Shendet

Covid-19, vaksinat funksionojnë kundër varianteve të reja dhe atyre “vdekjeprurëse”

Vaksinat “Pfizer” dhe “Moderna” funksionojnë mirë kundër varianteve të konsideruara "shqetësuese" të Covid 19 dhe aktualisht më të përhapura në Evropë: “anglez”, “brazilian” dhe “afrikano-jugor”. Studime të ndryshme të kryera nga shkencëtarë dhe kompanitë e tyre përkatëse farmaceutike e vërtetojnë këtë.

Efikasitet i lartë

I pari ka të bëjë me vaksinën “Pfizer”: në një studim të publikuar në "New England Journal of Medicine " dhe i kryer në Katar, shihet, se nga 31 marsi 2021, në më shumë se 265,000 njerëz që kishin marrë të dyja dozat, efektiviteti ishte prej 89.5% kundrejt variantit “anglez” B.1.1.7 dhe 75% kundrejt variantit “afrikano-jugor” B.1.351.

Të dhënat më domethënëse, janë ato me efektivitetin kundër sëmundjeve serioze, kritike ose fatale: 97.4% për të gjitha format e koronavirusit dhe 100% kundër të dy varianteve.

Sekuencat e kryera midis 23 shkurtit dhe 18 marsit, sugjeruan që rreth gjysma e infeksioneve të koronavirusit gjatë asaj periudhe, ishin shkaktuar nga B.1.351 dhe 44.5% nga B.1.1.7.

Mbrojtja në Izrael

Studimi i dytë i ri, i publikuar në revistën "The Lancet", u krye nga studiues nga Ministria Izraelite e Shëndetësisë dhe “Pfizer”-i. Ai bazohet në më shumë se 230,000 infeksione koronavirusesh që ndodhën në Izrael midis 24 janarit dhe 3 prillit.

Gjatë asaj kohe, B.1.1.7 përbënte gati 95% të të gjitha rasteve të koronavirusit në vend. Vaksina ka treguar se është mbi 95% efektive në mbrojtjen kundër infeksionit të koronavirusit, shtrimeve në spital dhe vdekjeve.

Ai gjithashtu funksionoi mirë tek të moshuarit me efikasitet mbi 94% (mbi 85 vjeç) në mbrojtjen kundër infeksionit, shtrimeve në spital dhe vdekjeve.

Vaksinat në botën reale, janë më "performuese" sesa në provat klinike dhe kjo është shumë inkurajuese. Të dhënat për variantet, janë gjithashtu të tilla, veçanërisht ndaj më të frikshmit, atij të Afrikës së Jugut, i cili në disa raste dukej se kishte "tejkaluar" vaksinat ose infeksionet e mëparshme.

Përgjigje e mirë me tërheqjen e vëmendjes

Përballë vaksinës së dytë të mARN-së, atë të “Moderna”-s, ka konfirmime të tjera: kompania farmaceutike menjëherë u angazhua të mendonte për një dozë të radhës të studiuar posaçërisht kundër varianteve.

Në një deklaratë nga e njëjta kompani (prandaj, këto nuk janë studime të kontrolluara dhe të verifikuara, si në rastin e dy paraardhësve të cituara) për shtypin, bëhet fjalë për efikasitetin e mirë në studimet e Fazës 2, të një doze tjetër mbi variantet “braziliane” (P.1) dhe “afrikano-jugore”.

Eksperimentet ishin të dy llojeve: një fuqizim me të njëjtën vaksinë, e cila gjeneroi antitrupa të mirë kundër variantit B.1.351, dhe një fuqizim me një vaksinë të formuluar kundër varianteve që gjeneruan antitrupa edhe më shumë.

Duhet gjithashtu të theksohet se kompania po punon për një kandidat "përforcues shumëvalent", që kombinon përforcuesin e vaksinës "klasike" (ajo që përdoret aktualisht), me përforcuesin e studiuar kundër varianteve.

Vaksinat e ARN-së përditësohen lehtësisht

Ajo që mbetet për t’u testuar, është se sa muaj zgjat mbrojtja e vaksinave të mARN-së për të vendosur se kur duhet të bëjmë dozën e radhës: tani jemi të sigurt për 6 muaj, por ne presim të dhënat për mundësinë që të zgjasë edhe një vit.

Në çdo rast, dozat e radhës (e dytë ose e tretë) do të jenë të shpejta dhe efektive. Me teknologjinë e re të ARN-së së dërguar, modifikimi i një vaksine kërkon shumë pak kohë, edhe nëse ekzistojnë variante të reja që imponohen (të tilla si ai “indian”), atëherë bëhet fjalë për kryerjen e studimeve klinike të cilat, në rastin e modifikimit të së njëjtës vaksinë, kërkon më pak kohë, edhe për procesin e miratimit të autoriteteve rregullatore.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë