Shendet

Covid-19, pse kaq shumë fëmijë po vdesin nga virusi në Brazil?

Në Brazil, masat ndaj pandemisë nuk janë liruar dhe shumë epidemiologë po pyesin pse COVID-19 prek kaq keq edhe fëmijët në vendin e Amerikës së Jugut.

Ka ende mbi një mijë vdekje dhe më shumë se 37,000 infeksione të reja çdo ditë, për një total prej mbi 474,000 viktimash që nga fillimi i emergjencës shëndetësore.

Dhe mjekët konfirmojnë se në kundërshtim me atë që pretendon presidenti Jair Bolsonaro - sipas të cilit shifrat janë të fryra - numri i mundshëm është më i lartë për shkak të mungesës së stafit në qarqe të ndryshme shëndetësore.

Komuniteti shkencor ka frikë se situata do të përkeqësohet më tej në javët e ardhshme, për shkak të mbërritjes së dimrit “austral” (nga 21 qershori, deri në 22-23 shtator) dhe rritjes së incidencës së sëmundjeve të ndryshme të frymëmarrjes në atë periudhë.

Ajo që mbase shqetëson më shumë mjekët, është fakti që Covid-19 po shkakton sëmundje të rëndë tek fëmijët brazilianë në nivele që nuk janë parë kurrë në pjesë të tjera të botës.

Një studim i Dr. Fatima Marinho nga “Vital Strategies”, një organizatë jo-qeveritare, zbuloi se më shumë se 2,200 fëmijë nën moshën 10 vjeç, kanë vdekur nga koronavirusi.

Megjithëse ky numër përfaqëson më pak se 0.5% të vdekjeve totale të Covid-19 në Brazil, më shumë se 900 vdekje kanë ndodhur tek fëmijët nën moshën 5 vjeç.

“Pse kaq shumë fëmijë në Brazil janë të shtruar në spital dhe po vdesin nga Covid-19? - pyesin pediatri Peter J. Hotez dhe epidemiologu Albert I.Ko, në një editorial të publikuar në gazetën amerikane “New York Times” - Identifikimi i përgjigjes është thelbësor, jo vetëm për shëndetin e fëmijëve në Amerikën e Jugut. Është gjithashtu kritike për të kuptuar se çfarë rruge mund të ndjekë pandemia e koronavirusit në të ardhmen. Një shpjegim i mundshëm qëndron në variantet që shfaqen në Brazil”.

Lloji mbizotërues i koronavirusit që qarkullon në vend, është varianti P.1, "i lindur" në Amazonë - tani i riemëruar "Gamma" nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Ashtu si ‘Beta’ (emri i ri për variantin B. 1.351, i cili u identifikua për herë të parë në Afrikën e Jugut), varianti ‘Gamma’ është më i transmetueshëm se linjat e mëparshme të virusit dhe mund të jetë në gjendje të shpëtojë pjesërisht nga antitrupat e prodhuara nga një infeksion Covid-19 ose vaksinë, - konfirmojnë dy mjekët. - Ekziston mundësia që të njëjtat mutacione që e bëjnë “Gama”-n më të transmetueshme, gjithashtu të kontribuojë në nivele më të larta të infeksioneve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve midis fëmijëve”.

Pavarësisht skenarit shqetësues shëndetësor, Brazili do të presë dhjetë ekipe futbolli të Amerikës së Jugut këtë javë, të cilët do të luajnë finalet e Kupës së Amerikës, duke filluar nga 13 qershori.

Megjithëse nuk do të ketë publik në stadiume, veprimtaria do të mobilizojë mijëra njerëz në të gjithë territorin brazilian.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë