Politike

Debati i shkarkimit të Metës, Hajdari: Tërhiqeni nismën, jemi nën presion! Ruçi: E vendos PS

Përcaktimi i debatit parlamentar për procedurën për shkarkimin të presidentit Ilir Meta ka shkaktuar debat në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare e zhvilluar më 3 korrik. Kryetarja e grupit demokrati Rudina Hajdari ka bërë ditur se është në presion dhe se i kërkon mazhorancës që të reflektojë dhe tërhiqet nga nisma, pasi në vend mungon edhe Gjykata Kushtetuese. Deputetja demokrate siç raporton Gazeta “Si”, ndërkaq ka bërë të qartë se në momentin kur u miratua Rezoluta e Parlamentit ku kundërshtonte dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve, janë ndjerë nën presion.

“Kam qenë vetë në atë seancë kur miratuam një rezolutë me presione të ndryshme, që nuk ishin të drejta ndaj opozitës duke inkurajuar deputetët e opozitës që të votonin për atë rezolutë për shkak se do të kishim një dekret tjetër të Presidentit që do të shpërndante Parlamentin. Ajo që më shqetëson është se ndodhem në mes të kësaj lufte politike. Unë jam e vetëdijshme që jam në mes të kësaj lufte politike për një shkak, por nuk dua që kjo luftë të vazhdojë”, shprehet Hajdari në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura. Ndërsa e cilëson se Meta është një president politik dhe ka marrë rolin e liderit të opozitës.

Deputetja, Rudina Hajdari, duke folur gjate nje seance parlamentare


Por kjo kërkesë është refuzuar nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili ka theksuar se kjo është një çështje që i takon PS-së të vendosë dhe se më 8 korrik nuk do të votohet për shkarkimin e Metës, por për ngritjen e komisionit hetimor.
Deputetja Hajdari do të mungonte në seancën e 8 korrikut në Parlament ku u paraqit raporti i komisionit të Ligjeve ku e cilësonte si të drejtë nismën e 55 deputetëve të mazhorancës për nisjen e procedurave të shkarkimit të presidentit.
Kërkesa u miratua me 102 vota pro, ndërsa 7 kundër dhe dy abstenime, duke i hapur rrugë ngritjes së komisionit hetimor për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e presidentit.

Procesverbali i mbledhjes së kryetarëve

Pjesë nga debat në Konferencën e kryetarëve

Gramoz Ruçi – Ju lutem, flasim për datën, pastaj për kohën. A ka propozim tjetër për datën? Pra, data 8 është data e fundit, kur plotësohet 7-ditëshi. Dhe kjo është me përcaktim nga Rregullorja. Zoti Balla propozon datën fundore, që është data 8.
Rudina Hajdari – Zoti Kryetar, nëse më lejohet, unë do të jap mendimin tim lidhur
me këtë çështje. Kam qenë vetë në atë seancë kur miratuam një rezolutë me presione të ndryshme, që nuk ishin të drejta ndaj opozitës duke inkurajuar deputetët e opozitës që të votonin për atë rezolutë për shkak se do të kishim një dekret tjetër të Presidentit që do të shpërndante
parlamentin. Ajo që më shqetëson është se ndodhem në mes të kësaj lufte politike. Unë jam e
vetëdijshme që jam në mes të kësaj lufte politike për një shkak, por nuk dua që kjo luftë të
vazhdojë. Unë e kam thënë haptazi që Presidenti i Republikës e shkeli Kushtetutën duke zhdekretuar një dekret të tij, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë, por, nga ana tjetër, keni zgjedhur një President, i cili është tepër politik. Ju e dini vetë këtë gjë. Jemi në një situatë jashtëzakonisht shumë të vështirë.

Nga mbledhja e konferencës së kryetarëve

Ne duhet të reflektojmë dhe të mendojmë nëse këta hapa realisht e zgjidhin krizën. Duhet të mendojmë nëse po e bëjmë për hir të vendit për hir të mos përplasjes e të tjera. Ndoshta do të ishte më mirë që ne të stepeshim, të bënim një hap mbrapa dhe të mos i jepnim kaq shumë bujë këtij debati në Parlament. Nuk ka ndodhur ndonjëherë të kemi një precedent të tillë, që ne të shkarkojmë Presidentin e Republikës. E dimë shumë mirë se kush është Presidenti, por jemi në një situatë shumë të vështirë, prandaj unë nuk jam dakord që ne të vazhdojmë me hapat tanë dhe të përplasemi me Presidentin, sepse ju e patë se çfarë bëri Presidenti dje, e cila ishte një situatë e turpshme për të gjithë.

Faksimile e procesverbalit të mbledhjes së konferencës së kryetarëve

Nga ana tjetër ju e kuptoni se kjo vjen si pasojë e çdo gjëje që bëhet këtu në Parlament. Çfarëdo që ne bëjmë, ose bëni ju në këtë rast, është një luftë politike e pastër midis maxhorancës dhe Presidentit, luftë midis jush? Ai ka marrë stafetën e opozitës, që nuk i takon dhe nuk duhet ta bëjë, por gjithsesi, kemi edhe atë shprehjen e famshme që thotë se duhet t’i hapim rrugë njërit. Mendimi im është që të gjejmë një rrugë të mesme, sepse më pas do të raportohet në mediet ndërkombëtare dhe do të bëhemi qesharakë, do të jetë një luftë e pastër politike midis Kryeministrit dhe Presidentit. Grupi im parlamentar do ta diskutojë edhe një herë këtë çështje, sepse ne e diskutuam dhe ramë dakord ndryshe, por pas atij ultimatumi që u dha, ata ndryshuan mendje. E di që ju kërkoni bashkëpunimin tonë, por unë flas më shumë personalisht si deputete dhe si kryetare e Komisionit të Integrimit, që nëse ia vlen që ne të vazhdojmë të procedojmë në këtë lloj mënyre, edhe nëse kjo gjë e dëmton imazhin e Shqipërisë dhe e pështjellon situatën, duke na çuar në një situatë tjetër konfliktuale.


Çfarë do të ndodhë? Ai do vetëm të ngrejë alarmin në media. Ku është zgjidhja këtu? Unë nuk shoh asnjë zgjidhje. Ndoshta dënimi më i madh është që ai të rrijë aty brenda, kështu që në këtë mënyrë e keni zgjidhur situatën! Unë do të kërkoja një reflektim nga ana e deputetëve të maxhorancës, nga kryetari i grupit maxhoritar dhe nga ju si Kryetar i Kuvendit, në mënyrë që ne të mos e pështjellojmë situatën dhe të mos i japim më shumë shkak Presidentit që të vazhdojë në këtë lloj mënyre. Faleminderit!
Taulant Balla – Unë dua të nënvizoj shqetësimin që shprehu kryetarja e grupit të opozitës, zonja Hajdari, për një kërcënim nga ana e Presidentit të Republikës për të shpërndarë Kuvendin. Qëndrimi i tij për këtë çështje është bërë publik, por kjo nuk është një çështje që mund ta diskutojmë sot apo ndonjëherë, sepse Presidenti i Republikës, për fat të mirë, nuk e ka këtë të drejtë. Lidhur me kompetencat e Konferencës së Kryetarëve, dua t’ju bëj me dije se ditën e hënë kjo Konferencë përcakton seancën për shqyrtimin e raportit të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Administratës, që është një zbatim rigoroz i Rregullores. Kuvendi nuk e voton shkarkimin ditën e hënë. Bie dakord fjalë për fjalë me zonjën Hajdari që Presidenti i Republikës e ka shkelur rëndë Kushtetutën. Këtë do ta vlerësojë komisioni hetimor, i cili bazuar në një ekspertizë të mirë, do të dalë në përfundim. Unë mendoj se është në dinjitetin e këtij Kuvendi që të ngremë komisionin hetimor për të vlerësuar nëse Presidenti e ka shkelur apo jo Kushtetutën. Pastaj, në detyrat specifike që ka ky komision, do të vlerësojë nëse Presidenti ka bërë shkelje të rëndë apo të lehtë, pavarësisht se unë personalisht hyj tek ata persona që mendojnë se shkelja e Kushtetutës është gjithmonë e rëndë, por këtë gjë do ta ndajnë juristët.


Gramoz Ruçi – Po sqaroj një gjë, meqenëse m’u drejtuat: kjo mbledhje, ky kuorum nuk ka asnjë të drejtë të vendosë, nëse duhet të vazhdojë kjo procedurë apo jo. Kjo është me detyrim përcaktim. Ka dy rrugë: e para ajo që parashtroi zonja Hajdari, nëse kërkuesit e tërheqin nismën, unë e ndërpres procedurën këtu, sepse nuk kam se çfarë të diskutoj. E dyta, do të shkojmë në seancë dhe do shkojmë brenda 7 ditëve, kjo nuk ka diskutim, është me detyrim përcaktim, pasi na e përcakton Rregullorja që brenda 7 ditëve t’ia dërgojmë seancës. Seanca vendos ose jo për ta ngritur komisionin, pra e miraton ose nuk e miraton ngritjen e komisionit hetimor. Kjo është e drejta juaj, e diskutoni brenda grupit, midis gupeve. Pas debatit do të votoni. Si do të vendosni?! Jeni ju që do të vendosni. Problemi i tretë është që pasi ngrihet komisioni hetimor, pasi bën hetimin, sjell një raport në Kuvend, Kuvendit i jepet 20 ditë kohë për të reflektuar për këtë raport, i cili do të jetë në përfundim të këtij debati, të kësaj seance. Ju do të votoni. Ai votim është përfundimtar për Kuvendin dhe këtu Kuvendi mbaron punën e tij, por kjo nuk do të thotë se është shkarkuar Presidenti, është Gjykata Kushtetuese, e cila shprehet për këtë vendim që ka marrë Kuvendi. Prandaj, ju lutem sot keni vetëm dy gjëra: cila është data që do ta diskutojmë dhe sa kohë doni për debatin? Ju lutem shprehuni për datën! Pastaj, sesi do të vendosni ju politikisht nëpërmjet votës, mendimin që do të jepni dhe votën që do të jepni, janë puna juaj. Prandaj për datën…


Rudina Hajdari – Dakord, zoti Kryetar. Unë e kuptoj pikëpamjen tuaj, që këto janë nga ana procedurale dhe duhet marrin një vendim. Nga ana tjetër, jemi edhe në kushtet kur nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, gjë që e bën situatën akoma më të vështirë, sepse si mund ta vazhdojmë një procedurë, nëse nuk e dimë tamam se kur do të ngrihet Gjykata Kushtetuese, e cila merr vendim mbi këtë çështje. Pra, duke qenë në kushte jonormale, situata bëhet më e vështirë për të marrë një vendim të prerë. Siç e thatë edhe ju, nismëtari mund ta reflektojë këtë nismë. Patjetër që ai ka të drejtën e tij dhe mund të vazhdojë me këtë, por unë do të kërkoja nga grupi im parlamentar, që të mos e ezaurojnë kohën e tyre, sepse mendoj se grupi ynë duhet të ketë një qëndrim të qartë, që është mos nxitja e konfliktit me Presidentin. Nëse ju vazhdoni me këtë, është puna juaj, por opozita nuk do të vazhdojë. Nëse është fjala për shkarkim, patjetër që atë do ta vendosë Gjykata Kushtetuese, por duke parë se nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, dhe kjo mund të përdoret thjesht si një lloj mekanizmi për ta tensionuar situatën, unë jam e shqetësuar. Kaq! Është shumë e thjeshtë.
Gramoz Ruçi – Mirë, dakord! Lidhur me datën, a ke vërejtje? Është e drejta juaj të gjykoni, të vlerësoni e të votoni si të doni, po për datën a biem dakord? A biem dakord të jetë më datën 8? Ka vërejtje tjetër? Ka datë tjetër? Urdhëroni!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë