Të dhënat e fundit zyrtare për aktivitetin e hotelerisë dhe shërbimeve kanë shembur historinë duke na prezantuar për 2001-shin një çudi.
Tremujori i tretë, koha e sezonit turistik të verës dhe kur prodhimi vendas është në kulm nuk i dha Shqipërisë atë që priste. Ca më shumë zhgënjeu edhe operatorët turistikë vendas.
Kurba e aktivitetit e prezantuar nga INSTAT, tregon se në verë turizmi megjithëse ishte më mirë se në muajt e parë ( dimër) vlerat nuk arritën të ishin më të larta se pranvera. Aty aktiviteti turisitik shqiptar kapi rekordin e gjithë vitit.
Siç mund të shikoni në grafik pas rënies në verë , turizmi rifilloi ngritjen në pjesën e mbetur të vitit, vjeshtë- dimër 2021.
Megjithëse ka thyer një traditë që për hir të vërtetës nuk është shumë e favorshme, pasi biznesi dhe ekonomia i varin shpresat vetëm në një periudhë të shkurtër, çudia që iu prezantuam e ka një shpjegim.
Arsyet që qëndrojnë pas ecurisë së mirë në dy tremujorët e parë dhe uljes së aktivitetit pikërisht në kohën kur duhet të kulmonte, janë disa sipas operatorëve të tregut.
Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik tha për Gazetasi.al se që me ardhjen e vitit 2021 qytetarët nisën të ndiheshin sikur e kishin lënë pas pandeminë.
Nisja e fushatës për zgjedhjet parlamentare sipas tij i dha krahë rezervimeve të para në atë periudhë.
“Shifrat e ulëta të Covid-it asokohe sapo kishin nisur të uleshin më fillimin e pranverës. Temperaturat ishin të ngrohta dhe tubimet e fushatës ua larguan frikën qytetarëve.
Rezervimet e para ndryshe nga të gjithë vitet e mëparshme, vjet ndodhën në muajt e parë të vitit. Izolimi i gjatë i bëri qytetarët ta ndiejnë edhe më të domosdoshme nevojën për të bërë pushime dhe fluksi ishte shumë më i madh nga se pritej në fakt”, tha ai duke shtuar se qytetarët nisën të shkonin për disa ditë pushime në jug që në fillim të majit.
Faktor tjetër që ndikoi ishte dhe fakti që Shqipëria gati konsiderohej si një vend “covid free” për turistët që vinin nga jashtë.
Kufijtë shqiptarë ishin të hapur për shtetasit e huaj, numri i të cilëve nuk ishte i vogël në fillim të vitit. Hyrje të larta të turistëve ukrainas dhe polakë u shënuan në të dy tremujorët e parë.
Edhe operatorët nga “Matias” dhe “Kalemi” pohojnë thuajse të njëjtën gjë për Gazetasi.al.
“Qytetarët filluan që në muajt e parë të vitit të shkonin drejt bregdetit të Shqipërisë, të organizuar në grupe të ndryshme. Rezervimet që u bënë në dy tremujorët e parë ishin gati 70% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.
Njerëzit vinin dhe thonin se ishin të lodhur nga pandemia. Moti ishte i favorshëm dhe thuajse të gjithë e shfrytëzuan. Operatorët e parë të turistëve të huaj që bënë check-inet fillestare nisin të vinin që në prill, shumë ndryshe nga vitet e tjera”, thotë njëra nga operatoret aty për Gazetasi.al.
Ndërsa tremujori i tretë i vitit, nuk shënoi valën e rritjes që presupozohej të shënonte.
Rritja e rasteve të reja ditore me Covid-19 dhe masat e vendosura u bënë pengesë për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Me zgjatjen e ditës, fasha orare deri në orën 22:00 dhe lejimi i eventeve me më pak se 50 persona ishin faktorët kryesorë që ndikuan dhe detyruan herëpashere edhe Unionin Turistik t’i drejtohej qeverisë me letra dhe kërkesa të ndryshme.
Një tjetër element po aq i rëndësishëm që operatorët sjellin në vëmendje ishin edhe transfertat që bëheshin nga aeroporti në hotele apo anasjelltas e që ishin jashtë orës së lëvizjes së lirë.
“Për shkak të kufizimit të lëvizjes nga mesnata deri në orën 6 te mëngjesit u krijuan pengesa në mundësimin e shërbimeve të partnereve ndërkombëtare të cilët operojnë me fluturime charter në aeroportin e Rinasit,pasi një numër i këtyre charterave mbërrinin pas orës 12:00 të natës. Sipas marrëveshjeve, te giithë turistët duhet që të priten në aeroport nga delegatët e autorizuar prej tyre,te cilët janë shtetas të origjinës se turistëve, që presin,oreientojnë dhe ju japin kontaktet turistëve të tyre për problemet që mund të kenë gjatë qëndrimit në Shqipëri por këto persona ndaloheshin nga policia e cila në mjaft raste i ka penalizuar.
Kështu jo pak herë u detyruan të mos ngarkoheshin më me pritjen e turistëve”, thonë operatorët për Gazetasi.al.
Kasa tha se jo pak herë turistët u ankuan në lidhje me fashën orare duke u shprehur se kishin ardhur për të kaluar bukur dhe jo për t’u akomoduar nëpër dhoma dhe se nuk donin pushime me barriera e masa kufizuese në fuqi.
Shqiptarët ndërkohë, duke parë shtrëngimin e masave të tilla, preferuan të bënin pushimet jashtë.
Vjeshta dhe temperaturat e ngrohta që vijuan edhe për ca kohë e rikuperuan mandej turizmin.
Pritshmëritë për këtë vit ishin pozitive deri në momentin kur nisi pushtimi i Ukrainës. Në Shqipëri ukrainasit zënë një pjeshë të konsiderueshme të turistëve joshqipfolës që për momentin i kanë anulluar rezervimet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.