Ngjarje

Covid-19, sëmundja e çuditshme që prek fëmijët alarmon edhe Italinë

Mjekët në Itali janë të fundit që kanë ngritur alarmin për disa simptoma të çuditshme që po shfaqen tek fëmijët prekur me koronavirus, të cilët po shfaqin një sindromë të rrallë, por serioze inflamatore,

Ata nuk e kanë fshehur shqetësimin, duke thënë se numri i fëmijëve të prekur nga kjo sindromë në Bergamo të Italisë është rritur me 30 herë. Gjetjet e mjekëve italianë janë të ngjashëm me vëzhgimet e bëra javët e fundit nga zyrtarët shëndetësorë në Britani dhe Shtetet e Bashkuara.

Sindroma, e përmendur shpesh si "sindromë inflamatore multisistemike te fëmijët", i ngjan një gjendje tjetër të njohur si sëmundja Kawasaki, e cila zakonisht prek fëmijët nën moshën pesë vjeç. Sëmundja shkakton inflamacion në muret e arterieve të mesme dhe mund të dëmtojë zemrën.

Edhe pse sindroma e re gjithashtu përfshin inflamacion, ekspertët e sëmundjes infektive thonë se është ndryshe nga sëmundja Kawasaki. Simptomat përfshijnë ethe të vazhdueshme, skuqje të syve, inflamacion dhe funksionim të dobët në një ose më shumë organe.

Ekipi hulumtues në Spitalin Papa Giovanni XXIII në Bergamo, krahasoi rastet e fëmijëve të diagnostikuar me sëmundje Kawasaki dhe sëmundjen e re të ngjashme me të në spital midis 1 janarit 2015 dhe 20 prillit 2020.

Studiuesit zbuluan se ndërsa vetëm 19 fëmijë ishin diagnostikuar me ketë sëmundje në zonë në pesë vite, 10 raste të diagnostikuara që nga ajo kohë, të gjitha midis 17 Marsit dhe 14 Prillit pas përhapjes së pandemisë koronavirus në rajon. Kjo shifër paraqet një rritje 30-fish në shkallën e incidencës së sëmundjes, sipas studimit.

Tetë nga ata 10 fëmijë testuan pozitivë me koronavirus, megjithëse studiuesit paralajmëruan se të dy rezultatet negative mund të kishin qenë të rremë dhe njëri prej dy pacientëve negativ, kishte testuar pozitiv për të dytën herë.

Studiuesit gjetën disa ndryshime në dy grupet e pacientëve. Fëmijët e shtruar në spital pasi filloi shpërthimi Covid-19 ishin më të sëmurë dhe shfaqnin simptoma më të rënda. Gjashtë nga 10 kishin ndërlikime në zemër, krahasuar me vetëm dy nga 19 rastet e pranuara para pandemisë. Gjysma e pacientëve të rinj gjithashtu kishin shenja të sindromës së shokut, që është diçka që mjekët nuk e kanë parë në asnjë nga rastet para-koronavirus.

Fëmijët që u sëmurën nga sindroma që nga fillimi i pandemisë ishin gjithashtu më të rritur, rreth moshës shtatë e gjysmë mesatarisht, krahasuar me pacientët e viteve të mëparshme, mosha mesatare e të cilëve ishte vetëm tre vjeç.

Studimi kishte disa kufizime, përfshirë edhe faktin që u krye vetëm në Bergamo dhe jo në të gjithë Italinë.

Megjithatë, ndërsa studiuesit paralajmëruan se numri i rasteve ishte shumë i vogël dhe kërkohej hulumtim i mëtejshëm, ata thanë se rritja e rasteve pas pandemisë kërkonte studime të mëtejshme.

"Kjo gjendje mund të jetë serioze dhe kërkon një menaxhim të shpejtë dhe më agresiv," thanë studiuesit. "Gjetjet në studimin e ri duket se janë në përputhje me raportet e fëmijëve të tjerë që kanë sindromë inflamatore në të gjithë botën, përfshirë edhe Anglinë Jug-Lindore.

"Spitali i fëmijëve Evelina London ka më shumë se 50 fëmijë me një sindromë të ngjashme dhe ndërsa shumë pak të testuar pozitivë kur bënë tampnin, shumica e fëmijëve testojnë pozitivë për antitrupat Covid-19 kur testohen më pas", tha Dr. Julia Kenny, një konsulente e sëmundjeve infektive. "Këta fëmijë kanë treguar gjithashtu simptoma. Meqenëse kjo sindromë e re është identifikuar vetëm në katër javët e kaluara, do të jetë jetike të mësojmë më shumë rreth  saj dhe të përcaktojmë pse është i lidhur me Covid-19”, tha ajo.

Studiuesit në Itali, si dhe zyrtarët shëndetësor në Britani, kanë theksuar se sëmundja mbetet jashtëzakonisht e rrallë dhe se koronavirusi përgjithësisht prek fëmijët e vegjël më pak se të rriturit. Zakonisht fëmijët me Covid-19 mund të kenë simptoma të lehta.

“Në përgjithësi, sindroma inflamatore tek fëmijët duket të jetë një sindromë që vjen pas kalimit të një infeksioni”, tha Dr. Jeffrey Burns, një specialist i kujdesit kritik në Spitalin e Fëmijëve në Boston. "Kjo sindromë inflamatore nuk shkaktohet drejtpërdrejt nga virusi. Hipoteza kryesore është se ajo shfaqet për shkak të përgjigjes imune të pacientit", u shpreh ai. “Shumica e fëmijëve të infektuar me koronavirus nuk kanë nevojë as për trajtim në njësinë e kujdesit intensiv. Ne kemi trajtime të provuara që mund t'i përdorim si hollues gjakut dhe forcues imuniteti.”

Burns beson se më shumë raste do të shfaqen pasi Covid-19 të prekë më shumë njerëz. “Është një gjendje e rrallë, por pasojat e rralla të infeksioneve virale do të shihen më shpesh kur miliona njerëz të infektohen”, thotë ai.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë