Ngjarje

Me avion ose kamion – Shqiptari Kastriot Ahmati me 17 mijë paundë të kalon në Angli

Pak ditë pas tragjedisë së 39 personave që u gjetën të pajetë në një kamion frigoriferik në Angli, tabloidi “DailyMail” publikon një investigim, sipas të cilit një shqiptar “minimizon” tragjedinë dhe për më tepër premton kalimin ilegalisht për në Britaninë e Madhe kundrejt 14 mijë paundëve si pagesë.

Mediia britanike e identifikon atë si Kastriot Ahmati. Ai jeton në Londër dhe prej andej është pjesë e një grupi trafikimi klandestinësh për në ishull. “DailyMail” thotë se gjatë investigimit ka përdorur një gazetare të maskuar si person që kërkonte të hynte ilegalisht në Britaninë e Madhe.

“Rrugët që i ofron trafikanti janë dy. E para, përmes dokumentacioneve false dhe nisjes nga Tirana me avion kundrejt 17 mijë paundëve. E dyta është hyrja në Angli si klandestin duke u fshehur në një kamion që niset nga Belgjika, që kushton 14 mijë paundë”, thotë “DailyMail”.

Media britanike thotë se përveç kësaj, shqiptari Kastriot Ahmati e publikonte nëpër rrjetet sociale aktivitetin e tij, përmes pseudonimit Kaçe Kaçe, madje duke postuar edhe numrin e telefonit ku mund të kontaktohej.

“Ahmati reklamonte shërbimet që ofronte dhe postonte numrin e tij të telefonit në Facebook në faqen “Albanian in London”, që ka më shumë se 16 mijë ndjekës”, thuhet në artikull.

“DailyMail” pretendon se herën e fundit që gazetarja e infiltruar ka komunikuar me Ahmatin në telefon ka qenë ditën e premte, vetëm dy ditë nga tragjedia e Eseksit, ku 39 klandestinë aziatikë u gjetën të vdekur në një kamion frigoriferit.

“Ka qenë e shkruar!”, citon media britanike të ketë thënë në telefon trafikanti shqiptar.

Sipas DailyMail, gazetarja e infiltruar i thotë se pas këtij rasti ka shumë frikë që të udhëtojë me kamion për në Angli. Por, Ahmati e qetëson duke i thënë se nuk ka asnjë rrezik dhe se edhe ai vetë kishte hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe duke u fshehur në një kamion.

Kur pyetet për detajet e udhëtimit nga Belgjika me kamion, shqiptari i thotë se udhëtimi mund të zgjasë nga 12 deri në 16 orë, në varësi të trafikut që mund të haste kamioni gjatë rrugës.

“E kam bërë vetë këtë rrugë, ndaj po mundohem të të gjej ty rrugën më të thjeshtë”, citohet Ahmati.

DailyMail thotë se Ahmati besohet se është nga qyteti i Hasit në Shqipëri. I kontaktuar në telefon nga kjo media, Ahmati ka konfirmuar se ndodhej në Londër. Se sa kohë ka në Angli, media nuk mund ta japë si përgjigje të saktë, por thotë se prej të paktën një viti në rrjetet sociale gjen postime të tij nga kryeqyteti britanik.

Ndërkohë, llogari me pseudonimin “Kaçe Kaçe”, e përdorur prej Kastriot Ahmatit aktualisht rezulton e mbyllur në Facebook. DailyMail thotë se nga investigimi që ka kryer, Ahmati është njëri nga të paktën katër shqiptarë të tjerë që përdornin faqen “Albanians in London” për të rekrutuar klandestinë kundrejt shumave të majme me para.

Agjencitë ligjzbatuese britanike kanë ngritur shpesh shqetësimin mbi rritjen e aktiviteteve të paligjshme me autorësi shtetas shqiptarë. Vitin e kaluar, shifrat ofruan një rritje me 80 për qind të trafikut njerëzor krahasur me 2016, duke shkuar në rreth 7 mijë persona. Rreth 20 për qind e personave që besohet se kanë hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe për 2018 besohet se janë shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë