Shendet

Covid-19 është në ajër: Ç’duhet të bëjmë tani

Sipas provave shkencore koronavirusi i ri mund të qëndrojë në ajër, duke infektuar edhe më shumë njerëz. Rreziku më i madh në këtë rast është nëse koronavirusi mund të gjendet në hapësirat e mbyllura dhe me ventilim të dobët.
“Ende është e paqartë se si përhapet më shpejt virusi përmes ajrit apo spërklave,” shpjegon epidemiologia Marr Linsey.
Sipas një grupi prej mëse 200 ekspertësh, qëndrimi i virusit në ajër është një rrezik i madh dhe ata kanë gjetur prova për këtë gjë. Ata i dërguan një letër Organizatës Botërore të Shëndetësisë ku kërkonin që të këshilloheshin njerëzit se duhet të marrin në konsideratë minimizimin e kohës së qëndrimit jashtë shtëpisë. Në letër shkruhej se nëpër shkolla, shtëpitë e pleqve, apo biznese të ndryshme duhen përdorur filtrues ajri dhe dritë ultravjollcë që mund të shkatërrojnë viruset që vijnë nga ajri.

Çfarë do të thotë një virus në ajër?
Do të thotë që virusi të qëndrojë në ajër dhe njerëzit të infektohen edhe nëse marrin frymë. Por ky përkufizim ka qenë i ndërlikuar për koronavirusin e ri. Në fillim u tha që përhapej me anë të spërklave, ndërsa ditët e fundit në bazë të një eksperimenti ekspertët kanë vërtetuar që virusi mund të përshkojë gjatësinë e një dhome, për një afat kohor 3 orë.
Ku ndryshojnë grimcat në ajër nga spërklat?
Pikat që qëndrojnë në ajër nuk ndryshojnë madhësi. Shkencëtarët ndonjëherë u referohen pikave më të vogla se pesë mikron në diametër, kur shpjegojnë pikat në ajër. Që nga fillimi i pandemisë, OBSH dhe organizata të tjera të shëndetit publik janë përqendruar të shpjegojnë nëse virusi mund të përhapet mes spërklave, të cilat janë relativisht të mëdha krahasuar me pikat në ajër. Por spërklat bien shpesh nëpër sipërfaqet që prekim dhe ndaj ekspertët kanë këshilluar mbajtjen e distancës fizike dhe larjen e shpeshtë të duarve.
Ndërkohë disa ekspertë kanë thënë se njerëzit e infektuar lëshojnë gjithashtu aerosole kur kolliten dhe teshtijnë, gjithashtu kur flasin, kur marrin frymë dhe kur kryejnë ushtrime fizike. Shkencëtarët e dinë tani që njerëzit mund të përhapin virusin edhe nëse nuk kanë simptoma, pa kollitje ose teshtitje dhe e vetmja gjë që e shpjegon këtë fenomen është se virusi përhapet nga ajri.
Për shkak se aerosolet janë më të vogla, ato përmbajnë shumë më pak virus sesa spërklat, por sipas ekspertëve ato mund të qëndrojnë për orë të tëra në ajër, veçanërisht në mungesë të ajrit të pastër. Në një hapësirë të mbushur me njerëz, një person i vetëm i infektuar mund të lëshojë mjaftueshëm virus të infektuar të gjithë të tjerët.
A duhet të vazhdojmë të ruajmë distancën fizike dhe të lajmë shpesh duart?
Sipas ekspertëve distanca fizike është ende shumë e rëndësishme. Sa më afër jush të jetë një person i infektuar, aq më shumë mund të jeni të ekspozuar. Larja e duarve shpesh është ende një ide e mirë.
Në këtë rast një fakt i ri është se këto dy gjëra nuk mjaftojnë për të anashkaluar virusin.
"Ne duhet t'u kushtojmë shumë rëndësi maskave dhe ajrosjes sesa larjes së duarve,” thotë Marr.

A të mbajmë një maskë?
Punëtorët e kujdesit shëndetësor mund të kenë nevojë të mbajnë maska N95, të cilat filtrojnë shumicën e aerosoleve. Për momentin, ata këshillohen ta bëjnë këtë vetëm kur përfshihen në procedura të caktuara mjekësore për të cilat mendohet se mund të infektohen. Për pjesën tjetër ekspertët këshillojnë se nëse jetoni me njerëz të infektuar duhet të mbani maskë. Por kjo varet shumë se sa është e ajrosur dhoma ku jetoni.
Çfarë do të thotë transmetimi nga ajri për rihapjen e shkollave?
Ky është një debat i nxehtë. Shumë shkolla kanë ajrim të dobët dhe nuk kanë financim për sisteme të reja filtrimi.
Shumica e fëmijëve më të vegjël se 12 vjeç duket se kanë vetëm simptoma të buta, por ata janë transmetues të virusit.
Cilat janë disa gjëra që mund të bëhen për të minimizuar rreziqet?
Kryeni sa më shumë aktivitete jashtë në natyrë. Pavarësisht se fotografitë e njerëzve në plazhe duken të frikshme, ekspertët këshillojnë se është me mirë të qëndroni në një plazh të mbushur me njerëz se sa në një bar apo restorant.
“Kur ndodhen brenda, një gjë e thjeshtë që njerëzit mund të bëjnë është të "hapin dritaret dhe dyert kur është e mundur. Ndërtesat publike dhe bizneset mund të duan të investojnë në pastruesit e ajrit dhe dritat ultravjollcë që mund të vrasin virusin,” tha Marr.
Nëse asnjë nga ato gjëra nuk është e mundur, përpiquni të minimizoni kohën që kaloni në një hapësirë të brendshme, veçanërisht pa maskë. Sa më gjatë të kaloni në një ambient të mbyllur, aq më e madhe do të jetë sasia e virusit që mund të thithni.
Burimi: The New York Times. Solli në shqip: Gazeta “Si”

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë