Ngjarje

Covid-19 nervozon amerikanët, nisin të blejnë armë nga paniku (foto)

Amerikanët kanë filluar të blejnë armë nga paniku, ndërkohë që në shumë dyqane anembanë vendit, janë vënë re radha të gjata me njerëz që presin në radhë për të marrë një armë.
Në Kaliforni, Nju Jork dhe Uashington – shtetet më të goditura nga virusi vdekjeprurëse – u vu re një rritje e madhe në shitjet e armëve.
Disa blerës thanë se po përpiqen të “mbrojnë familjet e tyre” nga grabitësit, nëse ushqimi dhe furnizimet përfundojnë për shkak të panikut nga koronavirusi.

Të tjerë kishin frikë se masat emergjente të qeverisë do të kufizonin më vonë të drejtën e tyre për të blerë armë, ndërsa disa aziatiko-amerikanë thanë se po blinin armë për të mbrojtur veten nga sulmet e mundshme raciste.

Dukuria e re vjen në një kohë që mijëra amerikanë u dyndën nëpër supermarkete për të grumbulluar mallra dhe ushqime thelbësore, në një valë paniku nga përhapja e Covid-19.
Radhë të gjata u vunë re ndanë trotuarit te dyqani i armëve “Martin B. Retting” në qytetin Culver, Kaliforni. Një pjesë tjetër e blerësve u pa jashtë dyqanit “Gun World” në Burbank.
Shumica e blerësve thonë se kanë frikë nga ajo që do të ndodhë nëse njerëzit mbarojnë ushqimin dhe furnizimet. Njëri prej këtyre blerësve ishte edhe John Gore, 39 vjeç, i cili pasi bleu armën e tij pranë dyqanit “Martin B. Retting” të shtunën, i tha LA Times: “Politikanët dhe ata që janë kundër armëve na kanë thënë prej shumë kohësh se nuk na duhen armë. Por tani, shumë njerëz janë vërtet të frikësuar dhe tani mund të vendosin vetë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë