Arredim

Covid-19 i ka sjellë ndryshime dhe arkitekturës

Rregulli 1 metër larg njëri-tjetri ka bërë që dhe arkitektët e dizajnerët të rimendojnë mënyra të reja  ndërtimi të përshtatshme për bashkëjetesën tonë me Covid-19.

1 metër! Ndërsa Covid-19 është bërë pjesë e gjithë botës,  kjo distancë ka ardhur si një nga mënyrat për ta parandaluar, gjë që tashmë e kemi pjesë të përditshmërisë tonë.

 1 metër larg duhet të jemi nga blerësit e tjerë në supermarket, 1 metër larg duhet të jemi nga një mik që takojmë në rrugë, një realitet ky që na tregon se bota jonë e mëparshme nuk ekziston më.

Por, nga ana tjetër, çdo ditë shohim rrugë, restorante, lokale dhe trotuare të mbushur me njerëz çka paraqesin një kërcënim sa herë që dikush aty pranë teshtit, bisedon, apo edhe thjesht merr frymë.

Pandemia ka të ngjarë të nisë një epokë të re të arkitekturës dhe dizajnit që kërkon distanca më të gjera midis njerëzve. Kjo mund të na bëjë të ndjehemi më të sigurt, por mund të jetë edhe stresuese.

Përfundimisht, arkitektët dhe inxhinierët do të rindërtojnë botën përreth nesh duke marrë parasysh pandeminë aktuale dhe të tjera pandemi që mund të pasojnë. Pengesat dhe shenjat e përkohshme nëpër rrugë mund t'i japin formë modeleve që favorizojnë grupimet e vogla të njerëzve dhe njerëz sa më larg njëri-tjetrit për të kufizuar përhapjen e virusit.

 "Do të shihni një stil ku gjërat duken të sigurta dhe njerëzit do të ndihen më të qetë" thotë Aaron Betsky, drejtor i Shkollës së Arkitekturës dhe Dizajnit të Virginia Tech.

 Betsky dyshon se mund të shohim një rigjallërim të modelit aerodinamik të viteve '20 dhe '30, kohë e cila na solli midis të tjerave dhoma spitalore me qoshe të rrumbullakosura  duke i bërë ato më të lehta për t'u pastruar.

Rigjenerimi i qyteteve dhe arkitekturës në vazhdën e pandemive ka vazhduar me shekuj. Në vitet 1800, pasi kolera vrau dhjetëra mijëra parizianë, Georges-Eugène Haussmann shkatërroi lagjet e mbipopulluara mesjetare për të bërë rrugët e gjera dhe parqet që njohim sot.

Problemi është se shkenca që na informon bie ndesh me atë që ne dimë. Studimet në fillim të shekullit të 20-të argumentuan se pikat infektive binin në sipërfaqe të vogla në përputhje me distancën prej 1 metrash që Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon si hapësirë e sigurt sot. Por një studim i vitit 2003 i SARS, një virus i lidhur ngushtë me Covid-19, tregoi se pikat mund të përhapet më larg. Studimi tregoi se SARS mund të transferohej te të tjerët 6 metra larg një personi të infektuar gjatë udhëtimit në një aeroplan.

Ideja e fundit është se sëmundja përhapet si përmes pikave të mëdha që bien në tokë, ashtu edhe nga ato të voglat në ajër.

"Është një vazhdimësi," thotë Lydia Bourouiba, një epidemiologe që studion dinamikën e lëngjeve në MIT, puna e fundit e së cilës dëshmoi se "retë e turbullta të gazit" mund të mbajnë patogjenë deri në 27 metra. Ajo ishte në mesin e 239 shkencëtarëve që nënshkruan një letër të hapur për OBSH-në duke i kërkuar organizatës që të marrë në konsideratë transmetimin nga ajri të Covid-19 në udhëzimet e tij. Agjensia kohët e fundit ka thënë se virusi mund të transmetohet nga ajri në hapësira të mbyllura.

Variablat si temperatura, lagështia dhe ajri, të gjitha mund të ndikojnë se sa efektive është me të vërtetë largësia prej 1 metri. Në ambiente të mbyllura, pa një maskë, 1 metër nuk është vërtet e sigurt, thotë Gabriel Isaacman-VanWertz, një shkencëtar në Virginia Tech.

Gjithashtu nuk dihet nëse pikat më të vogla në të vërtetë përmbajnë mjaftueshëm virus për tu infektuar. Përgjigja, thotë Isaacman-VanWertz, është diku midis "mbase" dhe "ndoshta".

Kështu kemi filluar të riorganizojmë aktivitetet tona në botën që kemi ndërtuar para Covid-19. Në dyqane, ndarja prej 1 metër është shënuar në dysheme dhe shumë parqe kanë pikturuar qarqe të bardha në tokë për të përcaktuar se ku mund të ulen.

Siguria, natyrisht, nuk është faktori i vetëm për të vendosur sasinë e duhur të distancimit social, thotë Isaacman-VanWertz.

“Ne duhet të jemi në gjendje të mendojmë dhe për veprimtarinë ekonomike dhe sociale pasi do të ishte e vështirë ta bësh atë në 27 metra. Sidoqoftë, "ajo që do të pajtohej pothuajse çdo studiues është që sa më larg të jesh, aq më mirë." thotë ai.

Burimi: Bloomberg Businessweek/ Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë