Analize

Covid-19 izolon Shqipërinë, BE presion Greqisë për të mos na hapur kufijtë!

Rritja e vazhdueshme e rasteve me Covid-19 duket se ka çuar në një izolim të vendit tonë. Pas shumë ditësh bisedimesh në Bruksel, vendet anëtare ranë dakort për hapjen e kufijve të jashtëm me 14 vende, por Shqipëria nuk është një nga to.

Nga Ballkani Perëndimor, BE cilëson si vend të sigurt vetëm Serbinë dhe Malin e Zi, ndërkohë që qytetarëve nga vendi ynë, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk do t’u lejohet në hyjnë në union. Edhe pse premtoi në fillim të këtij muaji se hapja e kufijve për Ballkanin Perëndimor do të ishte përparësi, BE nuk ka pranuar të hapë dyert  për vendet që kanë pasur më shumë se 13 raste për 100,000 banorë gjatë dy javëve të fundit. Shqipëria aktualisht ka 30.

Sidoqoftë, Mali i Zi dhe Serbia kanë 20 raste, që do të thotë se sistemi bazohet edhe në kritere të tjera, siç janë masat mbrojtëse që merren, numri i testimeve etj.  Një element tjetër që mësohet se u përdor për Ballkanin Perëndimor, janë kriteret sociale dhe ekonomike, të cilat kanë bërë po ashtu që vendi ynë të përjashtohet nga kjo listë.

Kjo do të thotë se nëse rastet e reja me koronavirus nuk bien në 13 për 100,000 banorë, qytetarët e vendit tonë nuk do të lejohen të lëvizin në shumë prej vendeve të unonit deri më 31 gusht. Danimarka, Gjermania dhe Holanda kanë deklaruar tanimë se nuk do të hapin kufijtë me asnjë prej vendeve që nuk janë pjesë e listës deri në shtator.

Foto ilustruese. Gazeta Si, qershor 2020

Edhe pse u përfol se ky vendim  nuk është i detyrueshëm dhe se vendet e BE që nuk pajtohen me listën do të jenë të lirë të hapin kufijtë për Shqipërinë, BE tregoi të hënën, forcën diplomatike më Greqinë.

Pak pas publikimit të listës zyrtarë të BE-së, Athina zyrtare ishte e para që doli kundër këtij vendini, duke konfirmuar se do të hapë kufijtë e saj për qytetarët nga Shqipëria. Ishte zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, i cili konfirmoi në një deklaratë për shtyp se pikëkalimet kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës do të hapen duke filluar nga 1 korriku. Pasditen e së hënës, Greqia vendosi të hapte kufijtë jo vetëm për punëtorët sezonalë dhe rezidentët, por edhe për turistët, por Brukseli raportohet se ka ushtruar presion që këta të fundit mos të lejohen të hyjnë në vendin fqinj.

Sipas gazetës greke "Ekathimerini", Greqia ka kundërshtuar këtë listë, për shkak të rritjes së turistëve shqiptarë përgjatë viteve të fundit, duke kërkuar lejimin e vizitorëve nga vendet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Por pas presionit nga Brukseli, qeveria e vendit fqinj mësohet se është e lëkundur për lejimin e turistëve shqiptarë,duke mos marrë ende një vendim.

Kufiri shqiptaro-grek, Gazeta Si, 2020

Autoritetet greke mësohet se do t’u kërkojnë të gjithë udhëtarëve nga Shqipëria një tampon, i cili duhet të jetë bërë në 48 orët e fundit.

Sipas asaj që ka thënë Brukseki, si Greqia, edhe vende të tjera europiane mund të hapin kufijtë me Shqipërinë dhe vendet e tjera jashtë listës, por duhet të sigurohen që qytetarët nuk do të lëvizin në vendet e tjera të unionit, të cilat kanë hequr kontrollet kufitare me njëra-tjetrën. Por presioni ndaj vendit fqinj është një sinjal se shqiptarët mund të duhet të qendrojnë të izoluar ndërkohë që luftojnë me koronavirusin.

Italia nga ana tjetër pritet po ashtu të vazhdojë të lejojë vetëm lëvizjen e rezidentëve, edhe pse me një numër të kufizuar.  Pas hapjes së kufijve në fillim të muajit, Italia ka dhënë dritën jeshile për nisjen e dy trageteve me udhëtarë nga Durrësi, me destinacion Barin, vetëm për rezidentët.

Kosova dhe Shqipëria me përhapjen më të shpejtë të Covid-19 në Europë

Kosova dhe Shqipëria duket se janë në mesin e vendeve europiane me numrin më të madh të çështjeve Covid-19 për 100,000 njerëz në dy javët e fundit.

Sipas një grafiku të Universitetit Johns Hopkins, Kosova renditet e treta në Europë dhe Shqipëria renditet e gjashta.

Numri në rritje, ka çuar edhe në mbylljen e kufijve nga ana e unionit europian.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i cili zëvendësoi Albin Kurti rreth tre javë më parë, paralajmëroi se mjekët mund të duhet të marrin vendime të vështira morale së shpejti, për jetën e atyre që shpëtojnë, për shkak të numrit të madh të të pacientëve në spital.

Hoti shkroi në një postim në Facebook se nëse numri i rasteve të reja vazhdon të rritet, Kosova mund të rikthejë masay totale të izolimit.

Në Shqipëri, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu siguroi publikun se qeveria ka mjaft shtretër spitalor për një numër të madh pacientësh, por pranoi se rritja e rasteve të reja ishte shqetësuese. Në 24 orët e fundit në vendin tonë kanë vdekur katër persona nga Covid-19 në Spitalin Infektiv, duke e  çuar numrin e vdekjeve në 62.

Numri i të prekurve ka arritur gjithsej 2473 raste,  me më sumë se 1 mijë raste aktive.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë