Në pandeminë e Covid-19, njerëzit mbipeshë rrezikojnë më shumë, çka dhe ka bërë mjekët dhe studiuesit të përpiqen më shumë për të rimenduar mënyrën sesi kjo sëmundje trajtohet.
Ekspertët thonë se, në vend që të përqëndrohen vetëm në dietë dhe stërvitje, mjekët duhet të mendojnë një strategji shumëfishe që përfshin ilaçe të reja, terapi dhe pse jo edhe kirurgji dhe për të pasur rezultatet më të mira dhe se kjo qasje duhet të mbikëqyret nga mjekë të trajnuar posaçërisht në trajtimin e mbipeshës.
Kriza e tanishme po rrit nevojën për trajtim më të mirë të mbipeshës, por problemi ka qënë duke u rritur çdo vit e më shumë. Të dhënat e reja tregojnë se niveli i mbipeshës në Amerikë ka arritur në 42.4%, nga 30.5% në 1999-2000 dhe shumë prej të prekurve janë minorenë dhe njerëz me vështirësi ekonomike ku dhe kujdesin shëndetësor nuk e marrin aq sa duhet.
Ekspertët e shohin obezitetin si një sëmundje kronike dhe po bëjnë presion për mbulim më të gjerë të kostove të trajtimit. Shkencëtarët tani e dinë që yndyra e tepërt mund të shndërrohet në “yndyrë të sëmurë”, duke shkaktuar presion të lartë të gjakut, sëmundje të zemrës dhe kancer.
Njerëzit që rezultojnë pozitiv me Covid-19, në krahasim me njerëzit me peshë normale, pacientët obez kanë më shumë të ngjarë të kenë probleme të tjera kronike dhe probleme pulmonare, si astma dhe sëmundjet e mushkërive, që rrisin rrezikun.
“Është dashur një sëmundje shkatërruese dhe potencialisht fatale si Covid-19 për të hedhur dritë mbi obezitetin, për të cilin gjithmonë është menduar si një sëmundje e vështirë për t’u trajtuar.” thotë Robert Kushner, profesor i mjekësisë në Universitetin Veriperëndimor dhe drejtor i Qendrës Veriperëndimore të Mjekësisë.
Këtu janë disa zhvillime, më të rejat që premtojnë shumë përsa i përket mbipeshës
Të shkoni në një specialist
Një pengesë e madhe për një trajtim më gjithëpërfshirës të mbipeshës është se shumë mjekë nuk kanë marrë trajnime të specializuara. Kjo është një arsye pse mjekët kanë tendencën ta trajtojnë gjithë sëmundjen si çështje të të ngrënit më pak dhe të lëvizjes më shumë dhe kur kjo nuk funksionon, ata shpesh e shohin atë si dështim nga ana e pacientëve, në vend që ta shohin si një gjendje që mund të jetë jashtë kontrollit të tyre.
Për shembull, sa më shumë të ulin kaloritë që marrin dhe të ushtrojnë, aq më shumë metabolizmi dëshiron të kompensojë çdo gjë duke lëshuar hormone që rrisin oreksin.
Pikërisht për këtë duhet një specialist, që ta shikoje çeshtjen më thellë dhe të dijë problemet e vërteta.
“Askush nuk po e mohon se ekziston një mundësi që pacienti e ka në dorë mbipeshën, por është gabim dhe e rrezikshme të fajësohet plotësisht sjellja e një individi kur ka aq shumë prova që tregojnë se trupi i njeriut nuk funksionon normalisht kur është mbipeshë,” thotë Dr. Rekha Kumar, endokrinolog që trajton pacientët në Qendrën e Kontrollit Gjithëpërfshirës të Peshës
“Weill Cornell Medicine” në Nju Jork.
Ai thotë se shumë mjekë tashmë e dinë rolin e rëndësishëm që ata mund të luajnë në trajtimin e pacientëve obez dhe tani ekziston një fushë e tërë ilaçesh vetëm për t’u ofruar këtyre pacientëve një trajtim me cilësi të lartë, të bazuar në prova.
Specialistët shohin bashkëveprimin kompleks të faktorëve biologjikë, gjenetikë, psikologjikë dhe mjedisorë që kontribuojnë në mbipeshë për të dhënë ilaçet e duhura që do të bashkëveprojnë dhe me dietën, ushtrimet dhe gjendjen psikologjike të pacientëve.
Caroline Andrew përfundoi një trajnim në qendrën Weill Cornell në vitin 2018 dhe tani punon në Spitalin për Kirurgji Speciale në Nju Jork.
Ajo punon me pacientët për të paktën tre deri në gjashtë muaj për të humbur 5% deri në 10% të peshës së tyre trupore, gjë që mund të japë përfitime të menjëhershme në uljen e dhimbjeve dhe përmirësimin e presionit të gjakut dhe rrahjeve të zemrës, ndër të tjera. Përveç kësaj, Dr Andrew mund të këshilllojë ose të japë një ilaç për humbje peshe, ose t’i drejtojë pacientët te një terapist ose dietolog për ndihmë shtesë.
Një pacient, John Kelly, 56 vjeç, kishte luftuar me peshën e tij për vite me rradhë, për shkak të një “jete të rrethuar nga ushqimi”. Ai punonte në një lokal, punonte dhe kuzhinier si dhe menaxher për ushqimin dhe pijet në një hotel.
Ai peshonte 169 kg dhe kurrë nuk ishte në gjendje të mbante një dietë.
Dr Andrew e filloi trajtimin me “metformin”, një ilaç për diabetin por që ndikon dhe në humbjen e peshës.
Ai hoqi dorë nga ushqimet me shumë kalori që hante dhe ai thotë se Dr Andrew i dha forcën t’i përmbahej fjalës për të rënë të paktën 1 kg në çdo takim. Për tetë muaj, ai humbi 35 kg.
Tani ai është në gjendje të stërvitet më shumë dhe vazhdon terapitë me Dr. Andrew për mbajtjen e humbjes së peshës.
Bordi Amerikan i Mjekësisë vazhdon të bëjë trajnime për të shtuar specialistët e obezitetit ku tani janë 4152 mjekë të çertifikuar në Amerikë dhe Kanada.
“Ne dëshirojmë që mjekët të jetë në gjendje të merren me mbipeshën dhe pacientët me mbipeshë, duke e kuptuar problemin me një bisedë,” thotë Louis J. Aronne, drejtor i qendrës së kontrollit të peshës në qendrën “Weill Cornell”.
Trajnimi përfshin një sërë fushash. Një nga më të rëndësishmet: trajtimi i pacientëve me ndjeshmëri. Mjekët mësojnë të krijojnë një mjedis miqësor me pacientin, duke nxitur stafin që të jenë të kujdesshëm me gjuhën, siç është “një pacient që ka mbipeshë” në vend të “pacientit të trashë” për të shmangur etiketimin e pacientëve nga sëmundja e tyre. Pastaj, në vend që të ndjekin një dietë specifike, mjekët inkurajohen të dëgjojnë pacientët për preferencat e tyre të ushqimit dhe cilat dieta ose programe ushtrimesh kanë qenë efektive ose joefektive në të kaluarën. Duke u nisur nga kjo, mjekët përshkruajnë një regjim të bazuar në preferencat e pacientëve dhe gjendjen shëndetësore dhe përcaktojnë nëse ilaçet për humbje peshe ose procedurat kirurgjikale janë të përshtatshme.

Sadaf Mustafa, mjek në “MedStar Health” në Baltimore dhe profesor në Universitetin “Georgetown”, vendosi të bënte trajnimin dhe të certifikohet në mjekësinë e mbipeshës para dy vitesh. Trajnimi e ndihmoi atë të komunikojë me pacientët dhe të kuptojë më mirë se si disa ilaçe të përdorura për të trajtuar sëmundje të zakonshme si diabeti dhe depresioni mund të shkaktojnë shtim në peshë. Ai këshillon ilaçe alternative që janë po aq efektive pa efekt anësor të shtimit të peshës ose që mund të ndihmojnë në humbjen e peshës.
“Ndryshimi i një grupi ilaçesh në tjetrin mund t’u japë pacientëve një përfitim të madh dhe ky ishte një hap i madh për mua,” thotë Dr. Mustafa.
Pranimi i ilaçeve dhe operacionit
Ekzistojnë gjithashtu shenja që një pengesë e madhe për trajtimin e mbipeshës po fillon të humbasë: rezistenca ndaj humbjes të peshës! Hulumtimet e fundit kanë treguar që disa operacione janë efektive në një gamë më të gjerë të pacientëve nga sa mendohej dhe ilaçet e reja që po përdoren janë shumë më të sigurta dhe më efektive sesa ato të hershme. Kjo bën që operacionet dhe ilaçet të shihen si kurues për obezitetin çka dhe bën që këto të dyja të mbulohen nga sigurimet, ndryshe nga e kaluara.
Gayle Novak, 57-vjeç nga Çikago, thotë se pesha e saj u rrit në gati 129 kg gjatë disa viteve dhe ajo filloi të ketë probleme shëndetësore, përfshirë presionin e lartë të gjakut.
Doktor Kushner në Qendrën e “Northwestern”, ndihmoi që ajo të hartojë një plan diete, i cili përqendrohet në zgjedhje të shëndetshme dhe agjërime të ndërprera, por i lejon asaj të mbajë disa ushqime që ajo preferonte.
“Ai mori kohën për të më njohur, për të njohur historinë time, për të njohur problemet e mia mjekësore dhe të kuptojë se çfarë bën dhe nuk bën për mua”. tregon Gayle.

Ai gjithashtu i dha ilaçin “Qsymia”, i cili ndihmon në frenimin e dëshirave dhe kontrollit të sasisë së ushqimit që konsumonte.
Trajtimi nuk është përqendruar vetëm në çështje fizike. Zonja Novak ishte përballur me vdekjen e motrës dhe shoqes së saj më të mirë në një kohë shumë të shkurtër.
Një pjesë e trajtimit të saj ka qenë terapia për të përballuar trishtimin dhe stresin që qonte në dëshirë për të ngrënë. Pas një viti ajo humbi rreth 35 kg. Gjatë pandemisë, ajo ka qenë duke punuar nga shtëpia dhe duke zhvilluar seanca telefonike dhe video me Dr. Kushner dhe terapistin e saj. Ajo përpiqet të dalë jashtë për të ecur çdo ditë dhe të bëjë stërvitje në shtëpi.
“Unë nuk kam lejuar që stresi dhe e pazakonta e kësaj periudhe të më kthejnë te zakonet e vjetra,” thotë Znj. Novak.
Burimi:WallStreetJournal\Përktheu:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje