Rileximi në skenën e Teatrit Kombëtar të veprës “Prefekti” ngjalli polemika të shumta.
Risjellja e figurës së ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit pati reagime nga personazhe e po ashtu edhe nga familjarët e ish-prefektit të Tiranës.
Këto reagime duket se kanë bërë që Teatri Kombëtar të fshijë nga “Facebook” leximin artistik të veprës.
Për leximin e kësaj vepre ishte shoqata “Tirona Intellectum” që reagoi ashpër, fill pas posterit që publikoi Teatri Kombëtar, pasi sipas tyre duket se Teatri me këtë vepër po rivlerëson tezat e qasjet që kishte Teatri gjatë regjimit komunist.
Edhe familjarët e Qazim Mulletit u shprehën të ofenduar nga leximi artistik që iu bë veprës.
Polemika për këtë shfaqje pati edhe në Komisionin e Medias. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, propozoi ndalimin e filmave dhe dokumentarëve që lartësojnë diktaturën komuniste.
“Ne kemi përgjegjësinë të ndikojmë në edukimin e brezave të rinj dhe të marrim një pikënisje nga kjo ngjarje, nga debatet që kanë lindur në rrjetet sociale, në opinionin publik, në media për shfaqjen e programuar të ‘Prefektit’ në Teatrin Kombëtar, për të rihapur edhe një herë jo vetëm diskutimin, por edhe mendimin institucional dhe ligjor për një projektligj që personalisht do ta mbështes, i cili ndalon shfaqjen e filmave në televizionet publike, në televizione të paguara nga taksat e qytetarëve, të atyre filmave që do të cilësohen të ndaluar nga profesionistë, si filma të propagandës komuniste dhe instrumente të diktaturës”, do të shprehej deputetja e PD-së, Ina Zhupa.
Ndërkohë, aktori Arben Derhemi, i cili mban rolin e Qazim Mulletit në leximin e pjesës, do të sqaronte për Gazetasi.al se këtë herë vepra vjen në një këndvështrim tjetër dhe të gjitha reagimet kanë qenë tendencioze dhe dashakeqëse.
Por heqja e rileximit artistik të veprës nga faqja e Facebook e Teatrit Kombëtar, duket se i jep fund edhe këtij debati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




