Shendet

Covid-19 u shtoi takikardinë shqiptarëve

E.D ka rreth dy muaj, që është shëruar nga COVID-19. Ai kaloi një periudhë të vështirë për shkak të infeksionit.

Gjithçka filloi si një shtrëngim i lehtë në kraharor, gjendje e shoqëruar më pas edhe me lodhje dhe të përziera. Tashmë E.D ka aritmi në zemër, e cila mendohet se mund të ketë ardhur si pasojë e koronavirusit.

“Para se të prekesha nga COVID-19 nuk kisha pasur kurrë probleme me zemrën. Mjekët mendojnë se gjithçka mund të ketë ardhur pas prekjes nga virusi”,- shprehet ai.

Farmacistja M.C vëren se gjatë kësaj periudhe të pandemisë nuk mund të thotë nëse ka pasur më tepër se më parë shitje të ilaçeve të zemrës për shkak të koronavirusit, pavarësisht se pohon, se ka vërejtur stres të shtuar te pacientë të ndryshëm, të prekur ose jo me COVID, çka sipas saj ndikon edhe në shëndetin e zemrës.

“Njerëzit zakonisht vijnë dhe marrin në farmaci hollues gjaku, vitamina C dhe D apo multivitamina për rritjen e imunitetit. COVID-19 ul imunitetin në përgjithësi dhe prek gjithë organizmin, që do të thotë se edhe zemra preket. Megjithatë, nuk di të them nëse ka pasur shtim rastesh të atyre që kanë pasur problem me zemrën për shkak të COVID-19, sepse edhe shumë persona që janë të prekur me COVID-19 shpesh kanë turp ta pohojnë diçka të tillë kur vijnë në farmaci. Ka shumë të tillë, që nuk e tregojnë dhe unë e kuptoj që janë të prekur nga virusi nga ilaçet që marrin. Nga ana tjetër ndikon shumë edhe faktori psikologjik. Madje ka dhe persona, që nuk janë të sëmurë nga COVID-19 por janë shumë në ankth e përjetojnë shqetësim nga frika se mos janë prekur nga SARS COV 2”, shprehet M.C për Gazetën “Si”.

Ndërsa mjekja kardiologe Manjola Liko në Poliklinikën Qendrore shprehet se në bazë të përvojës së saj, COVID-19 ka ndikuar te persona të ndryshëm, duke sjellë luhatje të tensionit.

 “Ne si specialistë nuk kemi trajtuar raste me COVID, pasi përgjithësisht janë trajtuar te mjekët e familjes. Por, te unë personalisht kanë përfunduar pas një periudhe një mujore, që e kanë kaluar si sëmundje. Këta persona, një pjesë e madhe e të cilëve nuk kanë pasur më parë problem me shëndetin e zemrës apo tensionin, tani kanë luhatje të tensionit, kryesisht ulje të tensionit apo hipotension.”,- bën me dije Liko për gazetën “Si”.

Ajo shprehet se sipas saj, COVID-19 ka ndikuar në zemrën e këtyre pacientëve, duke dobësuar në disa raste edhe muskujt e zemrës, porse nuk mund të flasë konkretisht.

“Është shumë e vështirë për të thënë saktësisht se si ndikon, çfarë jep COVID-19 te zemra në përgjithësi. Por ajo çfarë di është se kur pacienti është i sëmurë me COVID-19 jep aritmi më të shpeshta, të cilat mund të jenë fatale dhe që çojnë në tromboza dhe arrest kardiak. Një pacient me sëmundje të zemrës, që mund të pësojë krizë dhe është i prekur me COVID është më i riskuar”, vijon Liko, ndërsa thekson se fatkeqësisht nuk mund të flasë në mënyrë statistikore dhe të dhëna konkrete, por vetëm në bazë të vëzhgimeve vetjake.

“Statistika, ne fatkeqësisht nuk kemi, pasi është vështirë të mbledhësh një database, edhe për faktin se ka fluks të madh vizitash dhe mjekët janë tepër të mbingarkuar, për t’i mbledhur, krahasuar dhe nxjerrë të dhëna në kohë reale”, përfundon mjekia kardiologe.

Ndërsa mjeku i familjes, Vladimir Shyqyriu bën me dije se gjatë kësaj periudhe, ai ka vërejtur shtim të rasteve të personave me probleme të lidhura me shëndetin e zemrës.

“Si shkak i panikut për tu infektuar nga Covid-19 rritet ankthi, që shoqërohet me rritje të tensionit arterial dhe të frekuencës kardiake (rrahjet e zemrës). Këto shqetësime mbahen nën kontroll nga mjekët dhe vetë pacientët, duke modifikuar dozat e barnave.”,- vëren Shyqyriu.

Ai shton se megjithatë, diçka pozitive është që pacientët kronikë janë ndërgjegjësuar, duke u bërë më të kujdesshëm në zbatimin e masave anticovid.

“Në këtë mënyrë kemi uljen e nivelit të ankthit. Ulja e nivelit të ankthit ndikon në stabilizimin e luhatjeve të tensionit. Situata aktuale për të sëmurët që vuajnë nga zemra dhe tensioni është më e qetë dhe e stabilizuar nga terapia”,- përfundon mjeku i familjes.

E vërteta është se disa studiues kanë dalë në përfundimin se virusi mund të ndikojë edhe në zemrat e të infektuarve me COVID-19.

Disa kohë më parë, një studim i publikuar nga Universiteti Edinburghut, i cili vëzhgoi më shumë se 1.200 pacientë nga 69 vende të ndryshme, zbuloi se më shumë se gjysma e pacientëve paraqisnin anomali në zemër, ndërsa 15 % e tyre vuanin nga sëmundje të rënda kardiake.

Sipas studimit, një në shtatë pacientë të shtruar në spital ka pësuar dëmtime të rënda në zemër, që mund të kenë një ndikim të madh në shëndetin e tyre.

Ndërsa një deri në tetë persona, të cilët nuk kanë vuajtur nga sëmundjet e zemrës më parë, pas infektimit kanë shfaqur shenja të theksuara aritmie. Gjetjet theksojnë ndikimin e COVID-19 në zemër dhe sugjerojnë që këta persona të jenë nën monitorim dhe skanim të vazhdueshëm.

Edhe një studim i ri i publikuar në JAMA Cardiology vëren se shumë pacientë, të cilët janë shënuar nga COVID-19 mund të shfaqin shenja të dëmtimit të zemrës, madje edhe javë apo muaj pasi janë ndjerë mirë.

Rasti i Eduardo Rodriguez është një shembull se si zemra mund të preket pasi je infektuar me COVID-19. Sipas raporteve mjekësore, basketbollisti i njohur zhvilloi miokardit, një inflamacion i muskujve të zemrës, pasi ishte prekur nga SARS COV-2.

“Ndërkohë që ka ende për të mësuar, ne kemi filluar të kuptojmë se COVID-19 mund të çojë në disa probleme të zemrës që mund të kenë pasoja afatgjata”,- shprehet thotë Bhudev Sharma, MD, një kardiolog në Qendrën Mjekësore JFK.

Edhe një studim kinez i botuar në Neë England Journal of Medicine tregoi se rreth 24 përqind e mbi 100 pacientëve me COVID-19 kishin probleme në zemër, shifër që rritet në 58%  kur merren parasysh personat në terapi intensive ose të vdekur. Kjo shndërron personat me probleme kardiake në një pjesë të shoqërisë me rrezikshmëri të lartë kur preken nga koronavirusi.

Ndërkohë, virusi jo vetëm i godet personat me probleme në zemër, por edhe i shkakton këto probleme. Studimet kineze në Ëuhan tregojnë se më shumë se 7 % i të infektuarve shfaqën dëmtime në zemër dhe kjo rritej në 22% të rasteve të rënda.

Por si ndikon COVID-19 në shëndetin e zemrës?

Viruset sulmojnë trupin duke infektuar drejtpërdrejt qelizat. Në rastin e COVID-19, virusi sulmon kryesisht mushkëritë. Megjithatë, kjo gjithashtu mund të bëjë që trupi të prodhojë një përgjigje imune tepër aktive, e cila mund të çojë në rritje të inflamacionit në të gjithë trupin.

Miokarditi mund të dëmtojë aftësinë e zemrës për të pompuar gjak dhe për të dërguar sinjale elektrike. Format e rënda të miokarditit mund të çojnë në probleme më serioze, si: ritmet jonormale të zemrës, sëmundje të muskujve të zemrës dhe pushim të zemrës.

Studimi i Universitetit Frankford në Gjermani zbuloi se më shumë se gjysma e pacientëve të studiuar që kishin COVID-19 kishin inflamacion të vazhdueshëm të zemrës. Studiuesit vunë në dukje se më shumë se dy të tretat e pacientëve, që morën pjesë në studim kishin një sëmundje të lehtë dhe u rikuperuan në shtëpi nga COVID-19.

“Shqetësimi tani është që edhe me një rast të lehtë të COVID-19, ekziston mundësia që mund të ketë inflamacion dhe dëmtim të zemrës suaj”, thotë Dr. Sharma.

Sidoqoftë është e rëndësishme të thuhet se anomalitë që shihen në studim mund të ndodhin edhe me infeksione të tjera virale dhe mund të jenë të përkohshme. Shumë raste të inflamacionit të lehtë të zemrës mund të mos shfaqin simptoma dhe të përmirësohen vetë.

Ndërkohë që ekspertët, shkencëtarët dhe kardiologët, janë akoma në studim e sipër të ndikimit të virusit COVID-19 tek shëndeti i zemrës, ajo që dihet deri më tani është se një numër i madh i të prekurve nga sëmundjet kardiovaskulare janë infektuar me COVID-19.

Kardiologët thonë se çdo infeksion viral e prek zemrën. Gjëja e parë që vërehet në organizmin e një pacienti të prekur nga virozat, është inflamacioni që është sistemik dhe gjendet edhe në enët e gjakut. Inflamacioni nxit aterosklerozën, rrit ndjeshëm rrahjet e saj dhe përkeqëson problemin. Gjithashtu, ajo që është mësuar nga epidemitë dhe pandemitë e mëparshme, është se sëmundjet e zemrës janë me të vërtetë problematike dhe kanë një nivel të lartë vdekshmërie, sepse pacientët vdesin nga shoku kardiak.

Studimi i studiuesve nga Spitali Universitar Hamburg-Eppendorf (UKE) zbuloi se virusi nuk është vetëm i aftë të pushtojë qelizat e zemrës, por gjithashtu është i aftë të ndryshojë aktivitetin e tyre.

SHENJAT QË DUHET T’JU DREJTOJNË TE MJEKU

Lodhje ekstreme, të përziera, shtrëngim gjoksi, dhimbje të forta koke dhe dhimbje të gjymtyrëve janë ndër shqetësimet e përsëritura të përshkruara nga disa të sëmurë të COVID-19 për javë dhe madje edhe muaj, pas diagnostikimit të tyre.  Nëse jeni infektuar me COVID-19 duhet të vazhdoni të monitoroni çdo simptomë të zgjatur dhe të bëni kontrolle të rregullta mjekësore. Megjithatë janë disa shenja për të cilat duhet të flisni patjetër me mjekun dhe që tregojnë se mund të keni probleme me shëndetin e zemrës: nëse ndjeni lodhje ekstreme, keni probleme me frymëmarrjen, enjtje të pashpjegueshme dhe dhimbje gjoksi.

“Megjithëse duhet të bëhen më shumë kërkime për të kuptuar efektet afatgjata të COVID-19 në zemër, ne e dimë që COVID-19 ndikon në zemër në dy mënyra”, thotë Dr. Sharma.

“Së pari, mund të shkaktojë drejtpërdrejt miokardit dhe mpiksje të gjakut dhe së dyti, mund të ndikojë indirekt në zemër duke përkeqësuar gjendjen ekzistuese të zemrës. Të gjithë duhet të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për të mbrojtur veten dhe të tjerët.”

Sipas Mehmet Emirhan Işık, mjek nga Universiteti i Shkencave Mjekësore në Stamboll, i cili njëkohësisht është edhe ekspert për infeksione dhe mikrobiologji klinike, “COVID-19 prek më keq njerëzit me hipertension, sëmundje në mushkëri dhe sëmundje të zemrës. Sëmundja gjithashtu rezulton në shumë komplikime kardiovaskulare.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi për Planin Global të Veprimit për të parandaluar dhe kontrolluar sëmundjet jo-kongjeniale, ku synohet të luftohet pirja e duhanit, ngrënia jo e shëndetshme dhe konsumimi i alkoolit.

“Dihet që njerëzit me sëmundje të zemrës janë më të rrezikuar sa i përket sëmundjeve infektive. Përderisa lufton me virusin, sistemet tona mbrojtëse gjithashtu mund të dëmtojnë pjesët e shëndetshme të trupit. Për shembull, mund të rrisë rrezikun e një sulmi në zemër te njerëzit me sëmundje koronare. Mund të prishë rrjedhën e gjakut dhe të shkaktojë hipertension. Për këtë arsye, pacientët me sëmundje të zemrës duhet të bëjnë kujdes shtesë në mbrojtjen e tyre nga virusi”, vërejti Işık.

Për këto arsye, ai thotë se temperatura nga COVID-19, humbja e lëngjeve të shkaktuara nga virusi dhe toksinat virale që prishin muskujt e zemrës rrisin rrezikun e sulmeve në zemër.

Ekspertët theksojnë se sëmundjet e zemrës mund të ndikohen nga mungesa e stërvitjes, ndërsa  duhet të shmanget pirja e duhanit dhe janë të rëndësishme edhe ushqimi i shëndetshëm dhe gatimi i duhur.

29 shtatori shënon Ditën Botërore e Zemrës, një ngjarje që organizohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me Federatën Botërore të Zemrës. Qëllimi kryesor i shënimit të kësaj dite është informimi i popullatës për faktorët që ndikojnë në paraqitjen e sëmundjeve të zemrës, si dhe masat parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e këtyre sëmundjeve.

Sëmundjet e zemrës janë ndër patologjitë më të shpeshta të diagnostikuara në sistemin shëndetësor shqiptar dhe shkaktari kryesor i vdekjeve në Shqipëri (i ndjekur nga sëmundjet cerbrovaskulare dhe tumoret).


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë