Ngjarje

Covid-19, një vit që duhet harruar…

Alarmi nga shteti fqinj Italia kishte ditë që buiste. Qysh prej fund janarit. Por zyrtarisht Shqipëria konfirmoi dy rastet e para me Covid-19, me 8 mars nga një baba dhe djali i tij që ishin kthyer në rrugë tokësore nga Italia.

Shqipëria ende nuk kishte dalë nga një tjetër ngjarje e rendë, tërmeti i 26 nëntorit ku gjetën vdekjen 51 persona dhe u plagosën mbi 900 të tjerë.

Ditën që Shqipëria shënoi zyrtarisht dy rastet e para u ndaluan  fluturimet dhe tragetet që vinin nga zona veriore e Italisë deri në javën e parë të Prillit. Çdo person që do të hynte gjithashtu nga Italia duhet të vetkarantinohej.

Vendimi i parë i kryeministrit Rama lidhej me mbylljen e shkollave për dy javë, por që zgjati deri në fund të semestrit.

Më 11 mars u shënua vdekja e parë nga Covid-19. Ajo ishte një grua 73 vjeçare që vdiq në Durrës.

Personat e parë të infektuar me Covid-19 kishin histori vizitash apo udhëtimi me shtetin fqinj Italinë.

U njoftua gjithashtu mbyllja e qyteteve që ndaheshin sipas  numrit të infektuarve. Filloi më Tiranën dhe Durrësin për të vijuar më pas me Shkodrën. Lezhën, Elbasanin, Fierin dhe Vlorën. Disa nga masat ishin; ndalim lëvizje, ndalimi i makinave private dhe mbyllja e të gjithë bizneseve (me përjashtim të farmacive dhe dyqaneve ushqimore).

Këmbësorët mund të lëvizin vetëm sipas një orari të caktuar. Ndërsa fundjavat u kthyen në izolim të plotë.

Mbrëmjen e 24 marsit Qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Ndërkohë, bonusi prej 1000 eurosh iu shtua pagave të stafit mjekësor atyre në vijën e parë, dhe një pagë prej 500 eurosh iu shtua pagës së infermierëve.

Baret, restorantet, palestrat, diskotekat dhe vendet me muzikë live mbetën të mbyllura. Kishat gjithashtu inkurajuan besimtarët të ushtronin ritet në shtëpi.  Kisha Katolike pezulloi të gjitha aktivitetet dioqezane dhe famullitare. Ato mbeten të hapura vetëm për rrëfime personale gjithnjë në distancë, si dhe lutje personale në një distancë nga njeri tjetri. U mbyllën fluturimet një e nga një, ndërsa qeveria mobilizoi fluturime të posaçme për të marrë shtetasit shqiptare në disa vende të rajonit që kishin mbetur jashtë si rezultat i masave të befta që shoqëruan jo vetëm Shqipërinë, por gjithë Evropën.

Administrata u kthye të punojë online nga shtëpia, ndërsa mbetën të hapura shërbimet e para për njerëzit, por gjithnjë në masa të rrepta anti-Covid.

Gjendja e fatkeqësisë natyrore përfundoi vetëm në fund të muajit qershor duke u shtyrë dy herë nga Kuvendi.

Gjatë asaj periudhe, Këshilli i Ministrave nxori 17 akte normative me fuqinë e ligjit, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Të gjitha aktet u miratuan në Kuvend në seancat e muajit prill 2020. Vendimet iu referuan Komitetit Teknik të Ekspertëve, por pati edhe nisma të rëndësishme politike, siç ishin ndryshimet në Kodin Penal, pakti për reformën zgjedhore, ndryshime në legjislacionin mbi investimet strategjike, nisma për ligjin e Policisë së Shtetit apo për amnisti fiskale, vendimi për kalimin e Teatrit në varësi të bashkisë Tiranë që çoi më pas edhe në prishjen e tij si dhe falje të gjobave të mbi 7000 personave që nuk kishin respektuar masat mbrojtëse ndaj Covid-19.

Por vijuan paralelisht edhe nënshkrime të kontratave me vlera të mëdha financiare në kuadër të PPP-ve apo investimeve strategjike.

Nuk ndaloi as procesi i rindërtimit si pasojë e tërmetit të rëndë të një viti më parë. Janë në rindërtim 54 shkolla të reja nga 158 që do të ndërtohen në total. Në Durrës deri më tash  458 pallate janë në proces rindërtimi, nga 615 të dëmtuara.

Vijon ndërkohë mbështetja me bonusin e qerasë për 13 mijë familje deri në ditën që do kthehen në apartamentet e tyre.

Zonat më të mëdha të rindërtimit janë Shijaku, Gosa, Kamza, Rrashbulli, Bupqi, e Laçi.

Mbetet ende punë për të bërë në këtë drejtim edhe pse ka kaluar një vit nga tërmeti.

Pandemia, karantina dhe masat e marra lanë pasoja të mëdha në ekonomi. Qeveria mori përsipër vetëm dy paketa të ndihmës ekonomike, përmes asaj që u quajt paga e luftës.

U vendos heqja e taksës për biznesin e vogël, konkretisht  zero taksë mbi fitimin për biznesin e vogël dhe me zero TVSH, plus taksë zero për të gjitha bizneset e vogla me një xhiro deri në 100 mijë dollarë në vit. Vendimi për bizneset e vogla hyn në fuqi nga 1 janari.

Rreth 53 mijë punonjës përfituan nga garancia sovrane. Për periudhën mars-qershor zyrtarisht rezultuan të papunë 33 mijë persona. Sot nga qeveria raportohet se  20 mijë prej tyre janë rikthyer në vendin e punës.

Këto janë vetëm të dhënat zyrtare, ndërsa pati raportime nga biznese të vogla se ishin mbyllur për shkak të pandemisë, numri i të larguarve nga puna ishte më i madh, turizmi dhe fasonët vijojnë ende të vuajnë pasojat e masave shtrënguese.

Qeveria vendosi ndërkohë fshirjen e kamatëvonesave të energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël ndërsa dyfishoi ndihmën ekonomike edhe për vitin e ardhshëm si afatin maksimal.

Paralelisht iu morën do masa edhe ne sektorin e shëndetësisë ku pas disa muajsh zvarritjesh Shqipëria ka aktualisht kapacitete deri në 1600 shtretër shtesë për përballimin e pandemisë, janë hapur 4 spitale të specializuara për trajtimin e Covid-19 dhe po hidhen sytë edhe tek spitalet rajonale stafi i të cilave prej kohësh është përfshire ne trajnim.

Vetëm pas disa muajsh pandemi ku shumica e njerëzve u trajtuan në shtëpi, qeveria vendosi mbulimin e  skemës së rimbursimit të paketës bazë të barnave ndaj tyre.

As Kryeministri Edi Rama dhe as Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ka njoftuar në asnjë rast deri më tash rikthim të vendit në karantinë. Deri më tash kemi vetëm kufizime të lëvizjes, vendosje të orës policore, dhe ndalim të grumbullimeve mbi 10 veta, ndalim të festave, dasmave e organizim mortesh.

Shkollat e larta vijojnë studimin online. Ndërkohë klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) vijuan normalisht procesin mësimor deri në fund të nëntorit. Nga 1 dhjetori klasat nga 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 kanë zhvilluar mësim të alternuar, dy ditë në shkollë dhe tre ditë online. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar gjithashtu se pushimet e fundvitit do të zgjasin deri në datën  11 janar. 

Deri më tani zyrtarisht raportohet se janë kryer 260,560 testime nga të cilat 57,727 raste pozitive, 33,185 janë raste të shëruara, 23,368 janë raste aktive dhe  1174 persona kanë humbur jetën... Kjo është vetëm panorama zyrtare e deri fund vitit. Por jo situata reale. Pati shumë prej qytetarëve që për arsye nga më të ndryshmet e kaluan Covid-in në kushte shtëpie, pa bërë një tampon, duke u ndjekur privatisht nga mjekë e infermiere me një kosto jo të vogël financiare në varësi edhe të gjendjes shëndetësore të gjithësecilit

Ndërsa opozita ka denoncuar se ka më shumë te vdekur nga Covid sesa janë raportuar zyrtarisht, kryetari i opozitës, Lulzim Basha parashtroi një plan masash se si mund të dilet nga kriza. Ai ka shigjetuar prej muajsh qeverinë se nuk diti të menaxhojë pandeminë si duhet, dhe nuk ofroi paketa financiare të nevojshme për biznesin.

Viti 2020 mund të konsiderohet një vit i vështirë në të gjitha planet, ndërsa Shqipëria u detyrua të vuaje pasojat jo vetëm të pandemisë, por edhe tërmetit.

Pasiguria, të panjohurat, por edhe pasojat në ekonomi do të na shoqërojnë gjatë, sa kohë që edhe pandemia po na mëson se do të jetë pa afat... N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë