deklaratat e rrezikshme dhe nxitëse kundër Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Duhet të rrëfej, jam i befasuar nga mungesa e reagimit të deritanishëm nga partnerët tanë të BE-së dhe sinqerisht shpresoj që kjo heshtje të thyhet sa më shpejt!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ndërkohë që deklarata e Dodik pati edhe reagimin e menjëhershëm të kryemnistrit të ri të Malit të Zi.

Çfarë tha Dodik?

Dodik, në një intervistë për Sputnik tha se “Serbia e Madhe” duhet të formohet përmes mjeteve demokratike, masave politike dhe jo përmes luftës.

“Ne po jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të krijohet një konfigurim i ri i botës, serbët nuk duhet të ngecen në befasi, por tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm. Nga Serbia, Republika Srpska, nëse është një vendim kaq demokratik, dhe Mali i Zi”, tha ai.

I pyetur nëse mendon se Serbia do të ketë sukses në mbrojtjen e Kosovës, ai tha se politika kombëtare dhe shtetërore serbe duhet të mbetet e përkushtuar ndaj kësaj çështjeje.

“Më duhet të them se Vuçiç e ktheu këtë çështje në skenën ndërkombëtare përmes procesit të negociatave, por edhe përmes procesit të tërheqjes së njohjeve të Kosovës dhe Metohisë nga një numër i konsiderueshëm vendesh. Mendoj se duhet të mbajmë një zgjidhje korrekte dhe të qëndrueshme afatgjatë dhe kjo nuk është në interesin e Britanisë dhe Amerikës”, tha Dodik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë