Ngjarje

COVID-19/ 154 raste të reja, 5 humbje jete në 24 orët e fundit

Pesë viktima dhe 154 raste të reja me COVID-19 janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri. Personat që kanë humbur jetën janë një 62 vjeçare nga Tirana, një 63 vjeçare nga Tirana, një 70 vjeçar nga Korça, një 74 vjeçare nga Shkodra, një 83 vjeçar nga Pogradeci. 

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 643 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 154 persona janë konfirmuar positive me Covid19.  Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 84 raste në Tiranë, nga 10 raste në Durrës, Elbasan, 8 në Shkodër, 7 në Kukës, nga 5 raste Korçë, Lushnje, nga 4 raste Mirditë, Përmet, nga 3 raste Pogradec, Divjakë, Kolonjë, Malësi e Madhe, 2 në Has, nga 1 rast Kavajë, Tropojë, Peqin.

Ky është numri më i lartë i të të infektuarve të identifikuar në një ditë ndërkohë që një ditë më parë pati 141 persona pozitivë.

Nga ana tjetër, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 64 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3616, që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 114 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 19 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar.

Ndërkohë më herët një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Sipas informacioneve zyrtare nga policia, në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ rreth orës 04:30, shtetasi XH.K., 29 vjeç, është hedhur nga kati i 3 ku për pasojë ka gjetur vdekjen.

29-vjeçari kishte disa ditë që merrte mjekim në këtë spital dhe trajtohej me shumë pak oksigjen, 3-4 litra, në minimumin e mundshëm të oksigjenimit të pacientëve. Ishte drejt shërimit, madje ditët e fundit ai nuk kishte as simptoma. Ndërkohë, mjekët dyshojnë se i riu vuante nga probleme të shëndetit mendor.

“Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 29-vjeçarit me inicialet Xh. K. i cili i dha fund jetës mëngjesin e sotëm, dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij” thotë Spitali në një reagim.

“I riu i konfirmuar me COVID-19, po trajtohej prej 4 ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me terapinë e plotë të mjekimit dhe gjendja e tij ishte e stabilizuar.

Lidhur me arsyet që e çuan të riun drejt këtij akti ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente. Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se do të vazhdojë të ofrojë me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë”, përfundon deklarata e Spitalit “Shefqet Ndroqi”.

COVID-19 – Statistika (13 Gusht 2020)

Testime totale            48319

Raste pozitive              6971

Raste të shëruara         3616

Raste Aktive                3142

Humbje jete             213 (Qarku Tiranë 104, Shkodër 34, Durrës 30, Fier 10, Elbasan 8, Korçë 8, Lezhë 5, Kukës 5, Vlorë 5, Dibër 2, Berat 1, Gjirokastër 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë                  1717

Durrës                  377

Shkodër                273

Fier                       134

Lezhë                   122

Vlorë                    115

Korçë                   111

Kukës                   92

Elbasan                 84

Berat                    48

Dibër                    38

Gjirokastër         31


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë