Ngjarje

Covid-19 u përhap në olimpiadën ushtarake të Wuhanit në tetor? Ishin edhe atletët nga Shqipëria

Mediat italiane ngrenë dyshimet se dhjetëra sportistë që morën pjesë në olimpiadën ushtarake të zhvilluar në tetor të vitit të kaluar në Wuhan janë rikthyer në atdhe të infektuar me koronavirusin e ri dhe më pas e kanë shpërndarë atë në vendet e tyre pasi janë rikthyer.

Mes delegacioneve që morën pjesë në këto lojëra ishte edhe Shqipëria. Delegacioni shqiptar përbëhej nga 9 persona, mes të cilëve edhe Luiza Gega. Kontaktuar nga Gazeta “Si” Gega thotë se vetë ajo dhe anëtarët e tjerë nga delegacioni shqiptar nuk kanë pasur asnjë problem shëndetësor.

“Asnjë s’ka pasur probleme shëndetësore nga ne. Në dijeninë time jo. Personalisht, s’kam pasur as shqetësimin më të vogël, as gjatë dy javëve që qëndruam atje, as kur jam kthyer. Nuk kam problem të them se kam pasur probleme, nëse vërtet do të kisha. Ndoshta ajo që thuhet se ka ndodhur në Vuhan mund të jetë edhe e vërtetë, por unë nuk kam pasur asnjë shqetësim. Po ashtu, edhe gjithë njerëzit që unë u kam ndenjur afër”, thotë Luiza Gega për Gazeta "Si", që zuri vendin të tretë në Lojërat Olimpike Ushtarake në Wuhan. Tani vazhdon ende të stërvitet në Kenia.

Anëtarë të tjerë të delegacionit që kanë përfaqësuar Shqipërinë në këto lojëra përforcojnë deklaratën e Gegës dhe deklarojnë se gjithë organizimi ka qenë perfekt, me fshat olimpik dhe kushte të rehatshme për sportistët. Burimet thonë se asnjë prej personave të delegacionit shqiptar nuk ka shfaqur asnjë lloj shqetësimi shëndetësor kur u rikthye në atdhe.

Lojërat olimpike ushtarake u zhvilluan nga data 14 deri më 28 tetor, me pjesëmarrjen e 10 mijë sportistëve nga më shumë se 100 vende të botës dhe vetëm në ceremoninë e hapjes kanë marrë pjesë mbi 70 mijë persona. Por, më shumë se rezultatet e garave në këtë olimpiadë, kjo garë në 28 disiplina sportive mund të hyjë në histori për infektimin masiv nga koronavirusi i ri.

Mediat italiane shkruajnë se pjesëtarë të ekipit italian në këto lojëra kanë shfaqur pas rikthimit në atdhe simptoma të ngjashme me ato të shkaktuara nga Covid-19. Pjesa më e madhe e tyre kanë menduar se bëhej fjalë për një grip, apo virozë të stinës, nisur nga fakti që në ato ditë as që mund të imagjinohej se çfarë do të pasonte më vonë.

“Corriere Della Sera” thotë se deri më tani gjithçka mbetet në kuadrin e një hipoteze, që përforcohet edhe nga fakti se në Francë një rast Covid-19 është konfirmuar tashmë si i regjistruar që në tetor të vitit të kaluar.

Autoritetet ushtarake italiane po hetojnë dhe në pyetje janë duke u marrë të 170 atletët e delegacionit italian që mori pjesë në lojërat olimpike ushtarake të Vuhanit. Mes dëshmive është edhe ajo e Matteo Tagliariol-it. Ai thotë se ka patur për disa ditë temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe probleme të mëdha me frymëmarrjen.

Vetë sportisti italian i dyluftimit me shpata thotë se nuk është në gjendje që të thotë nëse ishte koronavirus apo jo, por di të thotë që infektimin e kishtë në mushkëri dhe se për disa ditë ka patur temperaturë të lartë dhe dhimbje të forta koke.

“Pas Wuhanit jam sëmurë nga një influencë akute për të cilën jam detyruar që të marr ilaçe. Kohëzgjatja ishte më e madhe se zakonisht dhe sëmundja me kishte prekur mushkëritë. Ajo që di është që kam qenë vërtet keq dhe nuk di të them nëse ka qenë koronavirusi, apo jo. Por, sapo të normalizohet situata nëpër spitale do të paraqitem për të kryer testet e nevojshme”, thotë ai përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.

Të njëjtat simptoma janë konfirmuar edhe nga një numër i madhe atletësh të tjerë italianë, por edhe dy francezë dhe një amerikan, që të gjithë pjesëmarrës në këto lojëra. Rasti më i bujshëm është ai i atletes amerikane, Maatje Benassi. 52-vjeçarja amerikane garoi në çiklizëm në Vuhan dhe nga komplotistët akuzohet si personi që importoi virusin në SHBA. Për këta ajo merr çdo ditë kërcënime me vdekje dhe është e detyruar që të jetojë nën mbrojtjen e autoriteteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë