Ngjarje

Debati mbi luftën, Kuvendi do t’ia ndalojë me ligj ISKK-së studimin e historisë para Çlirimit

Dhjetë deputetë të Parlamentit shqiptar kanë depozituar projektligjin që do t’i ndalojë Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri të studiojë mbi periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare, duke i vendosur një kufi “penalizues” dhe duke e ndaluar atë që hulumtojë periudhën përpara 28 nëntorit 1944, që përkon me ditën e çlirimit të vendit.

Ndër firmëtarët është edhe deputeti socialist Spartak Braho, i cili ka pasur përplasje të mëdha me kreun e Institutit, Agron Tufën. Braho e akuzuar këtë institucion si një “fole” të Ballit Kombëtar.  Deputetët e tjerë janë Bashkim Fino, Alket Hyseni, Jurgis Çyrbja, Adnor Shameti, Edmond Leka, Damian Gjiknuri, por edhe nga dy deputetët e opozitës Ediola Braho dhe Aurora Mara.

Sipas relatorëve, projektligji propozohet për të saktësuar periudhën e regjimit komunist në Shqipëri në funksion të objektit të ligjit si dhe për të plotësuar kriteret e nevojshme për anëtarët e Bordit dhe punonjësit e Institutit te Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri.

Faksimile e projektligjit të depozituar në Parlament


Sipas draftit, nuk mund të jetë objekt i ligjit periudha e Luftës Nacionalçlirimtare, por pas datës 28 Nëntor 1994. “Objekti dhe qëllimi i ligjit është i lidhur me krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri pas çlirimit të vendit dhe jo me të gjithë periudhën që nga krijimi i forcës politike komuniste antifashiste. Dokumentet historike kanë treguar se Partia Komuniste Shqiptare e themeluar në 8 nëntor 1941 fitoi mbështetje popullore veçanërisht me programin politik dhe me platformën për krijimin e një fronti të gjerë lufte, ku do të merrnin pjese pa dallim të gjitha forcat politike dhe antifashiste të vendit. Partia Komuniste Shqiptare, në programin e saj të shpallur, nuk shtronte kryerjen e revolucionit socialist, diktaturën e proletariatit dhe as shtetëzimin e mjeteve të prodhimit apo luftën e klasave. Ajo shtronte çështjen e çlirimit të vendit, rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe ndërtimin e një rendi demokratik në Shqipëri. Me luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare u arritën objektivat themelore dhe konkretisht çlirimi i vendit dhe rivendosja e pavarësisë kombëtare”, thuhet në relacionin shpjegues.

Deputeti, Spartak Braho, i cili ka akuzuar ashpër veprimtarinë e Institutit dhe kryetarin Tufa

Për firmëtarët e kësaj nisme, “regjimi komunist nuk mund të lidhet me periudhën e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), luftë e cila u fitua me gjakun e mijëra dëshmorëve dhe siguroi pavarësinë e vendit”.

“Vetëm pas përfundimit të LANÇ;  Fronti Demokratik, ku ishin të përfshirë komunistët, mori në dorë qeverisjen e vendit duke vendosur disa detyra, ndërmjet të cilave: eliminimi i kundërshtarëve politikë, qeverisja e re, hartimi i Kushtetutës, reforma ekonomike, etj”, thuhet më tej në relacion.

Certifikata e Sigurisë për Punonjësit
Një tjetër pikë e nxehtë që shkaktoi jo pak përplasje ndërmjet Brahos dhe Tufës, kreut të Institutit, ka qenë fakti se punonjësit e pajtuar nga ky institucion që studion krimet kundër komunizmit, nuk kishin certifikata sigurie. Kjo për mazhorancën përbën problem. Dhjetë nismëtarët kanë hartuar edhe një amendament tjetër të këtij ligji, duke sanksionuar se punonjësit e Institutit duhet të jenë të pajisur me certifikata sigurie, por gjithashtu duke vendosur edhe kritere të tjera që në thelb synojnë edhe largimin e Agron Tufës nga kreu ikëtij institucioni.

Agron Tufa, duke folur gjatë një seance parlamentare, ku paraqiti raportin vjetor të Institutit të Studimeve Kundër Komunizmit

Pikërisht propozohet që neni 18, pika 1, ndryshohet si më poshtë: "Nëpunësit dhe punonjësit e Institutit e të arkivit duhet të jenë persona që gëzojnë besueshmëri. Për qëllimet e këtij ligji, i besueshëm është çdo person, i cili ka mbushur moshën madhore përpara datës 8 dhjetor 1990, është pajisur me Certifikatë të Sigurimit të Personelit nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe nuk ka qenë: a) anëtar ose kandidat i PKSH-së a PPSH-së; b) i shkolluar ose nuk ka bërë kualifikime në shkollat e larta politike të sigurimit ose mbrojtjes të Shqipërisë apo të vendeve të Traktatit të Varshavës; c) funksionar i sistemit komunist, pjesëtar i organeve të diktaturës komuniste apo bashkëpunëtor i Sigurimit te Shtetit; 9) anëtar ose bashkëpunëtor i shërbimeve inteligjente të vendeve të Traktatit të Varshavës”. Pikërisht Tufa ka studiuar për Letërsi në Moskë të Rusisë, shteti themelues i Traktatit të Varshavës, organizata kundër NATO-s ku dikur bënte pjesë edhe Shqipëria, e kjo dispozitë duket si një hakmarrje e socialistëve ndaj tij.

Deputetër firmëtarë të projektligjit

Debati në Parlament dhe gjyqi Tufa dhe Braho për shpifje
Ndaj Institutit të Studimeve të Krimeve kundër Komunizmit dy muaj më parë do të niste një debat i ashpër dhe shkak i kësaj është bërë libri “Krimet e komunistëve gjatë luftës”, që është botuar në vitin 2014, me autor Çelo Hoxhën. Në të jepej edhe lista e partizanëve të akuzuar se kanë bërë krime lufte. Autori publikon 265 emra në listën e “personave përgjegjës për krimet e Luftës”. Do të ishte raportimi i kreut të Institutit për Studimet e Krimeve kundër Komunizmit, Agron Tufës në komisionin parlamentar të Ligjeve që do të nxirrte në skenë debatin mbi luftën dhe librin. Pas kësaj, deputetë të mazhorancës e akuzuar këtë institucion se është kthyer në një celulë të Ballit Kombëtar.

Libri i studiuesit Çelo Hoxha i botuar nga Instituti i Studimeve

Edhe në Parlament, pati debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Braho në fjalimin e tij në seancën e 23 majit do të deklaronte se “në veprimtarinë e tij, Instituti ka shkelur lëndë ligjin, me të cilin organizohet ky institucion”. “Mbani larg duart nga vitet ‘41-‘45. Tufa po ju them se e keni kthyer Institutin në celulë të Ballit Kombëtar. Jo vetëm se jeni mbledhur me kokrra, por po luani me zjarrin duke shkelur ligjin dhe duke shfrytëzuar Luftën Aantifashti Nacional Çlirimtare, të cilën nuk e bëtë ju e soji juaj, as Miladin Popoviçi, siç shpreheni vetë. Luftën e bënë bijtë e këtij vendi, partizanët dhe partizane, edhe ata ballistë që pas 24 majit u rreshtuan në radhët e partizanëve. LANÇ nuk ishte luftë civile në tërësinë e saj, por luftë patriotike dhe çlirimtare. Zoti Tufa keni shkelur ligjin, jo vetëm se keni kaluar me tendencë periudhën për të cilën jeni ngarkuar sepse nuk përbën periudha ‘41-‘44 periudhën e komunizmit, por periudhën e LANÇ për çlirim kombëtar. Ju hileqarë keni qenë që në luftë, hileqarë jeni edhe tani në demokraci. Ju pyes, përse gërmoni në arkiva për të kërkuar dokumentacion të padeklasifikuar. Kush jua lejon? Ju sot nuk dispononi certifikatë sigurie. Që të punosh në një institucion dhe të shfrytëzosh materiale arkivore duhet të keni certifikatë sigurie. Mjetet ligjore që organizojnë punën e këtij institucioni duhet të ndreqen sa më parë”, do të deklaronte Braho.
Parlamenti do të miratonte një rezolutë të posaçme pas paraqitjes së raportit të ISKK-së. Ky dokument do të cilësohej nga vetë Tufa si një arritje e madhe, duke nënkuptuar një betejë të fituar me socialistët. “Gjithë beteja e enveristëve dhe kokëbunkerëve të diktaturës bëhej që të mos miratohej kurrsesi nga Parlamenti kjo Rezolutë për Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Por… Rezoluta na erdhi sot dhe, për besë, shumë e mirë”, do të shprehej Tufa në një status në rrjetet sociale.
Por mes Brahos dhe Tufës përplasja e akuzave dhe kundërakuzave nuk do të përfundonte me kaq, pasi kreu i Institutit ka paditur në gjykatë për shpifje deputetin e PS-së, por edhe emra të tjerë intelektualësh, politikanësh apo diplomatësh si Sabit Brokaj, Shaqir Vukaj, Fatos Tarifa apo dhe historianin Pëllumb Xhufin, të cilët kanë sulmuar në media kreun e ISKK-së. Në këtë përballje, në seancë parlamentare Tufa kërkoi një ndjesë publike, por që nuk u pranua nga personat që ai kishte paditur. “Mua si palë e dëmtuar më takonte të falja dhe, sinqerisht, isha i prirur ta bëj këtë, nëse secili nga pala shpifëse e ofenduese do të më kërkonte falje publike në të njëjtën gazetë ku kishte publikuar denigrimin tim. Meqenëse faljen ata nuk e kanë pasur kurrë në gjak, unë ia lashë në dorë ligjit e drejtësisë ta gjejnë se kush kujt i ka hyrë në hak”, do të shprehej Tufa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë