Ngjarje

Covid 19, rikthehen qeset e ushqimeve dhe ndërresat jashtë Spitalit Infektiv (Foto)

Me shtimin e infektimeve të reja me Covid 19 në vend për shkak të variantit Delta, është rritur edhe numri i personave të pranishëm që kanë familjarë të shtruar në Spitalin Infektiv.

Këtë të mërkurë, prania e tyre pranë kangjellave të Covid 1 ka rënë në sy, për shkak se mbanin në dorë  qese me ushqime dhe ndërresa për familjarët e tyre.

Skena të tilla janë parë në shkurtin e shkuar, kur ka pasur edhe një mbingarkesë në spitalet Covid në Shqipëri. Një fenomen i tillë u kthye në shqetësim për opinionin publik, duke ngritur dyshime për funksionimin e plotë të kapaciteteve spitalore.

Por ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u justifikua se dërgimi i ushqimeve nga familjarët për pacientët me COVID, është bërë jo sepse spitalet nuk  kanë kapacitete dhe mungesa ushqimore, por si një mundësi komunikimi me të afërmit e tyre.

Manasrtirliu argumentoi se bëhet fjalë për një vendimmarrje të strukturave të spitaleve për të lejuar një komunikim me familjarët edhe për ushqimin apo ndërresat.

Për momentin, vetëm Spitali Infektiv në QSUT pret pacientë të shtruar me koronavirus. Sipas autoriteteve shëndetësore, pritet që brenda pak ditësh, duke parë dhe fluksin e shtuar të të infektuarve, të rihapet spitali Covid 3 që ndodhet në godinat e QSUT-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë