Vangjush Dako deklaroi për herë të parë se në përgjimin numër gjashtë të publikuar nga gazeta gjermane “Bild” personi me të cilin ai flet në telefon nuk është Astrit Avdylaj.
“Ai person aty në përgjimin numër pesë që ka publikuar nga “Bild” nuk është Astrit Avdylaj”, deklaroi kryebashkiaku i Durrësit këtë të enjte në emisionin “Opinion”.
Këmbënguljes së gazetarëve për të treguar se cili ishte personi në fjalë, nëse nuk ishte Astrit Avdylaj, Dako i rezistoi duke mos bërë publik emër tjetër dhe duke sfiduar gazetarët që ta zbulojnë vetë.
Pretendimi i Vangjush Dakos bie ndesh me faktin që numri i përgjuar nga prokuroria është ai i Astrit Avdylajt. Njëra prej mundësive në këtë rast është që dikush tjetër të ketë folur me numrin e kreut të grupit kriminal të Shijakut me kryebashkiakun e Durrësit.
Dako hodhi poshtë edhe përgjimet e tjera. Ai tha se Enton Arbana, aktualisht kandidat i PS-së për Bashkinë e Shijakut nuk ka hequr asnjë gjobë të inspektorëve për llogari të Astrit Avdylajt dhe as Ivo Doçi, si punonjës i ujësjellësit të Shijakut nuk ka shkarkuar njeri po për llogari të Avdylajt.
“Ai personi aty, Ivo Doçi është punonjës i ujësjellësit të Shijakut, por nuk mund të shkarkojë dot njeri nga puna”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.