Lajme

Filologjiku dënon ndërhyrjen e policisë te studentët

Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë rikonfirmon mbështetjen ndaj protestës së studentëve. Në një dokument me 7 pika, të firmosur nga dekani i këtij Fakulteti, Sabri Laçi dënohet ndërhyrja e organeve të rendit në mjediset universitare, si dhe dhunimi i studentëve prej tyre. Ky reagim i dekanit Sabri Laçi ka ardhur pas njohjes me diskutimet e zhvilluara në të gjitha departamentet.
Ai shprehet më tej në deklaratën e publikuar se Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë propozon ngritjen e një strukture me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve për trajnimin dhe adresimin e problematikave që kalojnë institucionet e arsimit të lartë, si dhe rikonfirmimin e kërkesës për rishikimin thelbësor të Ligjit të Arsimit të Lartë.
Një ndër pikat është edhe kërkesa për ndalimin e fushatës denigruese dhe të përbaltjes masive të trupës akademike universitare nga aktorë politikë dhe qeveritarë, që sipas dekanatit synon intimidimin e fjalës së lirë.
Deklaratë
Pas njohjes me diskutimet e zhvilluara në të gjitha departamentet, Dekanati i FHF-se deklaron se pedagogët:
♦ rikonfirmojnë mbështetjen e protestës së studentëve dhe të kërkesave të tyre të ligjshme;
♦ dënojnë ndërhyrjen e organeve të rendit në mjediset universitare dhe dhunimin e studentëve prej tyre;
♦ janë kundër çdolloj ndërhyrje dhe presioni, qe synon deformimin e vullnetit të lirë të studentëve;
♦ kërkojnë ndalimin e fushatës denigruese dhe të përbaltjes masive të trupës akademike universitare nga aktorë politikë dhe qeveritare, që synon intimidimin e mendimit të lirë;
♦ propozojnë ngritjen e një strukture me pjesemarrjen e të gjithë aktorëve për trajtimin dhe adresimin e problematikave që po kalojnë IAL-të publike në RSH;
♦ rikonfirmojnë kërkesën për rishikimin thelbësor të Ligjit të Arsimit të Lartë në RSH;
♦ i sigurojnë studentët për gatishmërinë e tyre në angazhimin për realizimin e objektivave të vitit akademik në vijim.
Dekani
Prof. dr. Sabri LAÇI


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë