Ngjarje

COVID-19, fluturimet ajrore në “karantinë”. Çfarë ka ndodhur dhe ku nuk lëvizni dot

Është ora 17.00. Në Aeroportin “Nënë Tereza”, orari më i afërt i fluturimit (17.20) me Athinën është anuluar. Në të vetmen pikë lëvizjeje me botën nga Shqipëria (mbyllur 28 pikat kufitare) janë parashikuar 28 fluturime. 19 prej tyre janë anuluar. Disa prej ditësh, por mbeten ende në sistem. 7 fluturime të tjera kanë mbërritur. Priten edhe dy të fundit për sot (e martë). Nga njoftimet e fundit, linja e Stambollit e orës 19.40 mund të anulohet. Ndërsa, ajo e pak para mesnate me Vjenën është e sigurtë që do të mbërrijë. Të martën kanë funksionuar vetëm linjat me Budapestin, Vjenën, Stambollin dhe Frankfurtin.  

http://ëëë.tirana-airport.com/l/3/59/flight-information/real-time-departures/

Kurba e fluturimeve nga 9 marsi

“Update 1 – Coronavirus…”, fillon njoftimi i datës 9 mars i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, kur merren masat e para drastike “COVID-19”.

TIA njofton zyrtarisht pezullimin e fluturimeve ajrore me 12 destinacione të Italisë. E hapur vetëm linja me Romën dhe Barin, që zgjati vetëm 24 orë të tjera. Situata me fluturimet për vendet e tjera nuk ndryshon deri të dielën e 15 marsit.

Për pasagjerët po. Prej 13 marsit ata iu nënshtruan rregullave të reja. Duhet të shoqërohen në aeroport nga një person i familjes dhe të kenë në dorë biletën e udhëtimit sa herë që ndalohen nga policia. Në aeroport duhet të qëndrojnë dy metra distancë nga njëri -tjetri. 

Të dielën e 15 marsit fillojnë anulimet nga vende të tjera. Mëngjesin e asaj dite Lufthansa anulon një orar fluturimi për në Frankfurt. Ndërkohë, pas Italisë, vendimi i dytë drastik për anulim fluturimesh përfshin Greqinë me urdhër të qeverisë shqiptare. Nga e diela, asnjë udhëtim ajror për në Greqi.

Të hënën e fillim javës situata e anulimit të fluturimeve nëpër Europë vijon të përshkallëzohet, por vetëm në disa fasha oraresh të caktuara.

Drejt vet-izolimit, fluturimet që do të anulohen

Nga mesnata e së martës janë pezulluar të gjitha fluturimet me Britaninë e Madhe deri në një njoftim të dytë. Një tjetër kompani ajrore Pegasus Airline ka njoftuar se, në kuadër të masave të marra për Covid-19, nga nesër pezullohen fluturimet me Turqinë deri në datën 3 prill. Air Albania ka njoftuar gjithashtu se nga nesër dy fluturimet e darkës për Stamboll do të pezullohen deri më 30 mars. Nga data 19 mars pezullohen të gjitha fluturimet edhe për në Vjenë. Janë anuluar gjithashtu të gjitha linjat me Serbinë. Anulime fluturimesh janë njoftuar edhe me Amsterdamin. E paqarte mbetet linja me Belgjikën. Në faqen e saj zyrtare, Tuifly njofton anulime fluturimesh në kuadër të masave për koronavirusin, por për Shqipërinë asgjë e përcaktuar ende.  Deri më tani nuk ka njoftim zyrtar për anulim datash me Frankfurtin apo Budapestin. Gjithcka lidhur me fluturimet mbetet në përditësim nga ora në orë… 

Si duhet të njoftohemi dhe problemi me rimbursimet?

Ka dy rrugë që pasagjerët të njoftohen paraprakisht për anulimin e udhëtimit. E para është lidhja me kompaninë ajrore përmes emailit ose duke i kontaktuar direkt në numrin e telefonit, të afishuar në faqen zyrtare. Rruga e dytë mbetet ajo klasikja, përmes agjencive të udhëtimit.

Për rimbursimin e biletave gjithcka varet nga kompanitë ajrore. Të kontaktuar nga gazeta “Si” punonjës të agjencive të ndryshme në Tiranë shprehen se e vetmja ndërhyrje që ata mund të bëjnë është aplikimi tek kompanitë ajrore në emër të pasagjerëve. “Do të aplikojmë për ju, por nuk e dimë a do të rimbursoheni”, - është përgjigja standard e tyre.

Për këtë situatë, ka një përgjigje po aq standarde edhe Autoriteti i Aviacionit Civil, në një nga njoftimet që ka publikuar disa ditë më parë lidhur me anulimin e gjitha fluturimeve për Itali. “Në lidhje me trajtimin e pasagjerëve të prekur, kompanitë ajrore që operojnë në tregun Shqiptar-Italian, vendase apo të huaja, kërkohet t’i referohen rasteve të ngjashme të veprimit të kompanive ajrore Evropiane në këto momente duke u ofruar pasagjerëve që kanë blerë një biletë për/nga Italia shtyrje të datës së biletës pa kosto shtesë...”.

Vetëm disa prej kompanive kanë filluar ta ndjekin këtë procedurë, kryesisht ato me linjat për Italinë. 

http://www.tirana-airport.com/l/3/63/flight-information/airlines/

Për ata që kanë mbetur jashtë

Nuk janë të paktë ata që kanë mbetur jashtë kufijve, si rezultat i masave të befta që po merren në vende të caktuara të Europës. Rasti i fundit ishte sot kur fillimisht një grup shqiptarësh u ndaluan që të merrnin linjën tranzit në Serbi për tu kthyer në Tiranë, si rezultat i masave të fundit që ka marrë qeveria serbe. Gjithcka u sqarua dhe avioni i linjës së fluturimit të Frankfurtit me tranzit Serbinë mbërriti në mesditë në Tiranë.

Cdo qytetar që ndodhet në këto momente jashtë vendit dhe ka një biletë kthimi të afërt për Tiranë, apo planifikon udhëtim duhet të ndjekë këtë procedurë. "Kushdo që dëshiron dhe duhet të kthehet në Shqiperi përpara se të marre vendimin të presë biletën të kontaktojne përfaqësitë për udhëzim, cili është itenerari që duhet të ndiqet, a ka fluturime të mundshme, a u lejohet tranziti nga vendi i zgjedhur, etj. nga do kalojnë, a është e mundur mbërritja, etj”, - thuhet në një njoftim të ministrisë së Punëve të Jashtme.

Linjat ajrore po mbyllen orë pas ore. Për pasojë, ambasadat e Shqipërisë jashtë vendit, por edhe ministria kanë ngritur një task-force për tu koordinuar me autoritetet e cdo vendi.

Për këdo shqiptar që është jashtë dhe kërkon të kthehet, ka vetëm një këshillë; “Të kontaktohet ambasada shqiptare përpara çdo veprimi".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë