Ngjarje

Covid-19, Maqedonia e Veriut po përdor plazmën e gjakut. Po Shqipëria?

Autoritetet shëndetësore në Shkup filluan sot terapinë me plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar prej koronavirusit, për pacientët me këtë sëmundje të shtruar në spitalin “8 Shtatori” në kryeqytet. Plazma e pacientëve të shëruar nga koronavirusi që kanë rezultuar të kenë një nivel të lartë antitrupash dhe po të përdoret në mbarë Europën për të sëmurët në gjendje të rëndë nga koronavirusi.

Ky mjekim është pranuar tashmë edhe nga protokolli i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. OBSH bën me dije se plazma e gjakut të personave që e kanë kaluar COVID-19 përmban një përqindje të lartë të antitrupave në gjendje të luftojnë virusin. Ky mjekim që është përdorur edhe më herët për të luftuar sëmundjet si SRAS dhe Ebola.

Po ashtu, siç ka bërë të ditur ministri maqedonas Shëndetësisë Venko Filipçe, do të zbatohet edhe ozonoterapia për pacientët me COVID-19. Në klinikën e Transfuziologjisë bëhet dhurimi i gjakut nga pacientët tashmë të shëruar.

Procesi bëhet në bazë vullnetare. Një person tashmë i shëruar duhet të ketë kaluar një periudhë prej më tepër se dy javësh pas shërimit dhe të ketë bërë dy teste të cilat duhet të jenë negative, i fundit brenda 24 orëve, në mënyrë që plazma nga gjaku i tij të përdoret për pacientët e infektuar nga koronavirusi, natyrisht nëse i përmban antitrupat e nevojshëm.

Ministri Flipçe tha se janë bërë një sërë analizash dhe në bazë të përvojave nga shtete të tjera, anestezilogët e vendit kanë ardhur në përfundim se “ia vlen të aplikohet kjo terapi tek pacientët tek ne”.

Autoritetet shëndetësore maqedonase, nga ana tjetër, nuk janë të sigurt se kur mund të arrihet piku i koronavirusit, megjithëse para disa javësh vlerësonin se do të ishte fundi i prillit. Numri i përgjithshëm i të prekurve me COVID-19 ka arritur ne 1400, megjithëse 589 rezultojnë të shëruar, qoftë në kushte spitalore ose shtëpiake. Numri i viktimave të virusit është 71. Shkalla e vdekshmërisë është 4.6% dhe kjo është regjistruar më shumë tek burrat, megjithëse më shumë gra se sa burra rezultojnë të infektuara nga koronavirusi.

Po në Shqipëri a përdoret terapia me plazëm?

Anëtari i Task-Forcës për koronavirusin në Shqipëri, Andi Koraqi ka deklaruar disa ditë më parë në një intervistë se edhe Shqipëria i ka mundësitë të përdorë plazmën e gjakut të pacientëve të shëruar nga koronavirusi për të ndihmuar të sëmurët aktivë, por theksoi se ky është një vendim që do duhet të merret nga autoritetet.

Ai theksoi se masat e marra për parandalimin e përhapjes së këtij virusi kanë ndikuar që kurba e infeksionit në vendin tonë të qëndrojë e sheshtë, por nënvizoi rëndësinë e hetimeve të gjera epidemiologjike për të identifikuar sa më shumë raste të prekura.

“Plazmën e ka përdorur Izraeli. Është një mënyrë që mund të përdoret edhe në Shqipëri. Vendimi varet nga institucioni. Ka disa etapa që kalojnë për t’u aplikuar", tha ai. Unë do thoja se nuk është e rëndësishme bërja e testeve sa hetimi epidemiologjik. Ata duhen testuar dhe kështu mund të arrijmë rezultate”, tha Koraqi.

Doktori infeksionist, Rexhep Muja, Laborantet, Ira Tahulla dhe Manjola Zaka, veshur me veshje mbrojtese, duke plotesuar te dhenat ne tamponet e disa pacienteve ne Tirane te dyshuar me koronavirus, Covid 19.

Ai tha se me nisjen e stinës së verës dhe rritjen e temperaturave do të vihet re një dobësim i virusit për shkak se spërklat e pështymës apo kollës e humbasin aftësinë për të shkuar larg në temperatura të larta. Megjithatë ai tha se i vetmi shpëtim nga ky virus mbetet vaksina.

“Stina e verës do sjellë një ulje të fuqisë transmetuese të virusit, sepse edhe spërklat që lëshon dikush me kollë, e humbin aftësinë për të shkuar sa më larg. Kjo duhet parë pasi ende nuk dimë më shumë se kaq. Është një virus me shumë të panjohura.

Koronavirusët kanë acidet nukleike ose bërthamën më të madhe. Kanë shumë gene në vetvete. Shumica e sekuencave mbeten të panjohura. Shumicën e faqeve nuk ia njohim këtij virusi. Shpëtimi do të vijë nga vaksina, nuk ka mënyrë tjetër”, tha Koraqi.

Edhe mjeku reanimator Teni Kamberi është shprehur se plazma e pacientëve të shëruar një metodë shumë efikase në krijimin e antitrupave.

“Përsa i përket plazmës kjo e ka një logjikë të vetën. Përdorimi i plazmës është bërë historikisht edhe më parë edhe shkencërisht qëndron. Plazma e një personi që ka qenë i prekur me covid-19 që ka krijuar antitrupa është e vlefshme,” u shpreh mjeku shqiptar në Francë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë