Shendet

Covid, a është e mundur të arrihet imuniteti i tufës? Çfarë thonë ekspertët

Tani që më shumë se gjysma e të rriturve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë të paktën një dozë të Covid-19 dhe një e treta janë vaksinuar plotësisht, në mënyrë paradoksale po shtohen zërat akademikë, që përjashtojnë mundësinë se së shpejti do të jetë e mundur të arrihet ai i vitit të shkuar, kur ishim shumë larg qëllimit dhe dukej një horizont i largët, por absolutisht për t’u përqafuar: imuniteti i tufës.

Nuk na intereson më si dikur

Një paradoks që buron nga fakti se në atë kohë, ne as nuk e dinim kur (dhe nëse) një vaksinë do të ishte në dispozicion, por ishim të bindur, se herët a vonë kjo do të na jepte "pragun" magjik të imunitetit të tufës (ajo kuotë e njerëzve të vaksinuar që vret qarkullimin e viruseve, duke mbrojtur në mënyrë efektive edhe ata që nuk vaksinohen).

Tani që vaksina ekziston, pikërisht në vendet që janë më përpara me fushatën e vaksinimit, "gjendja e artit" mund të shihet me të dhëna në dorë dhe distanca midis asaj që mund të shpresohet në një të ardhme pak a shumë të largët, është e matur me atë çfarë mund të arrihet tani.

Shkurtimisht: imuniteti i tufës është ende "një mirazh", por nuk ka "rëndësi" si më parë, në disa vende, ekziston një pjesë e mirë e imunitetit të përgjithësuar që na lejon të kthehemi në normalitet dhe të mbrojmë më të dobëtin dhe ndërsa fushata e vaksinimit vazhdon, "bashkëjetesa" me virusin bëhet e mundur.

Pragu i imunitetit që duhet të arrihet, rritet

Pse imuniteti i tufës është një qëllim i pakapshëm? Para së gjithash, llogaritet përqindja e njerëzve që shërbejnë si një prag: në fillim ishte vlerësuar rreth 60-70% e popullsisë.

Varianti mbizotërues, aktualisht në qarkullim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një pjesë të madhe të Evropës, ai “anglez” (B.1.1.7), është rreth 60% më i transmetueshëm.

Si rezultat, ekspertët tani llogarisin që pragu i imunitetit është rritur në të paktën 80%. Nëse zhvillohen edhe më shumë variante ngjitëse, ose nëse zbulohet se njerëzit e vaksinuar do të jenë akoma në gjendje të transmetojnë virusin, llogaritja do të duhet të rishikohet përsëri në rritje.

Variantet në qarkullim janë një nga të panjohurat që kanë ndikimin më të madh në llogaritjen e pragut. Tjetra është se sa do të zgjasë mbrojtja e ofruar nga vaksina ose infeksioni.

Shtresat e pa vaksinuara të popullsisë

Fushata e vaksinimit, pra, pikërisht në vendet në të cilat është në fazën e saj më të përparuar, po ngadalësohet: nuk është vetëm çështja e rezistencës ose kundërshtimit të vaksinave (që në çdo rast ekziston, në përqindje pak a shumë të mëdha dhe e cila mund të ndryshojë me kalimin e kohës), por edhe e vështirësisë në arritjen e pjesëve të caktuara të popullsisë dhe bindja e dobët ndaj grupeve më pak të rrezikuara (më të rinjtë, aq sa në disa vende u janë ofruar stimuj fëmijëve).

Le të mos harrojmë, pra, se imuniteti i tufës nuk do të jetë kurrë i plotë pa vaksinuar fëmijët: nëse nuk është e mundur të vaksinohen, do të duhen shumë persona më të rritur për të arritur kuotën e dobishme për imunitetin e tufës, mjafton të mendohet se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pothuajse 24% e njerëzve janë nën moshën 18 vjeç.

Kompanitë farmaceutike po përgatisin prova klinike, por do të nevojitet kohë dhe fushata ‘ad hoc’ informacioni.

Fëmijët duhet të imunizohen

"Në çdo rast, do të jetë e pamundur të arrihet imuniteti i komunitetit të paktën në të ardhmen pa vaksinuar të miturit, duke marrë parasysh që edhe një numër i të rriturve nuk do të dëshirojnë ose nuk do të jenë në gjendje të vaksinohen", - thotë imunologia italiane Antonella Viola, profesoreshë e Patologjisë në Universitetin e Padovës.

"Shumë do të varet gjithashtu nga mënyra se si virusi pëson mutacion dhe si reagon sistemi ynë imunitar: nëse imuniteti i pjesshëm i fituar, është i mjaftueshëm për të bllokuar efektet më serioze të virusit, ka të ngjarë që Covid-19 të fillojë t'i ngjajë një gripi, për shkak të të cilit ne numërojmë disa viktima çdo vit, por që përgjithësisht nuk shkakton sëmundje serioze. Nëse, nga ana tjetër, virusi fillon të shmangë përgjigjen imune të shkaktuar nga vaksinat, edhe për shkak të shfaqjes së varianteve të reja, do të duhet më shumë kohë për ta bërë atë të sillet si një grip sezonal”, - vijon ajo.

Pabarazitë kombëtare

Konsiderata e fundit: vaksina nuk do të shkojë kudo. Ekzistojnë ndryshime të mëdha në efikasitetin e shpërndarjes së vaksinave midis vendeve (madje edhe brenda tyre), por në një botë të globalizuar me një pandemi të përhapur, do të jetë e vështirë (siç ishte në fillim) të ndalohet virusi në kufijtë kombëtarë. Në disa zona të të njëjtit shtet, mund të ketë xhepa të rezistencës ndaj vaksinave, ku zhvillohen vatrat e sëmundjes. Nëse mbulimi është 95% mesatarisht në një vend, por 70% në një qytet të vogël, virusi mund të hapë rrugën përreth këtij qyteti. Rasti i Indisë, ku pandemia është jashtë kontrollit, rikthen temën e botës së globalizuar dhe pse kemi arritur një pandemi: shkëmbimet janë të vazhdueshme dhe virusi nuk njeh kufij.

Infeksionet gjithsesi zvogëlohen

Zbulimi se imuniteti i tufës nuk mund të arrihet kurrë, nuk lë hapësirë ​​për zhgënjim, pasi shumë shkencëtarë dhe ekspertë vijnë në përfundim se virusi ka shumë të ngjarë të bëhet një kërcënim i menaxhueshëm.

Gazeta amerikane “New York Times”, në një artikull të fundit mbi imunitetin e tufave, kujton që Dr. Anthony Fauci, këshilltari kryesor i administratës Biden për Covid-19, e pranoi këtë ndryshim në perspektivë: "Njerëzit menduan se kurrë nuk do të ishim në gjendje të zvogëlonim infeksionet derisa ta arrijmë këtë nivel “mistik" të imunitetit të tufës, pavarësisht nga numri i tyre. Kjo është arsyeja pse ne kemi ndaluar përdorimin e imunitetit të tufave në kuptimin klasik. Le ta harrojmë për një sekondë. Nëse vaksinojmë mjaft njerëz, infeksionet do të ulen”, - tha Fauci.

Qëllimi është që koronavirusi i ri të bëhet më i ngjashëm me “kushërinjtë” e tij që shkaktojnë ftohjen e zakonshme.

Për t'u kthyer në jetën normale dhe për të mbrojtur më të dobëtin, pragu nuk është aq i lartë: të dhënat e vendeve që janë përpara me vaksinat, tregojnë se infeksionet po bien, sikundër shtrimet në spital dhe vdekjet.

Virusi po qarkullon tani për tani, por me testet dhe masat e tjera të kontrollit që tashmë të gjithë i kanë mësuar, Covid 19 mund të mbahet nën kontroll.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë