Ngjarje

Covid 19 – Cili është kushti që BE s’i hap kufijtë për Shqipërinë

Vendet anëtare të Bashkimit Europian po diskutojnë prej ditësh hapjen e kufijeve për vendet e treta pas datës 1 korrik. Një vendim përfundimtar nuk ka dalë ende, por edhe nëse ai do të merret nuk do të jetë detyrues, por rekomandues. Aktualisht janë publikuar dy draft-lista. Në listën e parë janë përfshirë vendet që rekomandohet t’u lejohet hyrja dhe në listën e dytë vendet që nuk rekomandohet t’u lejohet.

Një prej kritereve që zyrtarisht thuhet se është përdorur për të përcaktuar se në cilën listë duhet të përfshihet një vend është ai i regjistrimit të 16, ose më pak rasteve të reja ditore për 100 mijë banorë në dy javët e fundit. Sipas këtij kriteri, Shqipëria përjashtohet automatikisht nga lista e vendeve që u lejohet lëvizja, për shkak se në dy javët e fundit ka një mesatare me rreth 30 raste ditore për 100 mijë banorë.

Rastet e reja ditore në Shqipëri në dy javët e fundit

Me këtë kriter përjashtohen automatikisht edhe vende si SHBA, Rusia dhe Brazili. Ndërsa Kina është kushtëzuar me parimin e reciprocitetit. Pra, BE do të lejojë hyrjen e shtetasve kinezë në territorin e vet nëse Kina do të bëjë të njëjtën gjë me të gjithë shtetasit e vendeve anëtare të BE-së.

Megjithatë, përfshirja në draft-listën ku u lejohet lëvizja e lirë në Bashkimin Europian e disa vendeve, si Serbia dhe Mali i Zi, ka ngjallur debate se veç kriterit “sigurisë shëndetësore”, vende të caktuara të unionit kanë aplikuar edhe kriterin politik.

Zyrtarisht, si Serbia, ashtu edhe Mali i Zi kanë raportuar një situatë më të qetësuar me raste të reja me koronavirus se sa Shqipëria, përkatësisht me 20 dhe 19 raste të reja ditore për 100 mijë banorë. Por sërish këto shifra qëndrojnë përmbi shifrën kriter të 16 rasteve.

Vendimi përfundimtar mbetet në dorë të vendeve anëtare

Më 12 qershor, kur në Shqipëri sapo kishin nisur të shtoheshin rastet e reja, dhe situata duhek nën kontroll ,Komisioni Europian, mbi kushtin e vendosur për nivelin e përhapjes së infeksionit dhe të aftësisë së vendeve joanëtare të BE-së për ta përballuar, propozonte hapjen e kufijve për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Propozimi i Komisionit mbetet ende në tryezë dhe pret vendimmarrje nga 27 vendet anëtare. Por, përkeqësimi i situatës në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Bosnje Hercegovinë dhe Shqipëri ka bërë që vende të BE-së të kërkojnë qëndrimin në fuqi të kufizimeve për shtetasit e këtyre vendeve.

Përpjekjet e presidencës kroate për të gjetur një marrëveshje deri pasditen e së shtunës dështuan. Vendet anëtare janë të ndara sa u takon kritereve të vendosura. Një pjesë e tyre e konsiderojnë absurd faktin e mbylljes së kufijve për SHBA, që ka numrin më të lartë të infeksioneve të reja dhe hapjen e tyre për Kinën, ku filloi gjithçka.

Për këtë arsye, vendimmarrja do të jetë këshilluese, duke respektuar direktivat dhe rregullat e brendshme të Bashkimit Europian, ku kontrolli i kufijve është një kompetencë ekskluzive e qeverive kombëtare. Kjo do të thotë se pavarësisht rekomandimit që do të japë Brukseli, një vend anëtar i BE-së ka të drejtë që të hapë, ose të mbyllë kufijtë për Shqipërinë, pa u penalizuar nga BE për këtë.

Kështu veproi Greqia. Qeveria greke njoftoi këtë të hënë se do të hapë kufirin tokësor me Shqipërinë. Nga gjashtë pikat kufitare tokësore me vendin tonë, Athina mendohet të hapë dy pikat më të mëdha, Kakavijën dhe Kapshticën.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë