Politike

David Cameron në Tiranë, Rama: Britania, gati të financojë hekurudhën Durrës-Prishtinë

Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron dolën në një deklaratë të përbashkët për shtyp pas takimit kokë më kokë.

"...Në planet e bashkëpunimit bilateral dëshiroj të theksoj se kemi diskutuar për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik me rëndësie të veçantë për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin, që është hekurudha Durrës-Prishtinë. Element kyç i projekt të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes, jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajon dhe më gjerë, duke pasur parasysh se së shpejti në hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit. Jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durrësit. Njëkohësit edhe Kosova do të ndërtojë një port të Thatë në Prishtinë. Për të gjitha këto së bashku, ky është një projekt që tejkalon interesin e dy vendeve dhe në të cilin Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë të përfshihet me financimin dhe ekspertizën. Mirënjohje sekretarit pasi është një avokat shumë i rëndësishëm i yni në mbështetje të të gjitha proceseve transformuese të rajonit", tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama.

Sekretari i Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron vlerësoi Shqipërinë si  një histori suksesi në aspektin ekonomik

“Një nga arsyet pse doja të vija është të festonim suksesin tuaj. Shqipëria është vërtet histori suksesi, në aspektin ekonomik dhe në NATO. Ju keni bërë një punë të shkëlqyer e lidership të madh në Këshillin e Sigurimit.  Keni fituar jo vetëm zgjedhje më shumë se unë por keni treguar dhe një lidership të qartë se ku duhet të jetë Shqipëria në sferën e NATO-s e BE-së”, tha Cameron.

Sa i takon menaxhimit të flukseve të emigracionit Cameron tha se kur “Ballkani ia del mbanë Europa Ia del mbanë”

“Jo vetëm që keni fituar më shumë zgjedhje se unë se vazhdoni në detyrën, por keni dhënë shembull të qartë se ku duhet të jetë Shqipëria. Flas në emër të Sunak; kjo ka qenë dhe do të jetë një nga frytet më pozitive për ne. Eksportet janë rritur me 20%. Sa i përket krimit të organizuar dhe krimit të rëndë, po ndihmojmë dhe në modernizimin e gjyqësorit tuaj. Ju vazhdoni me reformat tuaja. Sa i takon shifrave të emigracionit, ka pasur rezultate pozitive. Ky është një problem të cilin duhet ta përballoni ju. Keni treguar se jeni inovator dhe krijues, dhe punoni për këto partneritet. Ekonomia juaj është rritur, sektori i turizmit është rritur. Do të ketë më shumë mundësi që njerëzit të rrinë në Shqipëri. Kur Ballkani Perëndimor ia del mbanë, ia del dhe Europa”, tha Cameron.

Edhe kryeministri Rama e preku këtë temë.

“Kemi folur edhe padyshim për projektin apo programin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe patjetër që jemi shumë të kënaqur me rezultatet e arritura, por operacioni ynë i përbashkët do vazhdojë, gatishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do të jetë maksimale edhe në vazhdim. Natyrisht lidhet edhe me vullnetin e përbashkët për t’i shkuar në rrënjë këtij problemi”, tha Rama.

Më herët, Kryeministri Edi Rama priti sekretarin e Jashtëm britanik, David Cameron në Kryeministri, ku ndër të tjera i prezantoi edhe pikturat e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë