Shendet

Covid, si të menaxhojmë sigurinë në ambiente të mbyllura për “shëndetin” e ajrit

Fëmijët dhe të rriturit në të gjithë botën çdo vit vuajnë nga infeksione të frymëmarrjes, duke filluar nga ftohja e zakonshme, gripi dhe deri te sëmundjet më të rënda. Deri tani pak është bërë për të kufizuar ndikimin e këtyre sëmundjeve, të cilat konsiderohen të pashmangshme.

"Por nuk është kështu - shkruajnë në revistën “ Science"  39 shkencëtarë nga e gjithë bota, ekspertë në transmetimin e patogjenëve nga aerosoli, - sepse njohuritë e reja shkencore, inxhinieria e ndërtimit dhe politikat e përshtatshme të shëndetit publik, mund të na lejojnë të kontrollojmë cilësinë e ajrit, ashtu siç kemi arritur për të kontrolluar ujin dhe ushqimin për të kufizuar transmetimin e sëmundjeve”.

"Ne duhet të hedhim themelet për të siguruar që ajri në banesat tona është i pastër, me patogjenë dukshëm më pak, ashtu siç uji që del nga çezmat e shtëpisë”, - shton Cath Noakes, profesor i Inxhinierisë së Mjedisit në Universitetin e Leeds-it në Britani të Madhe.

Mesazhi është i qartë: kjo vonesë e gjatë, edhe për shkak të mohimit (të pasaktë) të rolit të aerosolit në transmetimin e sëmundjeve të frymëmarrjes, po e paguajmë shtrenjtë me pandeminë Covid-19, por ka ardhur koha të ndryshojmë paradigmat, falë përparimeve në njohuritë shkencore, sepse mjetet për të siguruar sigurinë e mjediseve të mbyllura janë atje, thjesht ato duhen përdorur.

Udhëzimet dhe roli kryesor i aerosolit

Ekspertja e cilësisë së ajrit, profesoreshë Lidia Morawska, në “Queensland University of Technology) (Australi), po drejton një thirrje ndërkombëtare, duke kërkuar njohjen universale, se infeksionet mund të parandalohen, duke përmirësuar sistemet e ventilimit të brendshëm, ashtu si në vitet 1800, ku qytetet filluan të organizonin furnizimin me ujë të pastër dhe të centralizonin sistemet e ujërave të zeza.

Vetëm në këto ditë, me vonesë të madhe, së pari Organizata Botërore e Shëndetësisë, pastaj më tej CDC-të amerikane, kanë përditësuar udhëzimet për mënyrën e transmetimit të koronavirusit, duke theksuar rolin kryesor të aerosolit, grimcave infektive të frymëmarrjes, që mund të qëndrojnë në ajër për një kohë të gjatë dhe rreziqet e mjediseve të mbyllura, të ajrosura dobët dhe të mbipopulluara.

Qysh në maj të vitit 1945, Williams Wells, një shkencëtar amerikan, i cili së pari kuptoi se tuberkulozi mund të transmetohej përmes pikave të frymëmarrjes, u ankua në “The Scientific Monthly” (më pas u mbështet nga “Science”), se "vonesa në ventilimin mjekësor gjatë një periudhe të zhvillimit të shpejtë të pastrimit të ujit, të pasterizimit të qumështit dhe kontrollit të ushqimit, është një paradoks i shëndetit publik”.

Në fakt, vendet më të zhvilluara, nuk do të toleronin një rrezik infektimi prej më shumë se 1 në 10,000 në lidhje me ujin e pijshëm ose ushqimin. Megjithatë, në të njëjtat vende, fëmijët preken disa herë nga infeksionet e traktit të frymëmarrjes çdo vit, përfshirë gripin, i cili shkakton vdekje në popullatën e moshuar.

Qeveritë në të gjithë botën, me të drejtë kanë investuar para në sigurimin e kanalizimeve të përshtatshme dhe ujit të pastër për 150 vitet e fundit. Nga ana tjetër, infeksionet e frymëmarrjes, konsiderohen si pjesë thelbësore e jetës së përditshme.

"Ajsbergu i madh nën sipërfaqen e ujit nuk është parë akoma", ose pasojat gjigante që vijnë nga sëmundjet e transmetuara përmes ajrit.

Kontrolli i cilësisë së ajrit

Pandemia Covid-19, na ka vënë përpara një realiteti që tani është nën sytë e të gjithëve, me kosto të pashembullta njerëzore, sociale dhe ekonomike. Me kalimin e viteve, roli që ka ajri i cili qarkullon brenda ndërtesave në përhapjen e viruseve, është lënë pas dore.

"Vaksinat e prodhuara në kohë rekord shihen si shpëtim, por në të vërtetë ato përfaqësojnë vetëm një nga masat mbrojtëse", - komenton Giorgio Buonanno, profesor i fizikës teknike mjedisore në Universitetin Cassino në Itali, një nga autorët e dokumentit. - Tani është qartë se vaksinat, me ardhjen e varianteve të reja dhe ndonjëherë me shfaqjen e infeksioneve, pavarësisht nga imunizimi, nuk do të jenë të mjaftueshme për të kapërcyer pandeminë. Vaksinat, ne e dimë, nuk mbrojnë 100%. Pastaj duhet gjithashtu të arrijmë të kontrollojmë cilësinë e ajrit, mjetet përmes të cilave përhapet Sars-CoV-2 me ventilim adekuat të hapësirave të mbyllura. Përzierja e vaksinave dhe ventilimit, me të vërtetë mund të na kthejnë në jetën para-Covid. Dhe ventilimi i duhur i ndërtesave, gjithashtu do të jetë në gjendje të na mbrojë nga pandemitë e ardhshme”.

Sidoqoftë, ka çështje kritike që duhet të merren parasysh. Është shumë më e vështirë të kapen infeksionet e transmetuara përmes ajrit, sesa ato të sjella nga uji i ndotur ose me origjinë ushqimore.

Studimet

Ndotja e ushqimit ose ujit, pothuajse gjithmonë vjen nga një vend lehtësisht i identifikueshëm si puset, një ujësjellës, ushqime të ndryshme dhe pasojat në shëndet janë praktikisht të menjëhershme (probleme gastrointestinale ndodhin zakonisht).

Nuk ka një periudhë kaq të gjatë inkubacioni sa për Covid-19. Për më tepër, studimet për transmetimin e ajrit janë shumë më të vështira, sepse ajri është kudo dhe flukset brenda ndërtesave janë komplekse dhe nuk ka sisteme standarde të matjes.

Për dekada, arkitektët dhe inxhinierët janë marrë me komoditetin termik, kontrollin e aromës, konsumin e energjisë, duke neglizhuar plotësisht kontrollin e cilësisë së ajrit për të parandaluar infeksionet.

"Për të arritur atje, - shtojnë shkencëtarët, - një ndryshim në paradigmën në të cilën ne shohim transmetimin e infeksioneve të frymëmarrjes, është i nevojshëm, duke filluar nga supozimi se rreziku është i menaxhueshëm, problemi është i shërueshëm, ashtu si kontrolli i ushqimit dhe ujit për të siguruar shëndetin publik". Vetëm se është pak më e vështirë.

Rreziku i infeksionit

Për patogjenë të tillë si Sars-Cov-2, rreziku i infeksionit duhet të vlerësohet duke marrë parasysh llojin e emetimit (frymëmarrje, bisedë, këndim), madhësinë e dhomës, numrin e njerëzve të pranishëm, kohën e qëndrimit, sa është i transmetueshëm agjenti infektiv.

Shoqëria e urbanizuar, kalon 90% të kohës së saj brenda. Kjo nuk do të thotë që çdo mjedis duhet të bëhet një strukturë e biosigurisë, por që ndërtesat e reja duhet të projektohen, duke vlerësuar aktivitetet që ndodhin brenda: një palestër, ku atletët stërviten duke marrë frymë intensivisht, do të ketë standarde të ndryshme ventilimi, sesa një kinema ku publiku është i ulur, i relaksuar dhe i heshtur. Mund të tingëllojë e komplikuar, por tashmë ka modele fleksibël që mund të aplikohen.

Shumë mund të bëhet edhe për ndërtesat ekzistuese, me një ndërhyrje ‘ad hoc’. Masa kryesore për të kufizuar transmetimin e sëmundjeve infektive në ajër (jo vetëm Covid, por edhe gripi, fruthi, ftohjet), është ventilimi, i mbështetur nga filtrimi i ajrit dhe dezinfektimi.

Si mund të bëhet ventilimi

Me ventilim, nënkuptojmë një sasi të ajrit të jashtëm ose ajrit të ricikluar të filtruar në mënyrë të përshtatshme. Në ndërtesa, sipas udhëzimeve të OBSH-së, duhet të garantohet një cilësi e pranueshme e ajrit të brendshëm, me shpejtësi adekuate të ventilimit për të kufizuar aromat dhe dioksidin e karbonit.

Sidoqoftë, nuk ka indikacione për të zbutur përhapjen e viruseve dhe baktereve në hapësirat e brendshme nga aktiviteti i frymëmarrjes dhe nuk ka kufij të saktë në ekspozimin ndaj ndotësve. Rritja e frekuencës së ndryshimeve të ajrit të sistemeve ekzistuese, mund të jetë tashmë një pikënisje.

Dhe kur nuk është e mundur për arsye strukturore (ose ekonomike), është e mundur të ndërhyhet me pastrues alternativë.

"Standardet e ventilimit të ndërtesave duhet të parashikojnë një përmirësim vendimtar të ventilimit, filtrimit dhe dezinfektimit të ajrit, monitorë që lejojnë publikun të vëzhgojë në kohë reale cilësinë e ajrit në mjedise të mbyllura, duke i bërë kështu njerëzit më të vetëdijshëm në kërkimin e mjediseve të sigurta dhe projektuesit përgjegjës për procesin”, - vijojnë studiuesit.

Është e qartë, se ventilimi më i madh kërkon konsum më të madh të energjisë, prandaj duhet të përshtatet me kërkesën e momentit. Një problem serioz, është se disa masa nuk mund të merren lehtë gjatë një pandemie dhe shumica e ndërtesave nuk ishin projektuar për të kufizuar infeksionet e frymëmarrjes (me përjashtim të spitaleve moderne).

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë