Shendet

Covid, studimi izraelit: Varianti afrikano-jugor “djeg” vaksinën ‘Pfizer’

Varianti i koronavirusit i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut është në gjendje të "djegë", të paktën pjesërisht, mbrojtjen e shkaktuar nga vaksina “Pfizer-BioNTech”, sipas një studimi të ri izraelit të kryer nga Universiteti i Tel Avivit dhe Instituti “Clalit” ende jo i rishikuar nga shkencëtarë të tjerë.

Në Izrael, vaksina “Pfizer”, përdoret pothuajse ekskluzivisht për të vaksinuar miliona qytetarë (shumë pak doza të “Moderna”-s kanë qarkulluar).

Studimi

Studiuesit vëzhguan gati 400 njerëz që u testuan pozitivisht për Covid-19, pasi morën të paktën një dozë të vaksinës dhe i krahasuan ato me të njëjtin numër të njerëzve të infektuar dhe të pa vaksinuar.

Shkencëtarët zbuluan se prevalenca e variantit të “Afrikës së Jugut” (B.1.351,) midis pacientëve që morën dy doza të vaksinës, ishte afërsisht tetë herë më e lartë se në popullatën e pa vaksinuar. Edhe pse numri i subjekteve të shqyrtuara është i kufizuar, rezultati konsiderohet tregues.

Varianti shkel mbrojtjen e vaksinës

"Ne prisnim vetëm një rast të variantit të “Afrikës së Jugut” dhe në fakt zbuluam tetë", - tha profesor Adi Stern, i cili drejtoi kërkimin, për gazetën "The Times of Israel".

"Padyshim, rezultati nuk më bëri të lumtur". Varianti “afrikano-jugor”, krahasuar me llojin origjinal dhe variantin “anglez”, "është i aftë të shkelë mbrojtjen e vaksinës", megjithëse nevojiten studime të mëtejshme për të pasur një pamje më të mirë klinike. Profesori Ran Balicer, drejtor kërkimi në “Clalit”, e quajti eksperimentin "shumë të rëndësishëm".

"Është studimi i parë në botë (i pavarur, i publikuar), bazuar në të dhëna reale dhe tregon se vaksina është më pak efektive kundër variantit të “Afrikës së Jugut”, krahasuar me virusin origjinal dhe variantin ‘britanik’", që qarkulloi në Izrael.

Hulumtimet e tjera

Hulumtimi është vendosur të ngrejë pikëpyetje në lidhje me një studim tjetër në botën reale, të kryer nga “Pfizer”, që arriti në përfundimin se vaksina ‘mARN’, ruan mbrojtje për të paktën gjashtë muaj edhe ndaj variantit më të frikshëm të vaksinave, atij “afrikano-jugor”.

Në Afrikën e Jugut, 800 pjesëmarrës u regjistruan dhe nëntë raste të Covid u vërejtën nga studiuesit, të gjithë në grupin eksperimental, duke treguar një efikasitet të vaksinës prej 100%, raportoi kompania dhjetë ditë më parë.

Hulumtimi i ri në Tel Aviv, shkon në drejtim të kundërt dhe në vend të kësaj, duket se konfirmon një studim të fundit nga Universiteti Be-Gurion i Negevit, i cili zbuloi se vaksina është më pak efektive kundër variantit të “Afrikës së Jugut” (i kryer në kampionët e gjakut).

Analizat e tjera ‘in vitro’, gjithashtu arritën në përfundimin se varianti “afrikano-jugor”, do të ishte në gjendje të anashkalonte mbrojtjen dhe të shkaktonte ri-infektimin, por hulumtimi i ri izraelit, nuk tregon me saktësi nivelin e mbrojtjes ndaj variantit, sepse prevalenca e tij në Izrael është shumë e ulët dhe përfaqëson vetëm 1% nga të gjitha rastet.

Studimi i dozës së tretë

Përhapja e varianteve (në veçanti “afrikano-jugor” dhe “brazilian”), të cilat kanë mutacionin E484K të përbashkët, të aftë për të shmangur pjesërisht mbrojtjen e vaksinës, shqetëson qeveritë në të gjithë botën.

Aq sa kompanitë farmaceutike, tashmë kanë lëvizur dhe po studiojnë një "dozë të tretë", pikërisht për të rritur mbrojtjen ndaj varianteve më tinëzare. Në të vërtetë, duket gjithnjë e më e mundshme që nevojiten doza periodike, veçanërisht tek të moshuarit, popullata më e brishtë, siç është rasti me gripin e zakonshëm.

“Pfizer-BioNTech”, po teston një dozë të tretë të vaksinës së tyre Covid-19, për të kuptuar më mirë përgjigjen imune ndaj varianteve të reja të virusit.  Edhe “Moderna”, gjithashtu zhvilloi një vaksinë kundër variantit të “Afrikës së Jugut” dhe i dorëzoi dozat në Institutin Kombëtar të Shëndetit të ShBA-së për fillimin e provës klinike.

Me teknologjinë ‘mRNA’-së, është më e shpejtë dhe më e lehtë, pasi gjërat bëhen më komplekse me vaksinat vektoriale virale, për shkak të kufizimeve të rëndësishme teknologjike dhe për shkak të imunitetit kundër adenovirusëve, të përdorur si bartës të materialit gjenetik që kodifikon një proteinë Sars-CoV-2

Efektiviteti i vaksinave

Së fundmi, duhet kujtuar dhe kjo vlen gjithmonë, se pavarësisht nga variantet e Covid, vaksinat bëhen plotësisht efektive afërsisht një javë pas dozës së dytë (të dhënat mund të ndryshojnë pak nga vaksina në vaksinë).

Për këtë arsye, është e mundur të infektoheni midis një doze dhe një tjetre, sepse ngarkesa e antitrupave nuk është akoma në nivelin e saj maksimal. Sidoqoftë, është e mundur të merrni Covid-19 edhe pasi keni marrë dy doza të vaksinës (zakonisht jo në një mënyrë serioze) dhe kjo, sepse vaksinat anti-Covid-19, si të gjitha vaksinat e tjera, nuk janë 100% efektive.

Dikush mund të infektohet, sepse për ndonjë arsye, ata nuk zhvillojnë mbrojtje të mjaftueshme imune. Në këtë pikë, vlen të përsëritet, sesi duhet interpretuar vlera e efikasitetit të një vaksine (e cila në të vërtetë nuk është e krahasueshme midis produkteve të ndryshme, sepse provat janë kryer në vende dhe kohë të ndryshme).

Pasja e një vaksine efektive prej 95% si “Pfizer”, nuk do të thotë që 5 në 100 njerëz do të sëmuren. Shifra e efikasitetit është e lidhur me mbrojtjen individuale dhe është një shifër e mundshme.

Nëse vaksina është 95% efektive, secili individ që përfundon ciklin e vaksinimit me atë produkt, ka 95% më pak gjasa të infektohet, sa herë që ekspozohet ndaj virusit, sesa një individ që nuk vaksinohet.

Burimi: "The Times of Israel"; Përshtati Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë