Nga Gazeta ‘Si’- Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të transferohen në burgun në Gjilan në pjesën e parë të vitit 2027, konfirmuan nga Shërbimi danez i Burgjeve.
Ky shërbim tha se institucioneve të Kosovës u janë dorëzuar kërkesa specifike për renovimin dhe përshtatjen e burgut të Gjilanit.
“…duke përfshirë një ndërtesë të re për punësim dhe ambiente të reja për vizitorë. Ne presim që puna të nisë këtë verë, kurse gjatë gjysmës se parë të vitit 2027, pritet që burgu të vihet në përdorim”, tha Shërbimi danez i Burgjeve.
Danimarka tha se kjo është një detyrë komplekse, pasi bëhet fjalë për një burg të Kosovës që duhet të funksionojë sipas rregullave daneze.
Shërbimi i Burgjeve tha se kjo është një detyrë sfiduese, duke nisur me renovimin e ndërtesave dhe përshtatjen e tyre sipas nevojave të Danimarkës. Po ashtu, përfaqësuesit danezë kanë zhvilluar vizita të rregullta në objektin e burgut në Gjilan, me qëllim që të planifikohen punët që do të realizohen.
Një gjë e tillë, më 23 maj është konfirmuar për REL-in edhe nga drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili ka deklaruar se ‘të burgosurit nga shteti danez pritet të vendosen në burgun e qytetit të Gjilanit në prillin e 2027-s’.
Megjithatë, ai ka thënë se procesi i renovimeve ende nuk ka nisur.
Transferimi i të burgosurve është pjesë e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.
Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024, dy vjet pasi ajo ishte nënshkruar.
Sipas marrëveshjes, personat që do të transferohen nuk do të jenë shtetas të Danimarkës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.