Shendet

Covid-19 nxorri në dritë dështimin e modelit shqiptar të ndërtimit të “getove” në Tiranë

Gjatë një takimi të fundit me epidemiologët e Tiranës, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se do të shtohen dhe 300 staf mjekësorë, për të përforcuar punën në terren, spital dhe laborator.
Në këtë takim, njëra nga mjekët epidemiologe, u shpreh se tashmë përhapja e virusit në vendin tonë ishte komunitare dhe zonat më të prekura sipas vëzhgimit të epidmiologëve në terren ishin zonat rurale, por edhe disa nga lagjet e mëdha të banuara të Tiranës.

“Në punën tonë të përditshme prej pesë muajsh, në terren na ka ndodhur ajo që thatë edhe ju, që kryesisht vatrat më të rëndësishme janë zonat rurale siç është Astiri, Fresku, deri diku edhe Kodra e Diellit. Ajo që është më kryesore është se vatrat janë komunitare sidomos me hapjen e vashës orare dhe me vijimin e eventeve mortore, festash, që marrin pjesë grupe të konsiderueshme të rinjsh dhe kjo është ajo çfarë kemi vërejtur,” u shpreh mjekja epidemiologe.
Më tej në deklaratën e tyre mjekët cilësuan se transmetimi i virusit vijon në dy linja, atë në familje dhe atë në punë, ndërkohë që shtojnë se janë rritur rastet e infektimit tek moshat e reja.
Ndërkohë po në këtë takim Ministrja Manastirliu shpjegoi se institucionet shëndetësore po përgatiten për periudhën vjeshtë-dimër.
"Ne po përgatitemi për vjeshtë-dimrin, që sigurisht do të jetë i vështirë, por po përgatitemi të fuqizojmë asetet sa i përket burimeve njerëzore, epidemiologët, punonjësit në shërbimet e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor jo vetëm në Tiranë, ku janë dyfishuar ekipet por edhe në të gjithë qarqet, në mënyrë që në terren të kemi më shumë epidemiologë, më shumë punonjës, të cilët të mundet të kenë prioritet jo vetëm testimin, por edhe gjurmimin, hetimin për kufizimin e infeksionit", tha Manastirliu.
Gjithashtu në këtë takim Manastirliu deklaroi edhe një herë se qytetarët duhet të jenë të kujdeshëm duke mos neglizhuar asnjë nga masat anti-Covid.

Por, përtej deklaratave çdo ditë e më shumë optimiste të Ministres, problemet në terren vazhdojnë, ku shqiptarët duhet të presin me ditë, në mos me javë, e në mos ndonjëherë fare, për marrjen e një tamponi. Pavarësisht faktit se vendi ka mjaftueshëm bazë materiale, ajo që dihet është se vendi nuk ka kapacitete, nuk ka strategji, dhe nuk po di as se si të kanalizojë sa dhe si duhet paratë, ndihmat dhe bazën materiale të ofruar nga donatrët siç janë Banka Botërore apo Bashkimi Europian për përballimin e pandemisë.Ky është një problem që Shqipëria e trashëgon nga mungesa e ngritjes së një strukture funksionale, si dhe nga mungesa e profesionalizmit në drejtim, kur situata është emergjente.Ajo që del përtej përgjegjësive të ministrisë së Shëndetësisë është fakti se, nëse është vërtetë se tre nga vatrat më të rrezikshme në Tiranë janë zona e Freskut, Astirit dhe Kodrës së Diellit, kjo nxjerr zbuluar dështimin me ndërtimet në kryeqytet. Të treja këto zona kanë të përbashkëta ndërtimet pa kufi dhe pa kriter, mungesën e distancave dhe mbipopullimin me njerëz, mungesën e hapësirave dhe parqeve publike. Në këtë mënyrë, në vend të ndërtojmë zona rezidenciale për qytetarët, keni ngritur geto ku virusi vendos festen mbi kokë dhe bën festë ditën edhe natën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë