Rend dhe Ligj

CV e pasur e Ervis Martinajt, nga dyshimet për Santon, te Shullazi

Autorët e sulmit që tronditi zonën e ish-Bllokut në Tiranë mbrëmjen e së enjtes nuk dihen ende, por ajo që dihet është se mes personave që kanë goditur plumbat është një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri.

Policia njoftoi se nga sulmi mbeti i vrarë shtetasi Fabiol Gaxha dhe u plagosën dy persona të tjerë, shtetasit Eljon Hato dhe Ervis Martinaj. Ky i fundit, nisur nga CV e pasur kriminale, mendohet se ishte në shënjestër të sulmit të autorëve.

36-vjeçari Ervis Martinaj është një emër i njohur i botës së krimit në kryeqytet. Emri i tij është lakuar shpesh pas vitit 2013. Në këtë vit, ai u denoncua për kanosje nga një komandant i forcave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit në Tiranë. Pas denoncimit, ai u shpall në kërkim.

Kanosja është bërë pas aksionit “Fundi i Marrëzisë”, ku Ervis Martinajt iu sekuestruan 400 makineri lojërash fati, të cilat sapo i kishte blerë dhe disa automjete luksoze. Në atë kohë, mediat shkruanin se Martinaj i kish blerë makineritë nga konkurrenti i tij, Ervis Doçi.

Doçi përflitej si njeri i afërt me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe dyshohet se ishte vënë në dijeni para nisjes së operacionit “Fundi i Marrëzisë”, duke i shitur makineritë e lojërave të fatit tek Ervis Martinaj.

Po në ato ditë, Ervis Doçi bie në pritën e një atentati në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”. Ai ndodhej në një automjet tip Mercedes Benz ML së bashku me një kushëri të tijin kur gjatë ndalesës në semaforin e një kryqëzimi aty pranë i janë afruar dy persona me motoçikletë.

Foto e skenes se ngjarjes ku mbeti i vrare Ervis Doci

Personi që ndodhej në vendin e pasëm të motorit ka zbritur dhe pasi është afruar tek makina ka qëlluar në drejtim të Ervis Doçit, 38 vjeç dhe kushëririt të tij. Në përpjekje për t’iu larguar plumbave, kushëriri i Ervisit që ka qenë në timon, ka lëvizur makinën, por edhe ai është qëlluar nga autorët dhe ka humbur kontrollin e makinës, duke u përplasur në trotuar.

Dy kushërinjtë mbetën të plagosur në këtë ngjarje dhe u shoqëruan menjëherë në Spitalin e Traumës, ku disa orë më vonë, Ervis Doçi ndërroi jetë. Autorët e ngjarjes mbeten ende të paidentifikuar. Dyshimet ranë mbi Ervis Martinajn, i cili ndjehej i mashtruar nga Doçi, por mbetën dyshime dhe si policia, ashtu edhe prokuroria nuk ka gjetur prova që ta lidhë këtë të fundit me atentatin në fjalë.

Një tjetër ekzekutim i bujshëm ku del sërish emri i Ervis Martinajt është vrasja e bankierit Artan Santo, ngjarje e ndodhur po në zonën e ish-bllokut dhe në mes të ditës në qershor të 2014. Emri i Martinajt u përmend kur gjatë një operacioni të policisë në magazinat e bizneseve të tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra motori të ngjashme me ato të dy autorëve që ekzekutuan bankierin Santo.

Dy ekzekutuesit e bankierit Artan Santo, fiksuar nga kamerat e sigurise ne kryqezimin prane Librit Universitar

Edhe në këtë rast gjithçka mbeti në kuadër të dyshimeve dhe sërish as policia dhe as prokuroria nuk ishte në gjendje që të provonte përfshirjen e tij në këtë ekzekutim të bujshëm.

Një vit më vonë, Ervis Martinaj do të rikthehej sërish në qendër të kronikës së zezë, por këtë herë jo më si i dyshuar, por i përfshirë drejtpërdrejtë në vrasjen e Enton Nikës, ngjarje e ndodhur në parkingun e një lokali në zonën e Linzës, e filmuar edhe nga kamerat e sigurisë.

Sipas asaj që u zbardh më vonë në procesin gjyqësor, mes viktimës dhe Ervis Doçit ka pasur një debat. Martinaj, thuhet në dosjen hetimore, gjatë qëndrimit në lokal ka dëgjuar Enton Nikën të flasë nën zë dhe ka kujtuar se e ka ofenduar.

Në këtë moment, ai e ka thërritur. “Djali, do vish një sekondë”, duke iu drejtuar të ndjerit. Dhe pasi kanë dalë tek parkingu i është prezantuar si Ervis Martinaj, duke i vënë edhe dorën në supe. “Qofsh me shëndet, por hiqe dorën se ta këpus”, thuhet nga prokuroria se i është përgjigjur Enton Nika.

Kamerat e sigurise kane fiksuar kete imazh pak para nisjes se sherrit mes Enton Nikes dhe Ervis Martinajt. Ne foto, Martinaj eshte personi qe i ka vene doren ne sup Nikes

Këtu ka nisur përleshja fizike mes tyre dhe në sherr e sipër, Emiljano Tasho, mik i Ervis Martinajt ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar për vdekje Enton Nikën. Tasho tha se e kishte qëlluar padashje Enton Nikën. Në vendimin e dhënë nga gjykata, Ervis Martinaj u dënua me vetëm 1.5 vite burg. Prokuroria akuzoi të ndaluarit për vrasje me paramendim, duke kërkuar dënimet maksimale për ta, por gjykata tha në vendimin e saj se vrasja nuk ka qenë e paramenduar, duke lehtësuar dënimet për autorët.

Edhe në këtë rast, Ervis Martinaj ia hodhi me një dënim minimal, që nuk do ta pengonte që të rikthehej sërish në qendër të medias në fillim të 2017-s. Këtë herë, emri i tij do të përfshihej në një dosje të bujshme, atë “Shullazi”.

Biznesmeni Ylvi Beqaj, dëshmitari kyç në këtë proces dhe që ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, denoncoi në prokurori Ervis Martinajn si personi përmes të cilit Emiljano Shullazi i kishte çuar dy mesazhe për t’u tërhequr nga padia për ish-Hotel Vollgën në Durrës.

Majtas Emiljano Shullazi gjate nje seance gjyqesore. Djathtas, deshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja

Beqaj ka deklaruar se fillimisht, Ervis Martinaj është munduar ta joshë përmes ofrimit të 7 milionë eurove, një milion në dorë dhe gjashtë të tjera pas tërheqjes nga padia. Kur dëshmitari ka refuzuar, atëherë Martinaj u është rikthyer metodave të veta, duke e kërcënuar me jetë.

Por, megjithë këtë CV “të pasur” kriminale, duket se ngjarja në fjalë është më e komplikuar, pasi personi që ka shkrepur 9 fishekë në drejtim të Fabiol Gaxhas, Ervis Martinajt dhe Erjon Hatos është një ushtarak i beretave të kuqe, forcat komando elitare të ushtrisë shqiptare.

Personi në fjalë është identifikuar si Marviol Bilo dhe besohet se punonte si truprojë i këngëtares Elvana Gjata dhe të dashurit të saj, një biznesmen i njohur në Tiranë. Pikërisht i dashuri i këngëtares mendohet se e ka nisur sherrin, duke goditur me grusht viktimin Fabiol Gaxha.

Kaq ka mjaftuar që në lokalin “Solomon” të shpërthente një sherr masiv. I pari që dyshohet se ka nxjerrë armën ka qenë Fabiol Gaxha, por ai nuk ka qëlluar dot më shumë se një herë, pasi është goditur direkt nga Marviol Bilo me një plumb në kokë. Në total, burimet nga policia thonë se është qëlluar 10 herë. 9 nga predhat janë të Bilos, ndërsa një e Fabiol Gaxhas.

Mes 9 shkrepjeve, Marviol Bilo ka arritur që të qëllojë në kokë Fabiol Gaxhan dhe Erjon Haton, ky i fundit në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Ndërkohë, Ervis Martinajn plumbi e ka kapur në pjesën e qafës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, së bashku me të plagosurin tjetër, Laert Hasa.

Marviol Bilo është shpallur në kërkim, së bashku me të dashurin e këngëtares Elvana Gjata. Bilo identifikohet si një prej efektivëve më të aftë të forcave komando në Shqipëri dhe si qitësi më i mirë i tyre, çka provon edhe goditjet në kokë e gjoks të shenjëstrave të tij në ngjarjen e Bllokut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë