Drejtuesi qendror i zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, ministri Fuqiplotë, Bledi Çuçi deklaroi se janë rreth 300 inxhinierë që vijojnë punën në terren për të konstatimin e objekteve që janë dëmtuar nga tërmeti. Pas vlerësimit fillestar në fazën e parë, ai tha se tashmë po bëhet vlerësimi përfundimtar për të përgatitur raportin final që do të jetë gati për konferencën e donatorëve që do të zhvillohet në Janar. Çuçi theksoi se të dhënat e mbledhura në formatin e printuar të formularit hidhen në sistemin online të administrimit të informacionit për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit, ku mund të shikohen nga të gjithë. Sipas tij, për këtë qëllim, të dhënat për vlerësimin e dëmtimeve në ndërtesa, në këtë fazë, janë duke u administruar nëpërmjet një formulari të standardizuar, të përgatitur mbi modelet e Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara, ku mbledhja e përpunimi i të dhënave bëhet në kohë reale në mënyrë elektronike. Ky formular i unifikuar shërben si instrumenti bazë për mbledhjen e të dhënave të vlerësimit në Aktin e Konstatimit nga Grupi përkatës i Verifikimit.
“Sikurse e kemi njoftuar edhe më herët mbi 100 grupe inspektimi kanë verifikuar banesat e dëmtuara nga tërmeti në të gjithë qarqet Durrës, Tiranë e Lezhë. Dhe në përbërje të këtyre grupeve kemi angazhuar rreth 300 inxhinierë, përfshirë edhe ekspertë e konstruktorë të huaj. Ndërkohë, këtu përkrah meje kemi një Grup Verifikimi të FSHZH-së (Fondit Shqiptar të Zhvillimit), i cili ka 9 grupe në terren dhe ka marrë si detyrë të verifikojë dëmet e tërmetit në Njësinë 5 në Durrës, në të cilën janë 7580 objekte, prej të cilave deri tani, janë verifikuar rreth 2000 ndërtesa. Çdo grup verifikimi, ashtu sikurse edhe grupi ynë, përbëhet nga minimumi 2 inxhinierë”, deklaroi ministri. Ngritja e një sistemi të tillë në kohë rekord, vetëm brenda katër ditëve, është një ndihmesë e madhe për ecurinë e procesit të vlerësimit të saktë të dëmeve në banesa dhe përllogaritjen e kostos së këtyre dëmeve. “Këto të dhëna do jenë edhe baza e informacionit për hartimin e Raportit Përfundimtar për Dëmet, si një dokument themelor për organizimin e konferencës së donatorëve dhe sigurimin e mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë në procesin e rindërtimit”, theksoi Çuçi.
Edhe zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë bëri të ditur se ekspertët e saj kanë verifikuar mbi 1850 ndërtesa që janë identifikuara si kritike nga autoritetet shqiptare në 10 bashki të prekura.
Vlerësimi u përqendrua në përcaktimin e qëndrueshmërisë strukturore të ndërtesave dhe të kuptuarit e shkallës së dëmtimit, në mënyrë që të planifikohet faza e rikuperimit. Ndërsa inxhinierët shqiptarë po i udhëheqin këto vlerësime, ekspertët ndërkombëtarë vazhdojnë të ndajnë njohuritë e tyre dhe të ndihmojnë aty ku është e nevojshme, deri në përfundimin e misionit të tyre. Duke vizituar ekipet në terren, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca tha: "Inxhinierët ndërkombëtarë dhe ata shqiptarë po punojnë ngushtësisht së bashku në zonat e prekura. Ka një angazhim mbresëlënës nga të gjithë inxhinierët në terren për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Inxhinierët ndërkombëtarë gjithashtu po trajnojnë intensivisht kolegët shqiptarë, duke u dhënë ekspertizën teknike përpara largimit të tyre".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.