Njerez

COVID-Shqipëria, “oazi” i lirisë dhe frikës së të huajve

Nga Blerina Goce-Gordon. J. ka vetëm disa ditë që ka mbërritur për të jetuar në Shqipëri. Ai kishte planifikuar prej disa muajsh ardhjen por për shkak të pandemisë udhëtimi i tij I familjes së  tij u shty.

Me profesion avokat, ndërsa bashkëshortja e tij një gazetare, tashmë ata kanë dalë në pension dhe kanë zgjedhur që këto vite t’i shpenzojnë në vende të ndryshme të Europës.

Prej gati katër vitesh ata kanë udhëtuar dhe jetuar në vende të ndryshme, si: Kroacia, Franca apo Qiproja dhe së fundi kanë zgjedhur Shqipërinë.

Të vendosur në Tiranë, për të jetuar disa kohë e mbase dhe vite, ata nuk dinë ende saktësisht se çfarë mund t’u ofrojë Shqipëria. Aq më tepër që përvojën e parë me Shqipërinë ata e kanë në këtë kohë të jashtëzakonshme pandemie.

“Nuk di çfarë të them… Është herët të jap një opinion, por mund të them se përgjithësisht gjërat duken bukur, përveç faktit, që shumica e njerëzve ngjan se nuk e marrin seriozisht virusin”, shprehet G. për gazetën “Si”.

Ndërsa flet për udhëtimin drejt Shqipërisë, ai thekson se për shkak të COVID-19, të vizitosh vende të ndryshme në këtë periudhë është shumë e vështirë dhe stresuese, por nuk mund ta thotë këtë gjë në rastin konkret.

“Qytetarët amerikanë nuk lejohen të hyjnë në Greqi apo Itali. Kam dëgjuar gjëra shumë të mira për njerëzit shqiptarë dhe përgjithësisht jam dakord”, shprehet G. dhe shpjegon se pse zgjodhi që në këtë periudhë të jetojë në Shqipëri.

Ata nuk kanë pasur asnjë shqetësim nga autoritetet, por janë të shqetësuar nga një lloj pakujdesie e njerëzve.

“I vetmi problem që kemi pasur gjatë udhëtimit tonë është shqetësimi që na shkaktuan disa njerëz, të cilët nuk mbanin maska apo që i mbanin maskat jo ashtu siç duhet, duke lënë zbuluar hundën. Me pak përjashtime, këtu është e natyrshme që njerëzit të mos e marrin seriozisht situatën, ose nuk e marrin seriozisht ashtu siç duhet”, - vijon G.J.

G.J. është një ndër shumë të huajt, që kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar gjatë kësaj periudhe pandemie.

P. P. është është një tjetër i huaj, i cili bashkë me të dashurën e tij kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar gjatë kësaj periudhe.

“Udhëtimi ishte në rregull, jo shumë i ndryshëm nga normali. Po, kishte maska kudo në aeroplan dhe aeroporte. Kishte dhe një dezinfektant ‘spray’ në hyrje të Tirana International Airport. Mbase dhe një matës temperature, por nuk e vura re askund… dhe më pas, asgjë e veçantë. Sigurisht, kishte dhe më pak njerëz në aeroport”, - shprehet ai për gazetën “Si”.

I lindur në Hollandë, P. ka shumë pak kohë që ndodhet në Shqipëri. Fillimisht, ai shpenzoi disa javë në Tiranë, pak para shpërthimit të COVID-19 dhe mbylljes për shkak të virusit. Ndërsa këtë javë ai u kthye në Berat.

“Nuk mund të them se jetoj vërtet këtu. Por do të jem këtu për rreth 6 muaj në vit për punë. Jetoj në apartment kur jam në Tiranë dhe në hotel në Berat.”,- shpjegon ai.

Teksa flet për shqiptarët për mbrojtën ndaj koronavirusit, ai thotë se ata janë as më pak dhe as më shumë të kujdesshëm se njerëzit në vendet e tjera.

“Çdo vend merret me COVID-in në mënyrën e tij (secili vend ka rregullore të ndryshme). Përherë e më shumë vende po vendosin detyrime për mbajtjen e maskave mbrojtëse. Unë nuk e shoh vërtet këtë gjë në Shqipëri. Por përsëri, bllokimi i mëparshëm në Shqipëri ishte më i fortë se në vendet e tjera. Do të duhen vite, përpara se të dimë se cili vend kishte qasjen më të mirë (ose fatin më të madh në zgjedhjen e masave). Sasia e rasteve në Shqipëri po rritet ngadalë, por krahasuar me shumë vende të tjera ka pak raste, ndoshta edhe sepse ka më pak testime.”

P. shprehet se e shoh Shqipërinë si “një vend që po zhvillohet, edhe pse në një farë mënyre paksa prapa Evropës Perëndimore”, por një vend që ka bukuri të veçanta.

“Në shumë mënyra ka hijeshi që nuk ekzistojnë më atje. Unë i dua njerëzit, fshatin dhe atmosferën. Isha këtu 4-5 vjet më parë, për një pushim të shkurtër dhe nuk duhej të prisja gjatë kur m’u kërkua të punoja për të filluar një biznes të ardhshëm. Shpresojmë se kjo do të çojë në më shumë vende pune për shqiptarët në të ardhmen dhe rritjen e ekonomisë vendore dhe vendeve.”, vijon ai.

Sipas Denica Kaca Bradley, administratore e “Expats in Albania”, një blog për të mbështetur emigrantët që vijnë në Shqipëri dhe themeluese e faqes së ëebit me të njëjtin emër (expatsinalbania.com), “të huajt kanë vazhduar të vijnë jo pak në Shqipëri edhe gjatë kësaj periudhe pandemie.”

“Në opinionin tim të huajt kanë vazhduar të vijnë në Shqipëri për disa arsye. Pjesa më e madhe e tyre janë shtetas amerikanë dhe arsyeja e parë është se Shqipëria i lejon të jetojnë në vendin tonë një vit pa vizë.”, thotë ajo.

“Shqipëria me sa di është goxha liberale me pjesën e hyrjes së të huajve në vendin tonë. Në ndryshim nga disa shtete, që i kanë bllokuar hyrje-daljet, Shqipëria është e lirë. Kjo pjesë ka ngelur te ndërgjegja e njerëzve. Asgjë nuk kërkohet këtu, madje kur ikin diku jashtë Shqipërisë, kur udhëtojnë diku, pyesin ku merren testet.”

Pavarësisht se të huajt vijnë në Shqipëri për shkak të kësaj lirie lëvizëse, ndonjëherë, pikërisht kjo liri është burim frike për këta emigrantë.

“Në disa evente që kemi bërë si “Expats in Albania”, evente takimi gjatë të shtunave në këto javët e fundit kanë ardhur vetëm një pjesë e vogël njerëzish për shkak të frikës nga COVID-19. Është shumë intensive pjesa e reagimeve negative, ose frika që ndonjëherë i bëjnë të kenë njëfarë reagimi gati ekstrem.  Këtë të diel, organizojmë pas pranverës, të parën ecje në natyrë, ecje, që në fakt i organizoj gjithë vitin. Do të shoh si do të jetë raagimi, por kemi problemin e transportit. Ndryshe nga shqiptarët, shumica e të huajve kanë shëmë më tepër frikë se ne. Unë nuk ofroj të marr furgon për grupin, se një pjesë e mirë do të thonë se preferojnë të vijnë me makinat e tyre për shkak të COVID.”

Sipas Denisa Kaca Bradley, të huajt vijnë në vendin tonë edhe si pjesë e grupit të lëvizjes nomade në botë, e cila ekziston prej 10 vitesh.

“Është një grup popullate që punon online dhe ka shijuar lirinë e jetesës, duke punuar online e kështu është krijuar kjo lëvizje, ku njerëzit lëvizin nga një vend në një tjetër.

Nëse bazohemi te amerikanët mund të them se vijnë në Europë, ku mund të rrinë tre muaj pa vizë në shumicën e vendeve e pas pak kohe vijnë në Shqipëri për një pauzë, pasi te ne, ashtu si dhe në Turqi jetojnë pa vizë.”, shpjegon Kaca Bradley.

Ajo vijon se në periudhën e COVID-19, të huajt nuk vijnë më në grupe.

“Nuk po vijnë në grupe, por njerëz që kanë familje këtu. Po bashkohen familjet, që janë ndarë për faj të Covid, ose ata që kishin planifikuar për një kohë të gjatë të vinin këtu. Megjithatë në këtë situatë është risk.”

Për Kacën janë disa arsyet se pse të huaj preferojnë Shqipërinë e një ndër to është klima.

“Koha është e mirë. Vendi ynë ka një klimë mesdhetare, që i tërheq këta të huaj nomadë. Diçka tjetër është edhe fakti se gjithnjë e më tepër në Shqipëri po vijnë të moshuar nga SHBA apo vende të tjera.”

D. K. Bradley shpjegon se pensionistë nga SHBA, të cilët nuk mund të ruajnë më stilin e jetesës që kishin më parë, atëherë kur punonin, largohen drejt vendeve të tjera, si Shqipëria.

“Ky grup historikisht ka kërkuar të gjejnë vende të ngrohta, ku mund të jetonin më lirë.  Mesatarisht, një pensionist në SHBA paguhet 1600 dollarë në muaj, që është pak për koston e jetesës atje. Dhe, të detyruar të lëvizin diku, ata po hapin spektrin e të menduarit dhe vendosin të udhëtojnë në Europë. Shqipëria dalëngadalë ka bërë goxha zhurmë me  ndryshimet, bukurinë natyrore, klimën etj., pra, vendi ynë po ekziston në hartën e këtye udhëtarëve.”

Ajo vëren se megjithatë gjërat në Shqipëri në disa aspekte nuk janë aq të thjeshta sa mund t’u duken në pamje të parë një pjese të të huajve.

“Shqipëria në pamje të parë duket shumë bukur, por ka goditje, që ne i dimë shumë mirë, ndërsa shumë të huaj nuk e dinë dhe e shohin realitetin me syze rozë. Harrojnë që është një vend në zhvillim dhe që sapo kemi dalë nga termi i botës së tretë.”

Një problem i madh për ata që vijnë nga jashtë në Shqipëri është mungesa e informacionit dhe shpërndarja jo e duhur e tij.

“Mungon informacioni, jemi shoqëri e paorganizuar përsa i përket mënyrës si shpërndahet informacioni”, - pohon Denisa Kaca.

Pikërisht për të mbushur paksa këtë mungesë, ajo themeloi Expats in Albania.

“Ëebi praktikisht i ofron këtij komuniteti informacionin që duan për ‘free’, si dhe shërbime. Unë vetë kam ikur nga Shqipëria kur isha 18 vjeç dhe kam jetuar 22 vjet jashtë. Jam kthyer me idenë që Shqipëria ka ndryshuar, pasi kur vija si turiste dhe shihja ndryshimet, besoja që ia vlente të kthehesha.”

Kështu, Kaca la Kanadanë dhe u kthye në vendlindje në 2014-ën.

“Në këto vite Shqipëria ka ndryshuar shumë nga pamja e jashtme, por ka akoma shumë mangësi të theksuara. Unë vetë ndihem dhe vendase dhe e huaj, pasi kam shtetësinë kanadeze, e që në fillim kam ndjenjën e mbrojtjes për dikë që vjen në kulturën tonë, pasi sa dashmiës dhe mikpritës jemi, kemi edhe elemente shumë të çuditshëm, gjë që është shumë surprizë e keqe për të huajt. Kemi një lloj pabesie, i përdorim njerëzit duke mos i dhënë informacionin e duhur, i manipulojmë për përfitimin tonë personal. Diçka e tillë ka ndodhur edhe me mua që jam shqiptare. Kështu që mendova, se kur nuk e evitova unë, imagjino të huajt. Ata që vijnë në Shqipëri kanë nevojë për një farë ure që t’i asistojë në njëfarë mënyre dhe t’i orientojë më mirë. Veç kësaj unë njoh kulturën vendase dhe atë amerikane dhe evropiane dhe jam ura lidhëse, gjë që e bëj me dëshirë.”,- tregon Denisa Kaca Bradley për gazetën “Si”.

 Grupi i ndërtuar nga Denisa, “Expats in Albania” është një ndër grupet më të mëdha që funksionon në Shqipëri përsa i përket të huajve në Shqipëri.

“Është një grup real aktiv, pa anëtarë ‘fake”, një grup me rregulla të fortë, për t’i shërbyer sa më mirë situatës”, shprehet ajo

Ky grup tashmë është zgjeruar edhe me faqen e ëebit me të njëjtin emër.

“Pas 6 vitesh punë vullnetare thashë se kishte ardhur momenti që të mendoja të krijoja edhe një punë të vogël për veten, duke ofruar një shërbim, për të cilin të huajt kanë patjetër nevojë.  Në Shqipëri informacioni është vështirë të gjendet, pavarësisht se tani situatë është përmirësuar.”

Denisa kujton se kur erdhi shtatë vite më parë nga Kanadaja në Shqipëri e kishte të pamundur të gjente online një marangoz për të cilin kishte nevojë.

“Në Shqipëri gjërat funksionojnë me: “fjala e gojës” apo “lekët cash”, disa gjëra, që lenë hapësirë për gabime dhe krijojnë probleme.

Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë