Nga Gazeta Si- Është një udhëtim i gjatë që nis nga ‘Castelli Romani’, kalon nëpër Lojërat e Salt Lake City 2002, përmes Cesana Torinese dhe përfundon për momentin në Tiranë. Është rruga e Daniela Ceccarelli, një nënë kampione që fitoi një medalje të artë olimpike në ‘super-G’ në Utah pothuajse 23 vjet më parë dhe tani stërvit një vajzë të veçantë që mund të shkruajë historinë e skijimit: Lara Colturi. 18 vjeç, tashmë në dy podiume, i fundit të shtunën në ‘slalomin’ gjigand Kranjska Gora. Lara zgjodhi të mos regjistrohej për Italinë, por për Shqipërinë që e lejon të vazhdojë stërvitjen me familjen e saj. Kështu vendi i shqiponjave është kthyer në një fuqi dëbore, ndërsa Italia ndihet e privuar nga talenti i së ardhmes.
Intervista me Daniela Ceccarellit
Daniela Ceccarelli, Olimpiada e Milan Cortina po afron: është e vërtetë që keni një marrëveshje për ta rikthyer Larën nën flamurin italian në vitin 2026?
-Nuk kemi asnjë plan trevjeçar apo shumëvjeçar. Jemi të fokusuar tek e tashmja, është vetë Lara që na pyet. Ajo është vetëm 18 vjeç, jeton me këmbë në tokë dhe Milan Cortina duket shumë larg. Ne po mësojmë gjithçka prej saj, planifikimi krijon stres të kotë, ne jetojmë “këtu dhe tani”. Jemi të qetë dhe na pëlqen ta shohim Larën të lumtur”.
Na trego historinë tënde
-Unë jam nga Rocca Priora, nëna ime Maria Teresa është nga Grottaferrata, babai im Roberto është nga Frascati dhe e donte shumë skijimin. Ai më çoi të jetoj në Stelvio, (zonë malore) dhe kështu më duhej të studioja gjithçka në male, por për Larën gjithçka vjen natyrshëm.
Ti ishe një nga skiatoret më të ndërgjegjshme në ato vite
-E para që u grimova, shumë përpara grimit të Hollivudit. Ndonjëherë më ndikonte edhe rimeli që vendosja. Ndërsa tani është normale që të kujdesesh për veten në një sport me fuqi dhe forcë fizike dhe tashmë është Lara që më mëson se si të bëj Make-up.
Ti ke përjetuar dy Olimpiada krejtësisht të ndryshme: triumfin në Salt Lake City, lëndimin pak para Torinos 2006
-Nuk mund ta kuptosh çfarë do të thotë për një romak të fitosh një medalje të bukur në ski. Por edhe Torino ishte i veçantë në mënyrën e vet. Është sikur Lara të kishte marrë pjesë tashmë në një Olimpiadë, sepse në atë periudhë unë isha shtatzënë me të.
Pas lindjes së saj keni konkurruar për vite me radhë, si ia keni dalë me një fëmijë kaq të vogël?
-Jam tërhequr në Cortina në vitin 2010 dhe deri atëherë Lara ishte gjithmonë me mua, e ushqeja me gji ndërkohë që prisja të garoja dhe drejtuesit e federatës ndërkombëtare ishin të tmerruar nga frika se ajo do të priste veten kur të zvarritej mes akullit.
13 muajsh ajo ishte në ski, thjesht duhej ta ndihmoja në këtë natyrshmëri, të gjeja stimujt për të zbuluar kufijtë dhe për t’i kapërcyer ato, pa u mërzitur, sepse të rinjve nuk u pëlqen të përsërisin vështirësitë e çdo nëne. Unë e shoh vajzën time tashmë si të pavarur dhe nuk duhet ta teproj me këshillat, edhe nëse ndonjëherë më duket e drejtë që ta këshilloj.
Shumë vite më vonë u ktheve në qendër të botës së skijimit
-Jo në qendër, sepse ne si familje jemi vetëm mbështetja e Larës. Jetoj të njëjtën aventurë me një rol tjetër. Burri im ka qenë instruktori i Larës. Jemi një familje udhëtuese ku gjyshërit, por edhe djali im Yuri vijnë në garat e Kupës me një videokamerë.
Pse u larguat nga Italia?
-Me federatën shqiptare shkojmë mirë, jemi miq që kur stërvitëm sportistët e tyre në klubin tim të skive, Golden Team Ceccarelli. Lara ecën shpejt dhe është e kujdesshme, këhstu që shpejt e kuptuam se do të kishte të ardhme.
Ne të gjithë donim të vazhdonim skijimin si familje dhe Shqipëria na e lejon këtë. Lara nuk stërvitet vetëm, Red Bull rezervon pjesë të pistave për të dhe e lejon të konkurrojë me kampionë si Kristoffersen, Pinturault, Robinson, Ljutic.
Marrë nga La Repubblica. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.